Poetja Sadete Tërnava-Osmani fituese e çmimit “Muza e Agimit”

Poetja Sadete Tërnava-Osmani fituese e çmimit “Muza e Agimit”

Ora e Madhe Letrare “Muza e Agimit”, ka qenë aktiviteti i radhës që është organizuar sot, në kuadër të Manifestimit “Ditët e Agimit” që po mbahen në Komunën e Gjilanit, në të cilin aktivitet me poezitë e tyre janë paraqitur rreth 20 poet të ndryshëm për të konkurruar për çmimin kryesor.

Pasi u lexuan nga vet krijuesit poezitë e tyre konkurruese, juria e Orës Letrare, në përbërje Anton Nikë Berisha, Xhylishene Berisha e Sherafedin Kadriu, shpalli fituese të çmimit “Muza e Agimit” poeten Sadete Tërnava-Osmani.

Përndryshe, edhe ky edicion nisi e përfundoi me deklamimin e vargjeve të Agim Ramadanit, ndërsa, edhe bashkëshortja e Agimit, Shukrije Ramadani, pasi ka falënderuar të pranishmit për nderimin që po ia bëjnë Agimit me prezencën në këtë ngjarje kushtuar atij, ka lexuar një poezi të saj jashtë konkurrencës.

Në këtë eveniment kulturor, Sabit Rrustemi tha se përmes poezisë po kujtohet heroi i kombit Agim Ramadani, i cili do të jetë përherë frymëzim për brezat që do të vijnë.

Manifestimi “Ditët e Agimit” vazhdon të premten me zbulimin e mozaikut – portretit të Agim Ramadanit, bërë me gëzhoja plumbi, nga i riu Besart Gashi, e që është vendosur në qendër të Gjilanit, (14:00) për të vazhduar me aktivitete tjera deri në tubimin qendror “I këndojmë Agimit” që mbahet në Zhegër (16:00).

Manifestimi Tradicional “Ditët e Agimit”, mbahet për çdo vit, më 1, 2 dhe 3 Maj, në Zhegër të Gjilanit, në vendlindjen e heroit të kombit Agim Ramadani-Katana, në përkujtim të të cilës figurë poliedrike edhe mbahet ky manifestim.

KOMENTE