Policia apelon për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të motoçikletave
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u bën thirrje të gjithë drejtuesve të motoçikletave që të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion dhe të respektojnë rregullat e trafikut, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Policia rikujton se siguria në komunikacion fillon me përgjegjësinë individuale të çdo drejtuesi. Për këtë arsye, motoçiklistët duhet të mbajnë gjithmonë helmetën mbrojtëse, të kontrollojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën e sigurisë me automjetet e tjera, të përdorin të dy frenat gjatë ndalimit, të jenë të dukshëm si gjatë ditës ashtu edhe natës, si dhe të përdorin treguesit e drejtimit në çdo ndryshim të kahut së lëvizjes.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon që të gjithë pjesëmarrësit në trafik të tregojnë kujdes dhe kulturë të lartë komunikacioni, duke respektuar dispozitat ligjore dhe sinjalizimin rrugor. Mosrespektimi i rregullave të trafikut jo vetëm që përbën shkelje ligjore, por mund të ketë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin.
Policia do të vazhdojë me aktivitetet parandaluese dhe kontrollet në terren, me synim rritjen e sigurisë rrugore, duke ftuar qytetarët që përmes sjelljes së përgjegjshme të kontribuojnë në një komunikacion më të sigurt për të gjithë. /2LONLINE/
