Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të publikuar në mediumin serb kosovo-online, medium ky i cili në vazhdimësi po publikon dezinformacione të tilla.
Lajmi i radhës i publikuar sot (23.09.21) nga ky medium, se kinse në afërsi të pikë kalimit kufitar në Bërnjak njësia speciale nga Prishtina ka rrahur tre persona serb nuk qëndron, është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët si dhe për të plotësuar ambiciet e ndryshme politike të orientuara nga jashtë.
Vlen të potencohet se Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Andaj një informacion i tillë pas verifikimeve zyrtare është vërtetuar se nuk qëndron, pasi nuk ka pasur asnjë ndalim apo kontakt me ndonjë protestues në pikë kalim kufitar, por njësia policore gjatë rrugës ka verifikuar tre kamion gjegjësisht vozitësit e tyre të cilët kanë vozitur prapa kolonës së zyrtarëve policorë duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve dhe operacionit policorë, me ç’rast zyrtarët kanë ndaluar, verifikuar dhe më pas i ka liruar të tre vozitësit të nacionlitetit m/sh kosovarë, të cilët janë udhëzuar të paraqiten në stacionin policorë Jugu – Mitrovicë.
Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.
Bashkangjitur keni dokumentacionet e tre personave m/sh kosovarë të verifikuar nga zyrtarët policorë, të cilat dëshmojnë dhe njëherit demantojnë lajmin dezinformues të mediumit në fjalë. /2LONLINE.com/