DYLON

Poetika postmoderne e një poezie

Poetika postmoderne e një poezie
Avatar photo Redaksia

Nga: Timo Merkuri
POETIKA POSTMODERNE E NJË POEZIE
(Rreth poezisë së Edonë Halitit: “NETËVE VETËM ME VETEN”)

Befasuese poezia “Netëve vetëm me veten” e Edonë Halitit, një poezi moderniste që përthyen elemente të poezisë eksperimentale dhe poezisë ekzistenciale, dhe i qaset një poetike postmoderne në trajtimin e temave të identitetit, vetmisë dhe kohës. Si rrallëkush Edonë Haliti shfrytëzon një ndërthurje të imazheve shkencore dhe kuantike me dimensionin ndjesor, emocional dhe metafizik, dhe krijon një poezi të denatyralizuar, që, sigurisht i shmanget narrativës të drejtpërdrejtë dhe ndërtohet mbi një fragmentim të mirëmenduar.

EkoHigjiena

Duke dashur të evidentojmë vlerat e poezisë nënvizojmë:

-Realisht kjo poezi nis me një deklaratë që e trasformon kohën dhe hapësirën në një koncept të pasigurt dhe të lëvizshëm:

“Mund të kishte qenë vetëm një nga stinët e fizikës kuantike / kur qytetet e vargut tim u shuan.”

ku, poetja i qaset perceptimit të fragmentuar të kohës, në të cilën ndarjet klasike sezonale ose ciklike zhduken dhe zëvendësohen me një realitet të papërcaktuar, tipik për poetikën postmoderne.

– Poetja e trajton identitetin si entitet që mund të ndodhet në dimensione të ndryshme hapësinore, dhe përdor terminologji nga mekanika kuantike:

“Shkronjat mësyen ‘hapësirës së Hilbertit’ / dhe qirinjtë e heshtjës sime morën piskamë.”

Kjo ndërthurje e shkencës dhe e ndjesisë e bën poezinë një hapësirë eksperimentale, ku realiteti fizik dhe ai shpirtëror shkrihen në një.

-Poetja trajton vetminë kozmike dhe dhimbjen përmes metaforave astrofizike, si rrallëherë në poezi, ajo e vendos subjektin lirik në një orbitë të ftohtë dhe të pashmangshme, thua në ftohtësinë kozmike:

“Tash mund të jesh diku, i shtrirë në një orbitë keplerike / duke thithur vyshkje netësh / a duke pirë vrer ferri.”

ku vetmia nuk është thjesht një gjendje shpirtërore, por një forcë gravitacionale që tërheq qenien në një qark të pafund trishtimi. Shikoni, duhet rilexuar Keplerit për të folur më tejë.

-Si një risi poetike hyjnë në vargje valset e trishtimit si një rit i ekzistencës. Sinqerisht të befason dhe huton një risi e tillë poetike (e valsit), ku dhimbja dhe gëzimi janë të ndërvarur:

“Oh sa vals i hidhur / krejt vetëm ta lumturosh trishtimin, / ta (ri)ngrohësh zjarrin.”

Lëvizja ritmike, që herë ftohet e herë ndizet, e sjell poezinë në një nivel ndjesor muzikal, ku ritmi dhe përjetimi bashkëjetojnë në një ironi tragjike. Por mos shpresoni të vallzonin nën këtë muzikë, mjafton t’a ndjeni.

-Nuk mbaron këtu befasia, përdorimi i fjalëve si “(ri)flakësh”, “(ri)ngrohësh” dhe “(ri)shfaqësh” ( ose rishpikja e fjalëve) tregon një poetikë që sfidon linearitetin dhe kërkon të krijojë një hapësirë ku përvoja mund të ripërjetohet pafundësisht, pa një fillim apo fund të qartë.

Sinqerisht befasuese kjo poezi për pasurinë e elementeve shkencore, filozofike dhe muzikale, që ndërthuren mes veti dhe e vendos subjektin lirik në një univers të ftohtë, të fragmentuar, diku larg planetit tonë, në një ftohtësi kozmike,ku dhimbja dhe vetmia bëhen ritme të përhershme. Në këtë nivel krijimi, poezia përfaqëson një rrymë postmoderne dhe ekzistenciale, pse eksperimenton me gjuhën dhe strukturën poetike për të reflektuar një realitet të ndërlikuar dhe gati kozmik.

E parë në thellëdi veçantinë e poezisë së Halitit themi se poezia “Netëve vetëm me veten” e Edonë Halitit përafrohet me poetikën e T. S. Eliot dhe Paul Celan, por mund të krahasohet gjithashtu me disa tendenca të poezisë bashkëkohore postmoderne dhe poezisë eksperimentale të poetit Adonis. Gjithsesi është një poezi e veçantë në letërsinë postmodernistë shqipe, përjetimi i të cilës kërkon njohuri në shkenca ekzakte, por kjo jo vetëm që s’na pengon, por na nxit t’a urojmë poeten Edonë Haliti për arritje më të epërme në poezi. /2LONLINE/