Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Policia e Kosovës sot i ka arrestuar dy persona nën dyshimin për pjesëmarrje në grupe terroriste.
Sipas policisë, për një vit deri një vit e gjysmë, dy personat e arrestuar dyshohen kanë qenë pjesë e të ashtuquajturit Shtet Islamik në Siri dhe Irak
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se dy personat, shtetas të Kosovës, janë arrestuar teksa janë kthyer në Kosovë përmes Stambollit.
“Më datën 04.01.2016, rreth orës 10:20, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë arrestuar dy persona të dyshuar. Policia po i heton ata për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të ‘organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste’”, ka thënë zëdhënësi Hoxha.
Ai ka shtuar se dy personat e arrestuar sot kanë qenë duke u hetuar nga Departamenti Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës dhe nga Prokuroria Speciale.
“Dy të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e grupit militant Shteti Islamik në Siri dhe Irak”, ka thënë Hoxha.
Me urdhër të prokurorëve përgjegjës për rastet, sipas zëdhënësit Hoxha, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.