DYLON

Poezi e përmasave të gjithëkohshme

Poezi e përmasave të gjithëkohshme
Avatar photo Redaksia

(Për librin më të ri të Sabit Rrustemit, NËPËR ËNDRRAT E FJALËVE, edituar nga Shtëpia Botuese , “Beqir Musliu”, 2019)

Nga: ANTON NIKË BERISHA

Libri më i ri me poezi të dashurisë i Sabit Rrustemit “Nëpër ëndrrat e fjalëve” dëshmon një ngritje të mëtejshme cilësore të pasurimit të të shprehurit poetik, të pamjeve – tablove të pasura, që njësohen dhe bëjnë një mozaik tërësor.

EkoHigjiena

Natyrshmëria e rrëfimit, mëvetësia e përftimit të varianteve, ballafaqimi dhe përplasja e dukurive dhe e mendimeve; mbrumja dhe gërshetimi i realiteteve të ndryshme, që dashur e padashur, të kujtojnë realitetin e përfytyrimit dhe të ëndrrës, ku s’ka kufij kohorë dhe hapësinorë, pastaj gjerësia dhe thellësia e vrojtimit të dashurisë si dukuri e qenësishme jetësore dhe mundësia e madhe, herë – herë e jashtëzakonshme, e komunikimit dhe e ndikimit të tekstit në marrësin, e bëjnë këtë libër të rëndësishëm dhe të papërsëritshëm në poezinë tonë bashkëkohore.

Në qenësi, poezia e përfshirë në këtë vepër është gërmim dhe zbulim i shpirtit të njeriut, sidomos atij të dashuruar, që është pushtuar dhe tundet nga fuqia magjike e dashurisë dhe e bukurisë.  Është e njohur se në marrëdhëniet shoqërore dhe njerëzore diçka që i përket njërit, është dhe brenda tjetrit dhe anasjelltas.

Njohja dhe zbulimi i ndërsjellë është veprim i rëndësishëm, prandaj kjo poezi jo vetëm të futë në thellësitë e gjallimit dhe të misterit të dashurisë, po natyrshëm bëhet pjesë e përsiatjeve dhe e shpirtit të atij që e lexon. Në të e përkohshmja në dashuri e përligj të përjetshmen, siç ndodh që e përjetshmja zë fill, pra lind (bëhet) nga konkretja, e përkohshmja.

Duke bërë fjalë për Këngën e këngëvedhe filozofi dhe teologu i shquar grek, Christos Yannaras, thekson: “Tjetri bëhet ‘kuptimësia’, përgjigja e ndjeshme e dëshirës më të thellë e jetike të natyrës sonë. Ndoshta nuk jemi dashuruar në personin e Tjetrit, po në etjen tonë të mishëruar në personin e tij”.

Pra, poezia e dashurisë në këtë libër del sa reale, aq përfytyruese dhe ëndërruese, ku të shprehurit poetik ngjizet e shqiptohet veçmas brenda realitetit përfytyrues, që nuk i nënshtrohet parimeve të veprimeve në jetën e përditshme.

Pikërisht realiteti i veçantë dhe i ndërliqshëm i shprehur përmes gjuhës poetike e bën këtë poezi të qenësishme dhe i jep përmasën e gjithëkohshme.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.