Sinan SADIKU
( Selvete Abdullahu: BALADË E HUMBUR”, Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, dhjetor 2015 )
“Baladë e humbur” titullohet libri i dytë me poezi i poetes Selvete Abdullahu. Kjo autore librin e parë “Emërtimi i ditës së nesërme” e ka botuar në vitin 2003. Pra, edhe pse për 12 vite nuk ka botuar libër me poezi, Selveten nuk e ka braktis muza poetike. Vepra “Baladë e humbur” përfshinë 66 poezi të sistemuara në pesë cikle: “Jeton në zemrën time”, “Me strajcën e zbrazur”, “Përqafimi yt jam”, “Nga gjithë këto trazime” dhe “Për teket e valëve të rrëmbyeshme”. Sistemimi i poezive nëpër cikle më së shumti është bazuar në kriterin tematik. Në këtë libër autorja përmes vargjeve ka shpreh botën e vet, i ka shpreh ndjenjat, mendimet, përjetimet , dashurinë… Ka shfaq dëshira, ka bërë kërkesa, ka shtruar pyetje dhe ka përcjell mesazhe poetike.
Në ciklin e parë “Jeton në zemrën time” janë përfshirë lirikat atdhetare, gjegjësisht poezitë në të cilat shprehet dashuria ndaj atdheut. Ky cikël dhe libri si tërësi hapet me poezinë “Pritje kam rezervuar për ty” , një vjershë kjo e dalë nga gëzimi që ka përjetuar autorja me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Poezia mbyllet me vargjet:
Pavarësi
Në derën e mbyllur përgjysmë
Pritje kam rezervuar për ty
( “Pritje kam rezervuar për ty”)
Pastaj i këndohet flamurit kuqezi, Kosovës, Shqipërisë, dëshmores Antigona Fazliu dhe heronjve: Agim Ramadani e Feriz Guri. Poezi me elemente të këtij motivi gjenden edhe në ciklet tjera, siç është rasti me poezinë “Kënga” të ciklit të fundit.
Në ciklin e dytë “Me strajcën e zbrazur” janë rendit lirikat sociale. Autorja e kujton kohën e varfërisë kur jetonim me strajcën e zbrazur dhe ëndërronim mbushjen e saj. Pastaj ajo ua qanë hallin dhe bashkëndjen me vuajtjet e lypësit të të sëmurit, të atij që nuk ka bukë…
“Përqafimi yt jam” është titulluar cikli i tretë në të cilin janë sistemuar lirikat e dashurisë. Dashuria, kjo ndjenjë sublime gjithnjë e ka vënë në lëvizje imagjinatën krijuese të artistëve, të poetëve, sepse e bukura dhe dashuria janë të lidhura, të pandashme. Edhe autorja e veprës “Baladë e humbur” në 18 poezitë e këtij cikli ka shpalos ndjenjat e saja erotike, përjetimet, dëshirat, kërkesat, pritjet e gjata, përqafimet… Poezitë i karakterizon maturia në shprehjen e ndjenjave dhe herë-herë një dozë e lehtë meditative.
“Nga gjithë këto trazime” titullohet cikli i katërt, në të cilin janë përfshirë poezitë, shkrimi i të cilave është motivuar nga trazimet dhe shqetësimet e përditshmërisë. Përditshmëria përveç shqetësimeve shpesh ka nxit edhe përsiatje për tema të tilla si lindja, vdekja, shpresa etj. Andaj i hasim vargjet:
Lindja e vdekja
Jetë dhe tokë
Përherë rruzullin ngacmojnë
( “Rrugëtim”, fq. 50)
Nganjëherë e hasim edhe protestën, siç është rasti te vargjet:
Një ditë pa britma dua
Nga banorët e zhurmshëm
Lagja ime e dëshiruar
(“Një ditë pa britma dua”, fq.55).
Cikli i fundit “ Për teket e valëve të rrëmbyeshme”, me 22 poezi, është më i gjati. Në aspektin tematik është heterogjen, ndërsa në aspektin artistik është më i realizuari. Ndjenja e pakënaqësisë, e protestës, një qëndrim kritik ndaj realitetit që hasen edhe te ciklet e tjera, këtu janë më të pranishme.
Libri “Baladë e humbur” është një vepër e shkruar me përkushtim, një vepër me poezi të shkurtra, eliptike, që kanë pak vargje, por që në aspektin semantik janë të pasura, rrezatojnë shumësi kuptimesh. Fjalët, figurat janë të zgjedhura me kujdes. Nuk ka fjalë të tepërta, parazite që e dëmtojnë poezinë. Është një libër i finalizuar. Sa i përket nivelit artistik kam përshtypjen se ai shkon duke u ngritur prej ciklit të parë deri te i fundit, ashtu që dy ciklet e fundit janë më të realizuarat.
Poezitë: “Çast”, “Baladë e humbur”, “Gri”, “Grish e trish”, “Kryengritje”, “Pesha e vetmisë”, “Në parakalim”, “Ylli polar”, “Ç`ti bëj kësaj errësire” dhe “Pallati i poezisë” do të dëshironin ti kishin shkruar edhe disa poetë të afirmuar dhe me përvojë.
Selveten e uroj për librin, i dëshiroj shëndet dhe kuptohet shumë suksese në krijimtarinë poetike!