Poezi të zgjedhura të Musa Ramadanit

Poezi të zgjedhura të Musa Ramadanit

POEZI TË ZGJEDHURA nga “AGMIA” revistë letrare-kulturore.

MUSA RAMADANI

KËSHILLA MIKUT TIM

Mik
Shtëpitë tona si gota cakërrohen
Gjerdhe as dyer përmes s’kemi bërë

Dielli
Udhën deri te ne kur e gjen
Gëzim kujt më tepër i bie

Ty apo mua?

Mik
Livadhet tona si dashnorë puthen
Gurë a mezhde askund s’kemi vënë

Shiu
Sixhim teposhtë kur rigon
Në cilin më shumë fryt lëshon:

Në tëndin apo timin?

Atëbotë
Kujtohu mirë lum miku im
Përse prore më bën të druaj?

Se për dallim o dredhim
Koha kaherë ka kaluar

JO, FAQET E PARA TË GAZETAVE S’I LEXOJ

Brenga mendjen në merimangë ma pështolli
Tmerri zemrën në fole minjsh ma shndërroi

Faqet e para të gazetave
Kurrë më s’i lexoj

E rëndë është ajo peshë fjalësh
Si shi plumbi në shpirt më rigojnë

I kam lutur sytë që fjalën
Luftë të mos e venerojnë

I kam bindur veshët që fjalën
Mortje kurrë të mos e dëgjojnë

E kam urdhëruar gojën që fjalën
Gjak përjetë të mos e shqiptojnë

Se e rëndë është pesha e fjalëve
Si shi plumbi në shpirt më rigojnë

Dëgjomëni ç’ju them
Unë faqet e para të gazetave
Jo, nuk i lexoj kurrë më!

Gjersa njerëzit në bisha shndërruar
Shekullin e zjarrit s’do ta kenë shëruar

NJERIU KA NJË KOKË NJË JETË NJË DASHURI

Njeriu ka një kokë
Glob i gjallë për lule e predha
Ku drejtpeshohen hapësira e koha

Mos luani me kokën e tij!

Njeriu ka një jetë
Skenë e mirësive ndaj mëkateve
Pse lindin e vdesin çdo ditë

Mos luani me jetën e tij!

Njeriu ka një dashuri
Fjalë (vallë) e tepërt në histori
Nga ligjërojnë mëkatet e motivet

Mos luani kurrë me dashurinë e tij!

VETËM NËNA VETËM

(Letër Nënë Symbyles që s’do t’i arrijë kurrë)

Jam imunizuar i tëri kundër harresës
Gjurmët e kujtimit s’mund të m’i fshijë kurrë

“Atë ditë që shohim nënën të vdekur, fillon pleqëria”
Aforizmin e një mençuraku veç ma rikujtoi
Vesa e papandehur në globin tim të gjallë

Jeta më mësoi të kuptoj mijëra shikime
E shikimi Yt i mbramë enigmë më mbeti

Nënë

Vetëm në ndarjen memece fare s’kam besuar!

Ato ditë befas sytë e mi shteruan, më fal
Dhembja më ishte peshë më e rëndë se loti

E dije se shkrova vjersha e libra mbi mëkate
Në asnjë varg të lirë s’të zura ngoje dot
Jeta jote jeta ishte vargu më i bukur imi

Në bregun e fashës Ti më s’i ndien këto fjalë
As vajet që tërë jetës sime do të rigojnë

Por… kundër harresës jam imunizuar i tëri

Kurrë s’mund të m’i fshijë gjurmët e kujtimit

TËHUAJIMI

Mësyva për të satën herë këtë qytet
Pa ëndrralla e gjakime
Sall të shkëmbej ndonjë fjalë me miq
T’ia uroj ndokujt martesën
T’ia përgëzoj familjen ndoshta
Ngushëllime t’i shpreh ndokujt
Po shokët luftonin me brengat dëgjova
Miqtë ishin dalldisur në pontë e poker
Të tjerët me se merreshin as që pyeta
U kujtova: muajt ishin ndërruar në kalendar
Dhe vitet pritnin të shumëzohen ndër vete
Në bujtinë udhëtarësh të rastit ktheva
Duke darkuar me vetveten në qindra pjesë
Njëri plot domethënie më shikoi e shikoi
Si një ardhës që befas sjell fatkeqësi
Tjetri vërente ashtu plot dhembshuri
Se si vetëluftoja pa mëshirë në vetmi
Portierit i kërkova dhomë me një shtrat
Duke thënë: do punoj, pa treguar frikën
Në qytetin e lindjes në qytetin tim
Dyer që hapen oda që grishin s’kish

Atëherë në dhomën (më duket) numër 209
Ndjeva se sa i rëndë qenka tëhuajimi

MIQTË E MI MEMECË

Ja, ndodhen në dhomën time frymojnë
Të vegjël, të mëdhenj, të hollë, të trashë
Të bardhë, të zinj, të kuq, të verdhë
Dërdëllis me ta netëve si me vetminë
Nuk më hidhërojnë, nuk më kundërshtojnë
Më gjezdisin pa përtesë ndër kohëra e hapësira
Civilizime e rrënime, qytete e shtete më shpien
Dhe prapë më kthejnë këtu në dhomën time
Qëndrojnë heshtazi ndanë murit më vështrojnë
Pranë njëri-tjetrit në këmbë e gjithë huti
Në ballë shkronjat seç ua shndrisin emrat
Zemrat u janë të hapura për shpalim
Çdo gjë shoh e ndiej tek miqtë e mi
Duke udhëtuar në vete pa shpresuar për kthim
Ndonjëherë edhe grindem ashtu fëmijërisht
Në ndërrim motesh me ta të vdekur a të gjallë –
Pse nuk më përgjigjen po veç tok më dëgjojnë

Bah, as miqtë memecë s’janë ngushëllimtarë të mirë!

MIQTË DHE HIJET E TYRE

Në cilën stinë vallë të marrësh udhë
Çfarë rruge dredhore të ndjekësh
Ku të ndalesh për pushim e një pikë ujë
Cili bisht gjarpri të zvarritet deri në krye
Kur të nisesh me atë të verbëtin besim
Është mirë të ndalet ora në fillim të shtegut
Busullën gjithsesi ta harrosh me qëllim
Natën të ecësh si në lojën symbyllazi
Armën ta varësh në mur për kujtim
Fjalët t’i ruash deri në takim
Heshtjen ta bartësh si mëkatin deri në shpinë
Sytë të mos i ndërsesh si qentë e zgjidhur
Këmbët të mos i urdhërosh si ushtarë të gjorë
Duart t’i shtrish me shuplaka kthyer teposhtë
Kokën ta ngresh lart si krushku në dasmë
E në trastën e zbrazët krahaqafë të marrësh
Një libër të vogël për ta dëftuar kthimin

Se në vend të miqve të ardhshëm e të rinj
Ngjet të të presin vetëm hijet e tyre

HISTORIA E PIKËS SIME

S’pari unë s’isha veçse një pikë
Më pas u mërzita e u bëra presje
Aventura filloi brenda gjysmëharku
Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka
Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri
Harku ecte udhës së rrethit e u mbyll
Gjysmëshekulli isha një zero e madhe
Në fillim të këtij mileniumi të tretë
Druaj në mos do të kthehem sërish në një pikë

(Më 30.08.1993)

AS I MBYS TË DASHURIT E MI AS I NGJALL

Njeriu e koha shpalojnë misteret
Mistike mbetet vetëm vdekja mistike

Ç’të bëj me një jetë e njëmijë vdekje
S’mund t’ju ngjall nga mjegulla
Pas katërmijë e pesëqind vjetësh
Si Gilgameshi i lashtë e mitik
Mund të provoj e të gjej ndonjë barishte
Kundër pavdekësisë ose amshimit
Por druaj nëse në udhëkryqet e botës
Do të has papritmas ndonjë pasardhëse
Të nimfave sikundër ajo Sabita e urtë
Që të vërtetojë kotësinë e gjurmimit

Nuk dua t’i ngjall përsëri nuk dua
As t’i mbys nuk dua dot t’i mbys
Të dashurit e botës nga mjegulla

Misteret i shpalojnë njeriu e koha
Vetëm vdekja mbetet mistike vdekja

Vetëm vdekja nuk gënjen në botë
Ligjëron nga përvoja Sadek Hedajati

(26.09.1979)

POETIT TË AMSHIMIT
(Mikut Beqir Musliut)

Kurdo që rrinim unë e ti, donim dhe të heshtnim
Nëse fjalët humbnin kuptimet, heshtja ua kthente

Më 24 qershor se si më humbe krejt papandehurazi
Në mos je fshehur diku siç e kishe shprehi dikur
Dhe do të gjendemi befasisht nëpër muzikën e sferave

Unë s’e mohoj vdekjen veçse edhe ringjalljes i besoj
Më humbe enkas hapësirave mistike e shumëpërmasore
Por edhe përtej “Librit të anatemave” do të të kërkoj

Ti do të më shfaqesh si një surprizë në pa(n)kohësi
Që sërishmi ta vazhdojmë në duet atë farë heshturime

(Ulqin, 27 qershor, 1996)

KOMENTE