DYLON

Poezi për fëmijë vlerash të larta poetike

Poezi për fëmijë vlerash të larta poetike
Redaksia

Nga: ANTON NIKË BERISHA

“[…] zgjerimi i mundshëm i vetvetes mbetet edhe më tej një nga të mirat e mundshme më të çmueshme që mund të japin librat. Përsëri me fjalët e C. S. Lewis: ‘Në leximin e letërsisë së madhe unë shndërrohem në mijëra njerëz, megjithëse duke mbetur po ai. Unë shoh me një shumësi sysh, por jam gjithmonë unë që shoh […] Unë e ndërroj vetveten dhe asnjëherë nuk jam i njëjti si në çastin paraprak’ ”.
NICHOLAS TUCKER

EkoHigjiena

Qenësia e poezisë për fëmijë dhe bota e tyre e pasur

Mendimi i vënë në krye të kësaj parathënie e dëshmon në mënyrë të mirëfilltë rëndësinë e veprës letrare dhe leximin e saj. Në qoftë se këtë mendim e ndërlidhim sidomos me veprën letrare për fëmijë, atëherë qenësia dhe leximi i saj bëhen shumëfish më të mëdha. Kjo rrjedh nga fakti se formimi i fëmijës përmes veprave letrare poetike nuk heq peshë vetëm për të tanishmen, po edhe për të ardhmen e tij, kur ai bëhet i rritur. Për këtë arsye veprat letrare për fëmijë si të tilla kanë një rëndësi të shumëfishtë për jetën e njeriut e për përparimin e tij mendor e shpirtëror. Studiuesi i shquar, Hazard shprehet kështu: “Letërsia për fëmijë mund të mos përfillet me kusht që të mos përfillet as bota, në të cilën një shpirt nacional formohet dhe ruhet ”.

Pikërisht për këtë gjë them me bindje se një popull që ka pasur apo ka një letërsi të madhe për fëmijë, ka pasur dhe ka një letërsi të madhe për të rritur. Ngjet kështu për shkak se ndërtimi dhe ngritja e shpirtit artistik të një qenie njerëzore kërkon mund të madh dhe shumë kohë: fillon qysh në moshën e re e vazhdon gjatë gjithë jetës. Poeti ynë, Jeronim De Rada, duke folur për poezinë dhe të bukurën që duhet ta cilësojë atë, thoshte: “[…] Edukimi i shpirtit me të bukurën është një punë e lodhshme dhe e gjatë sa edhe vetë jeta” dhe se poezia “[…] qëndron mbi artet e tjera reprezentative ”.

Pra, shkrimtarët e mirë, përmes leximit të veprave poetike të krijuara më parë, po edhe ato në kohën e tyre, formohen duke filluar nga fëmijëria dhe pasurohen në rrjedhë të viteve. Nëse një shkrimtar nuk e ushqen vijimisht mendjen dhe shpirtin e vet me vlera letrare poetike, atëherë frytet e punës së tij do të jenë të përvuajtura. Një letërsi, pra dhe letërsia për fëmijë, që vendnumëron dhe nuk pasurohet, është shenjë e fillimit të zhbërjes. Nëse ndodh kjo, do të ketë pasoja të rënda jo vetëm në rrafshin e mbëltimit (kultivimit) të së bukurës e të fisnikërimit shpirtëror, po dhe në lëmin e diturisë, të mirësisë dhe të njerëzores. Veprat e mira letrare poetike (kur lexohen) u hapin marrësve të tyre dritare dhe shtigje të shumta, për të mos thënë të pafund; përmes tyre do ta njohin vetveten, do t’i njohin më thellësisht dukuritë dhe natyrën e tyre; do të aftësohen t’i përballojnë vështirësitë e jetës më lehtë dhe sa me më pak pasoja. Për këtë arsye është thënë me të drejtë se poezia është më mendore dhe më e vlefshme se historia (nënvizimi im), sepse poeti e shqipton atë që është e përgjithshme, e mundshme, ndërsa historiani atë që është e veçantë .

Tashmë është e njohur se vepra letrare poetike është fryt i botës subjektive dhe i imagjinatës së shkrimtarit dhe ajo përmes tekstit e shpreh thellësisht këtë botë, po njëherit, përmes artit të fjalës e përfton një botë që mundëson njohjen e botës konkrete dhe të së vërtetës subjektive të njeriut, që janë dukuri të ndërliqshme (komplekse) dhe të përshkuara me një varg fshehtësish.

Dy janë, ndër të tjera, kushtet të cilat duhet të plotësohen që një vepër poetike të përligjë qenësinë dhe gjallimin e saj: ai që shkruan duhet të përdorë një gjuhë poetike sa më të pasur e të veçantë, të ketë diçka me vlerë të rrëfejë, para së gjithash, të rrëfejë bukur, dhe një që e dëgjon ose e lexon, po që ka dhe aftësinë të komunikojë me atë tekst.

Veprat letrare poetikisht të ngritura, qoftë ato origjinale, qoftë të përkthyera, ndikojnë dhe në ndërtimin e botëkuptimit, në plotësimin e virtyteve, sidomos në domosdonë e veprimit në jetën e përditshme, pa marrë parasysh kushtet dhe rrethanat që herë – herë krijohen; ato ua mbëltojnë ndjesinë e fisnikërisë, të shoqërizimit e të nderimit të tjetrit. Pra, letërsia në përgjithësi e brenda saj dhe letërsia për fëmijë e pasur dhe artistikisht e ngritur, nëpërmjet mënyrave të ndryshme, sidomos përmes shqiptimit të lojës dhe të argëtimit, e formon shpirtin artistik dhe frymën krijuese te marrësi i saj, çështje që do të jenë të rëndësishme edhe për veprime dhe vendimmarrje në jetën konkrete, të pikërishme ose të më vonshme. Xhusepe Fançulli (Giuseppe Fanciulli) e përcakton letërsinë për fëmijë si një mjet (mënyrë) për formimin e njeriut qysh në fillim të jetës së tij: “Letërsia për të rinj […] është një instrument i formimit njerëzor; është pasqyrë dhe shprehje e një fëmijërie e caktuar të formojë shoqërinë e së nesërmes. E para së gjithash një mjet i sigurt për arritjen e mirëkuptimit e të paqësimit midis popujve ”.

Veprat letrare për fëmijë bëhen të rëndësishme për shkak se në to dukuritë shqiptohen përmes gjuhës poetike, figurshmërisë, simbolikës dhe metaforikes, që janë përbërësit kryesorë që mundësojnë përftimin e tekstit dhe shumësinë kuptimore që del prej tij dhe komunikim përkatës. Përmes mesazheve që dalin nga teksti, vepra letrare bën ndikimin estetik te marrësi, lexuesi ose dëgjuesi, që është një nga qëllimet kryesore të çdo krijese letrare, e cila, siç pohon studiuesi i shquar, Zdenko Shkreb , duhet të lexohen e të receptohen si vepër poetike e jo si fakt historik.

Letërsinë për fëmijë e bëjnë letërsi të magjisë dhe të mrekullisë gjuha që përdoret, mënyrat e konceptimit, e shtjellimit dhe e të shprehurit; loja si formë argëtimi që (shpesh) gërshetohet me një humor të natyrshëm e me funksion. Këta përbërës zgjojnë tek fëmijët kureshtjen, kënaqësinë, fisnikërimin dhe pasurimin shpirtëror. Aldo Çibaldi (Cibaldi) thekson: “Në fjalën poetike rrjedh një jetë e imazheve (tablove) krijuese që e shndërrojnë dhe e dinamizojnë botën; arti është një lëvizje dhe një dinamikë edhe kur duket qetësisht i përmbajtur ”.

Nëse i qasemi dhe e vështrojmë në këtë mënyrë letërsinë për fëmijë, mund të thuhet se populli që nuk i kushton kujdesin e duhur krijimit dhe pasurimit të saj, vështirë se mund të ketë gjallim dhe përparim të mirëfilltë në fushën e artit të fjalës, po edhe në fushat e tjera të jetës. Fëmijët e sotëm bëhen të rriturit, ata që do ta udhëheqin më vonë shoqërinë, siç do të ndodhë dhe me fëmijët e tyre dhe me fëmijët e fëmijëve të tyre. Një rrjedhë e pandalë.

Shumë vepra për fëmijë që përjetuan një përhapje të gjerë dhe një komunikim të madh si dhe bënë një ndikim të ndjeshëm estetik në marrësin nuk u lexuan vetëm nga fëmijët e të rinjtë, po dhe nga të rriturit. Kjo përhapje dhe ndikimi i tillë i veprave për fëmijë në rrjedhë të kohëve (edhe pse kjo nuk e përcakton qenësinë e tyre si shtjellime tekstore, si mesazhe konkrete poetike) na bën të quajmë letërsinë për fëmijë letërsi e magjisë dhe letërsi e mrekullisë (nocione të Luixhi Santuçit) . Pikërisht për këto cilësi të kësaj letërsie Hazardi thotë: “[…] librat që nuk i përgjigjen unit të tyre (të fëmijëve – v. ime), që nuk i godasin sytë e tyre në mes të figurës, dhe shpirtrat e tyre me gjallërinë e formës, librat që u mësojnë atyre vetëm atë që mund të mësohet në shkollë, librat që i bëjnë të flenë e jo të ëndërrojnë, nuk i pranojnë (i hedhin) ”.

Vepra letrare e mirëfilltë për fëmijë, natyrisht, i shpreh dhe i përligj në mënyrë përkatëse veçantitë e botës së fëmijëve, e cila është sa e mëvetësishme, aq edhe e ndërliqshme. Tek fëmija ngjizën dhe dëshmohen çështje të rëndësishme, që pastaj bëhen burimi i jetës së njeriut si qenie: “Më pak skeptik, më pak të dëshpëruar se sa ne, fëmijët gjejnë, në kontakt me këto faqe (të librit të D. De Feo, Robinson Kruso – v. ime), forcën dhe këndelljen e instinkteve primitive të racës sonë. Kujtimet e kohëve, në të cilat paraardhësit tanë më të largët nuk bënin gjë tjetër pos bridhnin mbi dhe? Zëra të përtejmë që grishin për të dalë nga ujdhesa jonë dhe që tërheqin drejt mbretërisë që sytë tanë nuk mund ta shohin kurrë ”.

Shqiptim poetik i botës së pasur e të veçantë të fëmijëve

Gjithë ajo që thashë më lart dëshmohet thellësisht në poezinë për fëmijë të Ymer Elshanit. Ajo mbruhet nga arti i pasur që i jep asaj përmasën e gjithëkohësisë dhe se çështjet që shqiptohen nëpërmjet tekstit poetik janë të lidhura ngushtë me botën e tyre, me gëzimet dhe me shqetësimet; ato janë veçanti të jetës së tyre të sotme, po do të jenë të tilla ose të ngjashme edhe në të ardhmen.

Cilësinë e poezisë për fëmijë të Ymer Elshanit e dëshmon teksti i përftuar me përkushtim, sidomos të shprehurit poetik, që i jep tekstit mëvetësinë dhe pafundësinë kuptimore. Së këndejmi, sa më shumë dhe sa më me përkushtim dhe shkathtësi (mjeshtëri) përdoret të shprehurit poetik, aq më shumë lartësohet vlera e veprës letrare dhe shtohet mundësia e komunikimi dhe e ndikimit të saj estetik, po dhe mbijetimi nëpër kohë.

Poezia për fëmijë e këtij autori nuk cilësohet me kufi të prerë përballë poezisë për të rritur; qëllimi kryesor i Ymer Elshanit është përftimi i natyrshëm dhe sa më poetik i tekstit, i shprehjes dhe i vargut, i strofës dhe i poezisë si tërësi artistike; të ketë sa më shumë art ajo që e përfton. Anatole France thoshte ndër të tjera: “Nëse shkruani për fëmijë mos e bëni në mënyrë të veçantë; mendoni mirë, shkruani mirë: kjo është fshehtësia e vetme që t’u pëlqejë lexuesve të vegjël ”. Pra, siç e pohon edhe L. Volpicelli, letërsia për fëmijë do të “[…] fusë të riun sa më shpejt që është e mundur në art, në kulturën e të rriturve, ajo do t’i zgjidhte më së miri detyrat e veta. Dhe do të kishte më të qartë konceptin e funksionit të vet që do t’ishte të shmangte (eliminonte) sa më parë që është e mundur veten e saj, domethënë nevojën e një letërsie të të rinjve për të rinjtë ”.

Poezia për fëmijë e Ymer Elshanit me artin e saj e pasuron shpirtërisht fëmijën (marrësin e saj); ia nxit dëshirën dhe synimin për të jetuar, ia shton guximin dhe përpjekjet për t’u ballafaquar me vështirësitë e jetës dhe njëherit e shumëfishon harenë (optimizmin) dhe dashurinë midis njerëzve dhe për njerëzit, po dhe për vendlindjen e për atdheun. Në mënyrë të veçantë Elshani dëshmon një nderim dhe dashuri të thellë për mëmëdheun, i cili është prehja dhe frymëmarrja e tij mendore e shpirtërore, siç provohet edhe në ciklin “Fyelli arbëror”.

Ymer Elshani u qaset dhe i vështron dukuritë në mënyra e këndvështrime të ndryshme, përkatësisht i ndriçon ato sidomos nga brenda, aty ku gjallojnë fshehtësitë, ku mundësitë për të përligjur imagjinatën krijuese janë të shumta po dhe zgjojnë kureshtjen dhe interesimin më të madh. Ai shpesh e përfton tekstin në formë të pyetjeve, çka nënkupton se nuk synon t’i kufizojë kuptimet dhe mundësitë e tekstit sipas botëkuptimit të tij dhe t’i ngushtojë ato, po u jep një përmasë sa të gjerë aq dhe të thellë; i lë vend dhe hapësirë imagjinatës së fëmijës të depërtojnë sa më shumë në fshehtësitë e jetës e të dukurive. Kështu, secili lexues (marrës) do të japë përgjigjen ose përgjigjet e veta përkatëse. Po sjell disa vargje të mënyrës si përmbushet ky shqiptim në tekstin poetik të Elshanit: Ç’ndodh kur diellin e zë gjumi?; Ç’pëshpëritin valët në det?; A lodhet ndonjëherë era / N’udhëtim të pafund?; Ku pushon peshku i artë?; Mos jeni Vazhëza / T’kthyera n’pulëbardha?

Dukuritë dhe ndodhitë konkrete, gjendjet e parëndomta ose të përfytyruara, autori i shqipton në atë mënyrë që përmes rrëfimit bëhen të zakonshme në perceptimin e fëmijës, dalin sikur ato kanë ndodhur ose mund të ndodhin në jetën e përditshme. Shpesh ato i rrëfen në ballafaqim e në kundërvënie me njëra – tjetrën, gjë që mundëson shqiptimin më të ndërliqshëm dhe teksti i natyrës së tillë përfillet dhe bën ndikim më të madh; ajo që ngjet në tekst, bartet te marrësi dhe ai, dashur e padashur, do të ballafaqohet me veten e me botën e vet; do të kërkojë rrugë e mënyra për t’u njësuar me gjendjet e tilla, për të dalë nga ato ose për t’iu kundërvënë atyre. Duke folur për natyrën e poezisë Ray Brandbury thotë: “Poezia i mpreh shqisat dhe i mban në gjendje të shkëlqyer […]”.

Poeti Elshani nuk e kufizon shprehjen e vet, por i lë përparësinë shumësisë së mesazheve që duhet të dalin nga struktura gjuhësore e përftuar; ai i beson fuqisë së fjalës dhe mundësisë së pafund të ndikimit të saj, prandaj zgjedhjes dhe përdorimit të saj i kushton kujdes të përhershëm.

Në poezinë e tij për fëmijë mendimi është po aq i rëndësishëm sa dhe vetë mënyra e përftimit të të shprehurit poetik të tekstit. Natyrisht, edhe në këto raste të shprehurit poetik e përcakton vlerën e krijesës letrare.

I lumtur është ai që s’lakmon
T’ia marrë tjetrit as edhe një flutur.
(Peshku më tha)

Ura më e fortë – e lartë der’ mbi re –
Është ylber’ i ngritur prej zemre në zemër.
(Ura më e fortë është ylberi i zemrave)

Duhet derdhur djersë – duhet dhe shumë mund
Që jeta t’i ngjajë një kënge të lumtur, t’pafund,
(Ajo është këngë e jetës)

Se në botë do të jetë
I lumtur, i gëzuar
Vetëm ai që ecën drejt cakut t’ëndërruar.
(Udhëtimet)

N’se unë jam shqiponjë, ushtarë të mi,
Ju jeni krahët që m’jepni fuqi!”
Pirroja tha
Dielli n’sy iu pa.
(Shqiponja me krahë të hekurt)

I pasur është ai që këndon
Për tokën e tij të dashur.
(Peshku më tha)

Vargonjtë s’e mbajnë,
Diellit –
I ngjan.
Të hidhet në det,
Detin –
Noton!
(E vërteta)

Të shprehurit e mirëfilltë modern poetik

Një nga përbërësit e qenësishëm të poezisë për fëmijë të Ymer Elshani është qasja e mëvetësishme e dukurive të botës së jashtme dhe të botës së brendshme të fëmijës dhe moderniteti i të shprehurit poetik. Poeti gjakon të jetë sa më burimor dhe i veçantë në shqiptimin e jetës ose të shpirtit të fëmijës; ai është i dashuruar në krijimin e letërsisë, të poezisë, prandaj ka dhe guximin që t’u qaset dhe t’i shprehë çështjet e natyrës së tillë, sa tërheqëse, aq dhe të ndërlikuara dhe enigmatike. Në këtë rrjedhë gjakon t’i vëzhgojë ato tema që nga një anë zgjojnë kureshtjen e fëmijës, që i sjellin diçka të rëndësishme e të dobishme, ndërsa nga ana tjetër, mundësojnë që të përdorët imagjinata dhe shprehja poetike e veçantë dhe e pasur; shprehet ajo që është e pazakonshme, po që në tekstin poetik, dëshmohet si e mundshme dhe e zakonshme. Bota, që zgjedhet për t’u bërë objekt i vështrimit poetik, zgjon kureshtjen më të madhe te fëmijët, po dhe tek të rriturit. Të fshehtat e dukurive dhe dukuritë e pazakonshme, nuk zgjojnë vetëm interesimin më të madh, po dhe nxitin imagjinatën krijuese te marrësit.

Po sjell, për fillim, disa vargje që e përligjin mirëfilli të shprehurit poetik modern: Era që lodron, e rrëfen përrallën për korbin, Mbrëmja e nget kalin e zi, Thasë me terr (mbrëmja) i derdh kudo, Diellin sheh n’djalin e vet, T’i përfshijë flaka dhe retë, N’dritaret e hapura përgjumet drita, Shkulmat e erës janë ujëvarë buzëqeshjesh, N’degë të pemës buzëqesh hëna, Hëna qesh në sytë e fëmijës, Kur përkundin erërat, Mbi një re kam shëtitur, Çelës i artë është – mirësia.

Të shprehurit modern dëshmohet edhe në pjesë e në poezi të tëra. Të parëndomtën Ymer Elshanit e zbulon dhe e shpreh brenda dukurive të rëndomta, konkrete të natyrës e të veprimeve jetësore të fëmijës dhe kjo botë e shqiptuar bëhet më tërheqëse, më nxitëse dhe ndikon më fuqishëm, që dëshmojnë mirëfilli dhe këta shembuj.

Shelgu është princ i përrallës […]
E kreh flokun n’syprinë t’valës
(Shelgu është princ i përrallës)

Yjet janë si qengja t’urtë, t’mirë
Fëmijëve u falin ëndrra n’gjumë […]
Kur pasqyrohen n’liqen o lumë.
Yjet janë si gaca, si shkëndija
Si copëza diamanti, si xhevahire…
(Si janë yjet)

– Shkabë, o Shkabë e uruar,
Që n’mal rron e gëzuar,
Që mbulojë i ke retë
Që ecin kupës shpejt,
Që vëlla e ke diellin
Që me krahë e prek qiellin
Që rron me vetëtima,
Që s’të tremb bubullima,
Që botës fluturon
Nga lind dhe perëndon
A ke vallë mundësi
Të më çosh në largësi!
Tej shtatëdhjetë e shtatë malesh
Me dëborë mbuluar,
Tej tre deteve
Me ujë të kulluar
Në Kroin Shërues
Pak ujë të marr
E kam nënën të sëmurë…
(Shkaba dhe tre vëllezërit)

Krehër kanë puhinë
Që vjen nga shpati
Nga rrezet bëjnë
Kordhe dukati
(Shelgjet)
Kënga si art dhe si jetë

Ymer Elshani është i lidhur me fjalën poetike; ajo është kënga e tij, është kënga që i jehon brenda shpirtit, po jehon edhe në natyrë; poezitë (këngët) për të janë “[…] dritare të hapura të buzëqeshjeve”, janë “Kënga e zogut (që) i rrit lulet” dhe “Kënga (që) lind në syth të lules”. Poeti e ndjen fuqinë dhe madhështinë e fjalës, po edhe di ta përftojë e ta ngjizë brenda vargut dhe brenda poezisë si tërësi; ta shprehë në forma të ndryshme, ndonjëherë edhe përmes një loje. Shkrimtari rus, Tolstoj thoshte se nëse s’ka lojë, atëherë çka na mbetet tjetër . Pra, loja edhe në jetë, edhe e shprehur dhe e dëshmuar përmes fjalëve, shprehjeve, vargjeve, poezisë, ka një rëndësi të shumëfishtë për arsye se është pjesë e pandashme e jetës dhe e veprimit të fëmijëve, po dhe e të rriturve. Kur shkrimtari ia del të fusë e ta shprehë atë me mjeshtëri në veprën e vet, atëherë ka përmbushur një nga përbërësit e qenësishëm të veprës së tij. Shkrimtari gjerman, Shilleri, thoshte: “Njeriu është i vetvetes vetëm atëherë kur luan, dhe luan vetëm atëherë kur është i vetvetes ”.
Loja ka një rëndësi të tillë nga fakti se përmes saj bëhet në mënyrën më të natyrshme njohja e botës dhe e dukurive dhe formohet më së miri fëmija dhe përligjet bota e tij e pasur, e padjallëzi, po gjithnjë tërheqëse dhe e mrekullueshme. Kjo ngjet edhe me kaprollin me brirë si shpatë:

I bukur dukej atëbotë në atë lartësi
Mbi brirë i varej dielli i zjarrtë
Dhe si në lojë me rrezet e bardha të tij
I bënte kaprollit një kurorë të artë!
(Kaprolli që i kishte brirët si shpatë)

Në ç’mënyrë e ndjen Ymer Elshani poezinë dëshmohet thellësisht nga krijimi me titull “Fjala”. Pra, fjala (lexo: fjala poetike) bën një qenësi të jetës dhe të veprimit të fëmijës; është pjesë e frymëmarrjes dhe e mbijetimit shpirtëror; atë e cilëson ngrohtësia e diellit, kaltërsia e qiellit dhe si e tillë të shpjerë kah shtigjet e ndritshme.

Më e ngrohtë është se dielli
Më e kaltër është se qielli
Më e ndritur se hëna e plotë
Shpresë – në errësirën më të madhe
Ngushëllim – në çastin më të vështirë
Udhërrëfyese – kah shtegu më i ndritshëm.
(Fjala)

Fjala – kënga e nxit dashurinë, fisnikërinë; i jep hov dhe e shumëfishon gëzimin, edhe atëherë kur jeta rëndon me peshën dhe me të papriturat e saj; është degëzim i lumturisë, harkim i ylberit, krijon dritë në errësirë dhe shkretëtirën e shndërron në kopsht të bukur.

Harkon ylberin
N’sytë e heshtur.
Dritë krijon
Në errësirë
Kopsht të bukur
N’shkretëtirë […]
Pikëllimin
E lë pa flatra […]
Tufanit
I ndal tërbimin.
(Fjala e mirë)

Përmes poezisë autori e përligj zemërgjerësinë, mirësinë dhe butësinë e tij, që barten tek fëmijët përmes kumteve që dalin nga teksti. Nga poezia, fjala e zgjedhur dhe e vënë në marrëdhënie të veçantë me fjalët e tjera, ndërtohet realiteti poetik, që është në gjendje të bëjë mrekulli në shpirtin e njeriut në përgjithësi, sidomos të fëmijës:

Çelës i artë është – fjalë e ëmbël,
Çelës të tillë mund të kemi
Unë e ti,
Të gjithë sa jemi;
Fjala e ëmbël bën mrekulli –
I hap zemrat si me magji!…
(Çelës i artë)

Me anë të poezisë autori e shpreh gëzimin e jetës, harenë që e përshkon shpirtin e fëmijës dhe rëndësinë e këtij veprimi. Kjo ngjet sidomos kur fëmijët afrohen me njëri – tjetrin, kur së bashku i përjetojnë dhe i pasurojnë gëzimet e jetës, i njëson synimet dhe ëndrrat e tyre.

Dita shndërrohet
Në guacë gëzimi
Që i mbush zemrat
Me lumturi.
Si?
Kur fëmija luan
Me fëmijën tjetër
E drunjtë i shalojnë
Si atllarë n’largësi…
(Dita shndërrohet në guacë gëzimi)

Sipas poetit tonë gëzimi dhe lumturia në jetë mbërrihen kur secili e rrit në zemrën e tij një pëllumb të bardhë e të lirë. Kjo kushtëzon shmangien e të keqes; në vend të përplasjeve dhe luftërave, njerëzit do të jetojnë në harmoni e mirëkuptim.

Sikur secili
Nga ne
Në k’të botë
Të rritte
Në brendësi të zemrës
Nga një pëllumb të bardhë, të lirë;
Atëherë:
Edhe paqja do të jetë
E përjetshme, e fortë –
E luftërat do t’fundosen në humbëtirë!…
(Sikur secili nga ne në k’të botë)

Autori ynë është i vetëdijshëm se poezia është fryt i shpirtit dhe i mendjes së tij; jehonë e vetëdijes dhe të nënvetëdijes dhe se përmes saj krijuesi i kthehet vetes dhe fatit të tij, që njëherit nënkupton edhe fatin e tjetrit.

Njësimi i botëve përmes rrëfimit poetik

Ymer Elshani bën, siç thashë dhe më parë, objekt vështrimi poetik një shumësi dukurish të jetës së përditshme, po vështron edhe çështje të përfytyrimit e të ëndrrës, të synimeve e të dëshirave, të llastimeve e të çapkënërisë së fëmijëve.

Këto botë që funksionojnë ndryshe dhe të veçuara në rrafshin e jetës konkrete, në tekstin e tij poetik ato njësohen dhe bëjnë një botë sa të veçantë aq dhe të pandarë. Realiteti artistik që përftohet nga një njësim i këtillë jo vetëm se është më i pasur se realiteti konkret, po si i tillë edhe bën ndikim më të madh në marrësin.

Njësimi i botëve të ndryshme dhe në qenësi të papajtueshme në realitetin konkret, bëhet në tekst i natyrshëm dhe fëmija gjatë leximit nuk vëren ku fillon njëri (realitet) dhe ku mbaron tjetri. Për të ajo është një botë e njëjtësuar dhe si e tillë i zgjon kureshtjen dhe e bën për vete; gjërat konkrete marrin tipare të gjalla, bëhen të shpirtëzuara, ndërsa ato përfytyruese marrin cilësi të gjërave që i ndeshim në jetën e përditshme.

Po sjell disa shembuj i bindur se ata më mirë se çdo shkrim diskursiv dëshmojnë qenësinë e tyre, që njëherit janë pamje poetike të rralla dhe me vlera të mëdha poetike.

A s’më thoni,
O pulëbardha,
Ju ëndrra t’liqenit,
Ju flatërbardha
Që kurorë keni
Diellin mbi kry’,
Kaltërinë e qiellit
T’pasqyruar n’sy
E si re t’vogla
Andej fluturoni,
N’thellësitë e kaltra
Ju çfarë kërkoni?
Mos keni humbur
Diç n’ato valë?
Dukeni t’menduara,
Vështroni me mall!
Mos jeni Vashëza
T’kthyera n’pulëbardha?
N’vend t’fustaneve
Mbani pendë t’bardha!
(Legjenda për liqenin kaltrosh)

Mbrëmja nget kalin e zi,
Thasët me terr i derdh kudo,
N’bjeshkë të largët – në malësi
Hëna pyet; “Ç’është kjo?”
Një djalosh nuk do të flejë
E pyet babin rend e rend
Të kaluarën t’i rrëfejë
Për këto male, për këtë vend…
(Legjenda për gurin e kuq)

Kjo mënyrë e qasjes dhe e shqiptimit poetik përligjet mirëfilli në poezinë kushtuar shkollës, kësaj foleje të diturisë, të afrimit e të njohjes së fëmijëve mes tyre; është një vrojtim sa i mëvetësishëm aq dhe poetikisht i ngritur:

Është anije magjike
Velbardhë –
Fëmijët në të – detarë,
Herë në shtigjet e stuhishme
Të së kaluarës, historisë,
Herë në lartësitë e paarritshme
Të Galaksisë
Detarët e vegjël
I dërgon;
Fshehtësitë
E deteve, oqeaneve
Të ujdhesave, vullkaneve…
Të Arktikut,
Antarktikut,
Të natës, të ditës
Atyre
Ua zbulon!…
(Shkolla)

Pamje të madhërishme poetike

Cilësi tjetër e poezisë së Ymer Elshanit janë pamjet poetikisht të pasura, që dëshmojnë sa përkushtimin e tij krijues, aq edhe artin e madh të tekstit që e harton. Po i sjell, si konkretizim, disa shembuj të veçantë.

Nana ja l’mon flokët e arta –
Era e lehtë përvidhet n’pyje
Dy sy t’voglës – si dy yje,
Mbyllen me qepalla t’mëndafshta.
(Muzgu)

Re e vogël, re e bardhë –
Herë si dele, herë pulëbardhë
Qiellit t’kaltër ti udhëton
Për ku shkon?
Mbi liqenin e dallgëzuar,
Ku pushon peshku i artë?
Mbi malin e harruar –
Ku rritet lisi i gjatë?
(Kënga për renë e vogël)

Edhe era, gëzohet për tri bijat e saj, të cilat kanë një bukuri të pazakonshëm; në buzët e tyre ato kanë purpur mëngjesi, ndërsa në sy shkëlqimin e yjeve.

Mbanin fustane
T’praruar me rreze
Nga kupë e lartë
Dielli u buzëqeshte
Të bukura vajzushat
Na qenë njëmend
Shoqe nuk kishin
Jo, në atë vend
Në buzët e tyre
Kuqlimë trëndafili,
Purpur mëngjesi
Dhe aromë prilli.
Në sytë e tyre:
E qiellit kaltri,
Shkëlqim i yjeve
Të çmuarve inxhi!
Në vetullat e gjata
Harkuar si ylbere
Mjellmat flatrat
Thua i kishin lënë!
(Nëna e erërave)

Po ashtu, këngën për nënën dhe buzëqeshjen e saj i cilëson bukuri e jashtëzakonshme, po dhe një shtjellim dhe shprehje mjeshtërore e tekstit.

As purpuri i diellit
N’agun pranveror;
As shkëlqimi i vesës
Mbi të lules kurorë;
As bardhësi e shkumës
Në krifë të ujëvarës;
As gazi i lulëkuqes
Q’lartësohet mes arës;
As vezullimi i yjeve
Kur gjenden pranë hënës
Nuk e kanë, jo,
Bukurinë që ka
Buzëqeshja e nënës!
(Këngë për nënën)

Shembujt në vijim, secili në mënyrën e vet të veçantë, gjithashtu e përligjin madhështinë e të shprehurit poetik dhe të mundësisë së ndikimit estetik në atë që e lexon dhe njësohet me të:

Posi dele ngjyrë-bardhoshe
Që kullot n’luadh të verës,
Nxiton qiellit reja e vogël
Hipur mbi karrocë të erës.
Në ç’vend shkon,
Për ku nxiton?
Në lum’ bretkat e kanë ftuar
Që t’ua lajë frakët e blertë,
Pasi sonte kanë vendosur –
Për të shfaqur një koncert.
(Ku shkojnë)

Jetonin dy motra
Si dy trëndafila […]
Dhe ishin të lumtura
Si dy drenusha
Kur luajnë, kërcej
Në korie e fusha
Në zemrat e tyre –
Lulet e pranverës;
Në fjalët e tyre –
Butësia e erës;
Maestralin krehër
Për flokët e gjatë
Nga një ylber t’shiut
Kordele të artë.
(Kulla e qelqtë)

Rronte moti
Në këtë anë
Djalë i bukur
Sikur diell;
Shtatin – lis
E kishte ai
E në sy
Të bukurin qiell.
Në kraharor
I këndonte zogu
I gëzimit
E trimërisë;
Në buzëqeshje –
Kuqlim lulesh
Nga një kopsht
I largësisë! […]
N’majë të malit
Plisi i tij,
Shih si duket
E zbardhon!
Në fletë lulesh
Buzëqeshja e tij
Si ylber
Vezullon…”
(Vashat diellore)

Atje ku Bjeshka
Ngrihet përpjetë,
Bjeshka e Hirtë
Që flokë ka retë;
Bjeshka që yjet
I prek me dorë,
Bjeshka që Diellin
E ka kurorë
Tek buron Drini,
Mbi Ah të Lartë,
Lindi n’një verë
Zogu i Artë.
Venë sa e hapi
Me sqep të brishtë,
Nurin ia mori
Agut t’fildishtë!
(Përralla për zogun e artë)

Prania e simbolikës së diellit

Në shumësinë tematike të poezisë për fëmijë të Ymer Elshanit, Dielli zë vend të rëndësishëm. Simbolika e tij degëzohet në drejtime e rrafshe të ndryshme: është simbol i dritës, i ngrohtësisë; nënkupton dashurinë, lirinë – qenësinë e jetës së njeriut, të gjallesave të tjera e të bimëve. Rëndësia e Diellit shprehet thellësisht sidomos në poezinë “Vocërraku dhe qielli”:

Qiell,
O qiell i lartë
A s’ma jep
Vetëm një herë
Që në xhep
Timin ta vë
Atë diell tëndin –
Zog të artë!
Qielli i përgjigjet:
-Diellin kam
Për fushë të gjerë,
Për livadh,
Grurë të blertë,
Për qytete,
Për kodrinë,
Për det t’gjerë,
Për tërë njerëzinë…
(Vocërraku dhe qielli)

Sipas poetit, në djalin e vet babai e sheh diellin (djali bëhet diell për të), ndërsa djali dëshiron që:

– O baba, ashtu sikur dielli
Zemrën dhe unë dua ta kem
(Një vogëlush pyet babanë)

Për Diellin, si jetëdhënës, dhe për dashurinë ndaj tij: Krijoi një diell t’vogël vetë (Ç’ëndërrojnë peshqit në thellësi); këtë e bëjnë dhe lulet e tjera për arsye se pa dritën dhe ngrohtësinë e tij s’kanë jetë:

Lulja pranë lules më e lumtur është –
Për diellin bisedojnë të gëzuara ato
(Lulja pranë lules më e lumtur është)

Njëmijë manushaqe, trëndafila t’artë
Sapo n’mëngjes e çelin fytyrën,
Me lapsin e vet të hollë e t’gjatë –
Dielli piktor ua shton ngjyrën
Dhe mbi petale
Bën vija gjithfare.
(Kush e ka lapsin më të madh)

Poezia ndonjëherë për Elshanin është grishje për Diellin, për Drininë dhe për Atdheun e tij në mënyrë që Dielli i lirisë mbi të të ndriçojë (Dëshira e fundit e ushtarit ilir) dhe Mbi atdheun / T’mos ketë natë! (Vashat diellore)

Edhe Kalorësi i bardhë kuvendon me Diellin dhe ka porosi të veçantë për të: buzëqeshjen e tij e të shokëve ta shpërndajë gjithandej nga i lëshon rrezet:

Kur unë
Të buzëqesh,
O Diell, –
Me shokë;
Merre
Atë buzëqeshje,
Shpërndaje
Nëpër botë!
Çdo zemër
Ajo
Le ta ketë
Fole,
Hareja
Le të jetë
E madhe,
Le të rritet
Pandërpre’!
(Kalorësi i bardhë)

Po e mbyll këtë parathënie me mendimin e Jeronim De Radës rreth të bukurës dhe rëndësisë së saj për botën dhe shpirtin e njeriut, që lidhet pandërmjetësisht me qenësitë dhe vlerat poetike të poezisë për fëmijë të Ymer Elshanit: “E bukura, kjo pjesë e ndritur shpirtërore, na është dhënë që ta mbështesim, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë të japë fruta e lule dhe, ashtu si hyjnia Nemesis, që qëndronte mbi një fron të lartë në mes të godinës së madhe të botës, për të ndëshkuar ata që punojnë keq dhe të prapët, ajo na e bën të mundur të mbajmë qëndrim: e t’i vlerësojmë si të mira ose të këqija veprimet e njerëzve nga fakti nëse këto nderojnë apo fyejnë virtytet e njerëzve të ndershëm. Ky qëndrim përbën gurin themeltar të jetës njerëzore. Këndej del se kultivimi i bukurisë paraqitet si kërkesa e domosdoshme, më e lartë se çdo vepër arti, dhe ka një peshë shumë të madhe për të mirën ose për të keqen në jetën e njeriut. Dhe një detyrë e tillë që vjen duke u rritur, është e lodhshme dhe e gjatë sa vetë jeta tokësore ”.

Këtë veçanti e dëshmojnë veprat me art të lartësuar dhe vetëm ato mund ta ndërtojnë e ta pasurojnë mirëfilli botën dhe shpirtin e fëmijëve, siç ngjet edhe me poezinë e Ymer Elshanit të përfshirë në këtë zgjedhje. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.