DYLON

Policia e Kosovës ndërmerr masa të sigurisë përgjatë aktiviteteve dhe zhvillimeve që ndërlidhen me datën 16 shtator

Policia e Kosovës ndërmerr masa të sigurisë përgjatë aktiviteteve dhe zhvillimeve që ndërlidhen me datën 16 shtator
Avatar photo Redaksia

“Policia e Kosovës, lidhur me zhvillimet e parapara për datën 16 shtator, ku pritet të merret verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që parashihen”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas praktikave të mëhershme të ndërtuara, me qëllim të mirëmbajtjes dhe avancimit të partneritetit, kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete apo tubime publike, menaxhmenti i PK-së mban takime informuese dhe koordinuese me drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorët e drejtorive rajonale, përfshirë edhe takime me partnerë ndërkombëtarë, si: KFOR, EULEX, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së dhe OSBE-ja. Një takim i tillë u mbajt edhe sot në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, ku u prezantua plani dhe angazhimet policore lidhur me zhvillimet e parapara që ndërlidhen me datën 16 shtator.

EkoHigjiena

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente. Varësisht nga aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative.

Policia e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt, pasi planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në rastet kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi dhe implementimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore, që shërbejnë në interes të sigurisë së përgjithshme.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim, siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritete të Policisë së Kosovës. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.