DYLON

Policët s’guxojnë të postojnë fotografi me uniforma në Facebook

Avatar photo Redaksia

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës duhet pasur kujdes në përdorimin e rrjeteve sociale. Ekziston urdhëresa që i obligon pjesëtarët e policisë të mos i postojnë fotografitë e tyre me uniforma në facebook dhe rrjete tjera sociale.

Aty thuhet se kjo bëhet për shkaqe të sigurisë, por edhe të ruajtjes së etikës dhe imazhit ndaj këtij organi shtetëror, raporton KTV.

EkoHigjiena

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, thotë se publikimi i fotografive me uniforma policore është i ndaluar me ligj, ndërkaq në aspektin sociologjik, ka tendencë për të treguar autoritet ndaj të tjerëve.

Qehaja ka thënë se shembullin e Policisë duhet ta ndjekin edhe institucionet tjera shtetërore.

Zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë theksuar se ky udhëzim, që obligon policët të mos postojnë foto në rrjete sociale me uniformë, ekziston qysh moti. Ata nuk kanë pranuar të flasin pasi, siç kanë thënë, kjo rregullore nuk ka të bëjë me opinionin publik, por i përket vetëm rregullave dhe etikës së brendshme të policisë.

Policë të Kosovës shpeshherë kanë bërë publike fotografitë e tyre, nga aktivitetet e ndryshme si: trajnimet në akademinë policore, paraqitjet e tyre me armë në zona të ndryshme, po ashtu edhe fotografi nga puna e tyre në komunikacion.