Prof. dr. Agim VINCA,
(Myrvete OSMANI: ZGJOJE ËNDRRËN, botim i Shtëpisë Botuese “BEQIR MUSLIU”, 2013 )
Myrvete Osmani është poete me ndjeshmëri të pasur lirike dhe me një shtimung të themi tagorian. Shpirti i saj i ngjan një arkëze përplot ndjenja e emocione, të cilat kërkojnë të dalin në sipërfaqe e të shkojnë tek njerëzit, lehtë e padiktueshëm, ashtu siç shkon aroma e luleve.
Derdhja e shpirtit në vargje i ngjan një ujëvare sa të vrullshme, aq edhe të qetë, të prajshme. Fjala është për një poezi asociacionesh të lira, ku lirshmëria, alias spontaniteti, diktojnë ritmin, ngjyrën, fjalën…në librin e saj më të ri, ZGJOJE ËNDRRËN.
Jo rastësisht fjala peshtaf: kutizë ku njerëzit, gratë në radhë të parë, ruajnë gjërat e veta më të shtrenjta është fjalë e preferuar e poetes. Dashuria, jeta, koha, kujtimet, përjetimet, ëndrrat – janë perlat e poetes, të cilat ajo dëshiron t’i zbulojë, me të gjitha ngjyrat, por duke mos ua hequr plotësisht velin misterioz.
Kjo e bën tërheqëse poezinë e Myrvetes, e cila e grish lexuesin në vorbullin e saj, ku vazhdimisht ndodh diçka: lind një varg a një frymëzim i ri, i çiltër e spontan, që në të ardhmen do të duhej të kultivohej një çikë më shumë, por pa e cenuar assesi bukurinë e saj të lindur, magjike e parake njëkohësisht.