Poezi të zgjedhura nga shkrimtari Agim Gjakova

Poezi të zgjedhura nga shkrimtari Agim Gjakova

(Poezi të zgjedhura nga shkrimtari Agim Gjakova, krijimtaria e të cilit u vlerësua më 2 dhjetor 2017, në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”)

AGIM GJAKOVA

HIJA IME

(Koha e parë)

Patën një herë një gëzim të madh se ma zunë hijen,
unë po i shikoja në zgripc të kohës
lëmshit të shpirtit s’po m’ia gjenin fijen,

patën një herë një gëzim të madh
se ma shkelën hijen me këmbë
dhe me pesë hunj ma ngulën në dhé,
unë po fishkëlleja nëpër dhëmbë
dhe s’mundën të matnin
asnjë pëllëmbë të saj përbé,

patën një herë një gëzim të madh
se hijen me çarçaf ma mbuluan
veçanti, shenja, tallje, anekdota…
shkruan mbi të, shkruan e shkruan,
unë i këqyra fytyrat e tyre plot brenga
të gjitha shkrimet i kishte fshirë shqota,

e menduan pastaj si të ma zënë trupin
hije-tmerr me tërë mend u bëra atëherë!

MË THONË FJALË TË PA NGJYRË

Pareshtur bien flokët që i kisha si tel të fortë
e ruana Zot mos të na dalin mendtë prej kreje,
pa da më zbardhet mjekra e më kërcejnë kërcinjtë
e ruana qiell mos të na nxjerrin ndoj bidat tjetër feje,
pareshtur vijnë e më thonë fjalë të rrejshme pa ngjyrë
e ruana zjarr mos të bëhem një ditë me dy fytyra!

Hijen e ke shokun më të ngushtë
që nuk të shqitet deri në vdekje
prandaj mundohu t’i afrohesh
sa më afër diellit
të kësaj të vështire jete!

HIRI I SHTËPISË SË DJEGUR

(Portreti i veteranit)

Fytyra e tij është një arë
ku janë mbjellë farërat e historisë
në kokë i ka rënë hiri i shtëpisë së djegur
në faqe vuajtja vragët ia ka shkrehur,

fytyra e tij është një lëndinë
ku janë selitë lulet e trimërisë
vetullat e kërleshura baruti ia ka kallë
hapësirë e shpirtit i ndehet gjeregjatë në ballë,

fytyra e tij është një bjeshkë
ku janë brazduar istikamet e së ardhmes
sytë i shkreptijnë dy gaca të ndezura të mërisë
mbi ta qerpikët e ngritur shpata të hakmarrjes
qe hapën rrugë nëpër shekuj
ngjarjesh
që i bënë strehë fatit të Shqipërisë,

kjo fytyrë e bronztë ngërthen dhjetë romane
njëqind gazeta, një mijë diskutime
nuk mund të përfshihet tamam
në asnjë format fotografie
ngjyrat e saj janë malet, fushat,
madhësia, qielli
kujtim i shkruar me plumba, diçiturë lirie.

THESARI I EMRIT TËND NUK U GJET KURRË

Thesari i emrit tënd nuk u gjet kurrë
edhe pse stuhia shkretoi verën
edhe pse dimri erdhi pa borë

kur të buzëqeshin kaktuset
kur të qajnë lisat
do t’i jap ryshfet Perëndisë
me një email përshkënditës vetëtime

kurrë nuk qesh i lirë
edhe pse ende jam guximtar
dhe në thellësitë e mia
jehon zëri i një mijë ferreve

nuk dridhem nuk ëndërroj nuk tutem
zëri i gjykatësit nuk sjell frutat e parajsës
të më bëjë të shurdhër të më lërë pa përgjigje

diçka duhet të ekzistojë
që ngacmon vuajtjen
të mbizotërojë në pambarim.

NË PËRFYTYRIM TË MREKULLISË

Nuk e njoh e nuk dua t’ia dijë errësirës
as natën nuk e bëj ditë dhe as ditën
natë, nëpër vegime kalërojnë
buzëqeshjet e dikurshme që i lëshova kot dhe buzët
m’u thanë në pëshpëritje e në pritje
të thithnin pikat e shiut tek binte rrëshajë

as mirëdita as natën e mirë kambanave
që buçasin brenda kraharorit të zbuluar
askund fresk e koha e mbetur pezull
përçon ngjyrat e horizontit të përhumbur

shtrëngoj gotën dhe tund hapësirën
e pamatë që më gjarpëron përpara syve dhe
në përfytyrim të mrekullisë shtrihem
në kadifen e gjelbërimit të përjetshëm.

KOMENTE