Policia me masa të veçanta për menaxhimin e trafikut
Policia e Kosovës del me njoftim për qytetarët.
“Ju njoftojmë se, me datën 24 dhe 25 korrik 2026, për shkak të një aktiviteti të paralajmëruar (koncert) në Prishtina Mall, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe shmangies së ngarkesave në trafik:
• Qytetarët që udhëtojnë në relacionin Prishtinë – Shkup dhe anasjelltas, luten që gjatë kësaj periudhe të përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi”, për të shmangur vonesat dhe ngarkesën në trafik.
• Për vizitorët e koncertit janë organizuar autobusë falas të Trafikut Urban, me nisje nga Prishtina drejt Prishtina Mall dhe anasjelltas.
• Për automjetet që lëvizin nga Prishtina në drejtim të Prishtina Mall, pasi të kalohet rrethi i Marigonës, do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.
• Po ashtu, për automjetet që vijnë nga Ferizaj në drejtim të Prishtina Mall, do të vendosen kona në shiritin e djathtë, ndërsa hyrja për vizitorët do të realizohet përmes rrugicës në të djathtë, para se të arrihet te rrethi i Prishtina Mall.
“Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, si dhe respektimin e udhëzimeve të zyrtarëve policorë dhe sinjalizimit të përkohshëm rrugor, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së trafikut”, thuhet në fund të njoftimit të Policisë. /2LONLINE/
