Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka treguar bilancin e të lënduarëve dhe dëmeve që janë shkaktuar gjatë protestës. Janë 17 policë të lënduar, 2 rëndë, por jashtë rrezikut për jetë.
“Policia e Kosovës bazuar në planifikimet operacionale ka vazhduar me monitorimin e situatës së krijuar nga protesta e dhunshme dhe me veprimet e saja ligjore ka arritur të menaxhoj dhe ta vejë situatën nën kontroll.
Si pasojë dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, numri i zyrtarëve policor të lënduar ka arritur në shtatëmbëdhjetë (17), ku prej tyre dy (2) zyrtarë kanë pësuar lëndime të rënda, por që janë jashtë rrezikut për jetë.
Njëri nga zyrtarët policor të lënduar rëndë, ka qenë me detyrë zyrtare i caktuar në mbarëvajtjen e trafikut në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku papritmas është goditur me mjet të fort në kokë nga protestues të dhunshëm dhe ka pësuar lëndime serioze në kokë.
Po ashtu si pasojë e hedhjes së mjeteve të ndryshme nga ana e protestuesve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme si në prona publike po ashtu edhe në prona private.
Në bazë të informacioneve të deritanishme janë dëmtuar tetë (8) vetura civile, një (1) veturë zyrtare 3Z, katër (4) vetura policore, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme të objektit të parlamentit si dhe të uniformes dhe pajisjeve të ndryshme policore.
Policia e Kosovës njëkohësisht ka arritur që të ofroje siguri edhe për vizitën zyrtare të mbretit të Jordanisë i cili po qëndron në Kosovë, vizitë kjo e cila po kalon pa probleme.
Policia e Kosovës të gjitha veprimet policore lidhur me situatën e krijuar gjatë protestës dhe pas sajë po i ndërmerr në konsultim dhe bashkëpunim me prokurorin kompetent”, transmeton Indeksonline.