DYLON

Poetja Klejda Plangarica fituese e çmimit “Muza e Agimit” 2026

Poetja Klejda Plangarica fituese e çmimit “Muza e Agimit” 2026
Avatar photo Redaksia

Ora e Madhe Letrare “Muza e Agimit” 2026, ka qenë aktiviteti i radhës që është organizuar, në kuadër të Manifestimit “Ditët e Agimit”, në të cilin aktivitet me poezitë e tyre janë paraqitur poet nga vise të ndryshëm për të konkurruar për çmimin kryesor.

Pasi u lexuan nga vet krijuesit poezitë e tyre konkurruese, Juria e Orës Letrare, në përbërje Zyrafete Shala, kryetare e Jurisë, Nexhat Rexha dhe Mehmetali Rexhepi, anëtarë, shpalli fituese të çmimit “Muza e Agimit” poeten nga Tirana, Klejda Plangarica, e cila u paraqit me poezinë e saj “Puhi drite”.

EkoHigjiena

Për ndryshe, juria vlerësuese me vendin e dytë vlerësoi poetin nga Malisheva, Mehdi Krasniqi, me poezinë, “Shpërfillje”, derisa me vendin e tretë, u vlerësua poetja nga Gjilani, Albina Idrizi me poezinë “Ka ditë si kjo ditë”.

Përndryshe, edhe ky edicion  i “Muzës së Agimit”, që u organizua nga Shoqata Kulturore “Ditët e Agimit”, Zhegër dhe Ars Clubi “Beqir Musliu”, Gjilan, u mbajt në SHMU “Agim Ramadani”, Zhegër, ku u hap simbolikisht me zërin e heroit të kombit, Agim Ramadani, duke bashkëbiseduar me bashkëshorten e tij, ku vëhet në theks fjalia: “Ne po fitojmë!”.

Në emër të familjarëve të heroit të artdashësit e pranishëm i përshëndeti vëllai i Agimit, Jashar Ramadani, derisa poetja Linditë Ramushi Dushku, deklamoi poezinë përkushtuese për Agim Ramadani, shkruar nga shkrimtari Ibrahim Kadriu. Aktivitetet e këtij manifestimi vazhdojnë tutje ku veçojmë tubimin qendror “I këndojmë Agimit”.  /2LONLINE/

Poezia fituese

PUHI DRITE

Mos u spraps!
Nëse ajo fije e hollë mendimi vetëtiu te ti –
Bëzaje fort, vishi fjalë,
Hidhu asaj rruge pa fre,
Mos u spraps!

Nëse një pikë ta ndal rrugën, të vë gardh –
Ti shtoji dy të tjera pas…
Ç’do kishim bërë në jetë pa retiçencat?!
Si do t’i kishim çarë një shteg mendimit
Për të lundruar larg?!

Mos u spraps
Nga presjet tinëzake rrugës,
Ndalesë e shkurtër janë.
Një bulëz sysh, një rigë fryme…
Mos u spraps!
Ajo fije e hollë mendimi
Puhi drite është… Jo flakë!

/Klejda Plangarica/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.