DYLON

Policia e Kosovës me masa shtesë në mbështetje të zhvillimit të sigurt dhe demokratik të procesit të zgjedhjeve të parakohshme

Policia e Kosovës me masa shtesë në mbështetje të zhvillimit të sigurt dhe demokratik të procesit të zgjedhjeve të parakohshme
Avatar photo Redaksia

Në kuadër të përgatitjeve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 7 qershorit, Policia e Kosovës ka mbajtur sot takime informuese dhe koordinuese me strukturat e saj drejtuese dhe me përfaqësues të institucioneve relevante vendore dhe ndërkombëtare.

Takimi i parë u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë nga ora 13:15, me drejtorët rajonalë dhe drejtorët e departamenteve të Policisë së Kosovës, ku u diskutua për planifikimet operative, masat e sigurisë dhe angazhimet policore në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të qetë dhe të sigurt në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

EkoHigjiena

Në takimin e dytë nga ora 14:15 morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si dhe përfaqësues të organizatave dhe misioneve ndërkombëtare që monitorojnë dhe mbështesin procesin zgjedhor. Gjatë këtij takimi u prezantuan përgatitjet policore, masat e planifikuara të sigurisë dhe mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për ditën e zgjedhjeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, theksoi rëndësinë e angazhimit profesional dhe të paanshëm të të gjithë zyrtarëve policorë, duke vlerësuar se deri më tani procesi zgjedhor është karakterizuar nga një situatë e qetë dhe pa incidente që do të cenonin sigurinë publike apo zhvillimin normal të aktiviteteve zgjedhore.

Gjatë takimeve u prezantuan gjithashtu detyrat operative, përgjegjësitë institucionale dhe aktivitetet koordinuese që do të ndërmerren para, gjatë dhe pas procesit të votimit, me fokus të veçantë në ruajtjen e rendit publik, sigurinë e qendrave të votimit dhe garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës nga qytetarët.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet relevante, për të siguruar një proces zgjedhor të sigurt, transparent dhe demokratik.

Njëkohësisht, Policia e Kosovës fton qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që mund të ndikojë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor përmes numrit emergjent 192, në stacionet policore ose përmes kanaleve zyrtare të komunikimit. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.