DYLON

Policia e Kosovës organizoi një takim lamtumirës për nder të Kimberly Riffe, Atashe e DOJ ICITAP në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara

Policia e Kosovës organizoi një takim lamtumirës për nder të Kimberly Riffe, Atashe e DOJ ICITAP në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara
Avatar photo Redaksia

Policia e Kosovës organizoi një takim lamtumirës për nder të znj. Kimberly Riffe, Atashe e DOJ ICITAP në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, duke shënuar përfundimin e gati nëntë viteve të shërbimit dhe bashkëpunimit të përkushtuar me Policinë e Kosovës.

Në takim morën pjesë zyrtarë dhe staf i lartë i Policisë së Kosovës, të cilët shprehën vlerësimin e tyre për angazhimin e gjatë, profesionalizmin dhe mbështetjen e vazhdueshme të znj. Riffe në forcimin e bashkëpunimit në zbatim të ligjit dhe zhvillimin institucional në Kosovë.

EkoHigjiena

Policia e Kosovës vlerëson lart bashkëpunimin e shkëlqyer me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së dhe ICITAP-in, partneriteti i vazhdueshëm i të cilëve ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin profesional dhe avancimin e standardeve të policimit në Kosovë.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe partneritetin e saj të jashtëzakonshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, i dorëzoi znj. Riffe një Certifikatë Mirënjohjeje, një emblemë zyrtare të Policisë së Kosovës dhe një flamur të Policisë së Kosovës të valëvitur, si simbol mirënjohjeje dhe respektit më të lartë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ruajtur bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe shpreh mirënjohje të sinqertë për përkushtimin dhe shërbimin e znj. Riffe gjatë kohës së saj në Kosovë, duke i uruar suksese të vazhdueshme në angazhimet e saj të ardhshme profesionale dhe personale, njofotn Policia. /2LONLINE/