(Për librin më të ri të Sabit Rrustemit, NËPËR ËNDRRAT E FJALËVE, edituar nga Shtëpia Botuese , “Beqir Musliu”, 2019)
Nga: ANTON NIKË BERISHA
Libri më i ri me poezi të dashurisë i Sabit Rrustemit “Nëpër ëndrrat e fjalëve” dëshmon një ngritje të mëtejshme cilësore të pasurimit të të shprehurit poetik, të pamjeve – tablove të pasura, që njësohen dhe bëjnë një mozaik tërësor.
Natyrshmëria e rrëfimit, mëvetësia e përftimit të varianteve, ballafaqimi dhe përplasja e dukurive dhe e mendimeve; mbrumja dhe gërshetimi i realiteteve të ndryshme, që dashur e padashur, të kujtojnë realitetin e përfytyrimit dhe të ëndrrës, ku s’ka kufij kohorë dhe hapësinorë, pastaj gjerësia dhe thellësia e vrojtimit të dashurisë si dukuri e qenësishme jetësore dhe mundësia e madhe, herë – herë e jashtëzakonshme, e komunikimit dhe e ndikimit të tekstit në marrësin, e bëjnë këtë libër të rëndësishëm dhe të papërsëritshëm në poezinë tonë bashkëkohore.
Në qenësi, poezia e përfshirë në këtë vepër është gërmim dhe zbulim i shpirtit të njeriut, sidomos atij të dashuruar, që është pushtuar dhe tundet nga fuqia magjike e dashurisë dhe e bukurisë. Është e njohur se në marrëdhëniet shoqërore dhe njerëzore diçka që i përket njërit, është dhe brenda tjetrit dhe anasjelltas.
Njohja dhe zbulimi i ndërsjellë është veprim i rëndësishëm, prandaj kjo poezi jo vetëm të futë në thellësitë e gjallimit dhe të misterit të dashurisë, po natyrshëm bëhet pjesë e përsiatjeve dhe e shpirtit të atij që e lexon. Në të e përkohshmja në dashuri e përligj të përjetshmen, siç ndodh që e përjetshmja zë fill, pra lind (bëhet) nga konkretja, e përkohshmja.
Duke bërë fjalë për Këngën e këngëvedhe filozofi dhe teologu i shquar grek, Christos Yannaras, thekson: “Tjetri bëhet ‘kuptimësia’, përgjigja e ndjeshme e dëshirës më të thellë e jetike të natyrës sonë. Ndoshta nuk jemi dashuruar në personin e Tjetrit, po në etjen tonë të mishëruar në personin e tij”.
Pra, poezia e dashurisë në këtë libër del sa reale, aq përfytyruese dhe ëndërruese, ku të shprehurit poetik ngjizet e shqiptohet veçmas brenda realitetit përfytyrues, që nuk i nënshtrohet parimeve të veprimeve në jetën e përditshme.
Pikërisht realiteti i veçantë dhe i ndërliqshëm i shprehur përmes gjuhës poetike e bën këtë poezi të qenësishme dhe i jep përmasën e gjithëkohshme.