Kandidati i AAK-së për Asamblenë Komunale të Skenderajt, Bekim Birinxhiku, është vrarë nga një polic i Kosovës. Dorasi ndaj viktimës ka shtënë me revole zyrtare, bëjnë të ditur burime të policisë.
Vrasja ka ndodhur në Skenderaj, afër xhamisë. Dëshmitarët kanë thënë, se Birinxhiku ishte duke folur me telefon, kur në të ishte shtënë nga një veturë në lëvizje.
Bekim Birinxhiku, është dërguar me të shpejt në QKMF-në e Skënderajt, por mjekët vetëm sa e kanë konstatuar vdekjen e tij.
Bekim Birinxhiku (37) ishte një prej luftëtarëve të parë të UÇK-së. Gjatë luftës, ai ishte plagosur dy herë, ndërsa pas lufte, ai bashkë me familjarët e tij kishte zhvilluar një biznes, në të cilin ishte treguar i suksesshëm. Në zgjedhjet e 3 nëntorit, AAK-ja dega në Skënderaj e pati kandiduar Birnxhikun për këshilltar komunal të Skënderajt. Ai është vrarë vetëm disa orë para se të fillonte procesi i zgjedhjeve.
Zëdhënësi për informim i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu e ka konfirmuar faktin se, kandidati i AAK-së, Bekim Birinxhiku është vrarë nga një pjesëtarë i policisë së Kosovës.
“Po është e vërtet që viktima është vrarë nga një pjesëtarë i Policisë së Kosovës mirëpo i cili ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe nuk ka të bëjë asgjë lidhur me ndonjë konflikt pune. Për tash kjo është e tëra që mund të them”, ka thënë Sadriu për “Zërin”. Ndërkohë policia e Kosovës do të dalë shumë shpejtë me një raport të detajuar rreth kësaj ngjarje.
Ngushëllime familjes, Birinxhiku i kanë shprehur zyrtarët e AAK-së, në krye me kryetarin Ramush Haradinaj. Ndërkohë zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, ka thënë se ende nuk janë në dijeni nëse kjo ngjarje mund të ketë prapavijë politike.
“Ne porsa morëm lajmin e dhimbshëm për vrasjen e kandidatit tonë, Bekim Birinxhiku i cili ka qenë edhe ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është një ngjarje e rëndë e cila na ka prekur të gjithëve”, ka thënë Luma.
“Megjithatë ne ende nuk dimë asgjë më shumë rreth asaj se kush dhe përse ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë. Asnjëherë nuk mund të përjashtohet asgjë, mirëpo është ende herët për të paragjykuar nëse kjo ngjarje ka prapavijë politike ose”, ka përfunduar Luma./koha.net/