Policia e Kosovës në Rajonin e Gjilanit edhe sot vazhdoi me zbatimin e planit operativ “Siguria në Trafikun Rrugor 2021”, duke planifikuar detyra dhe angazhime shtesë, me qëllime preventive të aksidenteve në trafikun rrugor.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se pjesë e këtij plani, përveç kontrolleve rutinë dhe kontrolleve me radarë për matjen e lëvizjes së shpejtësisë, kanë qenë edhe kontrollet me përdorimin e dronëve ku po vëzhgohet nga hapësirat ajrore, në mënyrë që të ndikohet direkt në preventivën e aksidenteve të trafikut rrugor, duke identifikuar kundërvajtësit të cilët gjatë ngasjes së automjeteve, bien ndesh me ligjin dhe rregullat e trafikut rrugor.
“Policia e Kosovës me qëllime parandaluese dhe preventive me prioritet do të angazhohet për mbarëvajtjeje në trafik, njëkohësisht thërrasim vozitësit që t’i respektojnë̈ rregullat dhe normat ligjore. Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës, njësitet e trafikut rajonal, kanë vazhduar kontrolle të shtuara në dy rrugë rajonale: në rrugën Gjilan – Prishtinë dhe Gjilan – Kamenicë, ku gjatë këtyre kontrolleve janë shqiptuar nëntë (9) fletë paraqitje kundërvajtëse”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, Policia e Kosovës do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin për sigurinë në trafikun rrugor, duke pas “Zero” tolerancë ndaj të gjithë shkelësve të Ligjit. /2LONLINE.com/