Po thuhet se Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë, nuk pajtohem!
Shkruan: Burim Korqa
Po thuhet se Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë. Nuk pajtohem!
A po e pasqyrojnë këto raporte realitetin që shihet çdo ditë në Kosovë?
Mbi 80% e qytetarëve kanë shtëpi ose prona të veta. Shumica e familjeve kanë të paktën një veturë, shumë prej tyre edhe dy apo më shumë. Kafiteritë, restorantet dhe qendrat tregtare janë plot çdo ditë.
Të rinjtë vishen me brende nga më të shtrenjtat, përdorin telefona të fundit dhe konsumi është në nivel shumë më të lartë sesa në shumë vende që konsiderohen “më të pasura”.
Pushimet janë bërë pjesë normale e jetës për shumë qytetarë. Çdo vikend një pjesë e madhe e Kosovës është në Shqipëri, Greqi, Mal të Zi apo Turqi. Gjatë verës aeroportet dhe rrugët mbushen me njerëz që udhëtojnë për pushime, shpesh në destinacione jo aspak të lira.
E sa jemi kredi ne banka, as nuk dua ta di, sepse ka shtete që janë edhe më keq se ne në këtë aspekt.
Qarkullimi ekonomik, konsumi dhe investimet familjare janë shumë më të mëdha sesa po paraqiten nëpër raporte statistikore.
Po, Kosova ka probleme ekonomike, paga të ulëta dhe sfida serioze për zhvillim. Por nuk mund të matet mirëqenia e një populli vetëm me statistika të thata, duke injoruar pronat, mbështetjen nga diaspora, ekonominë familjare dhe mënyrën reale të jetesës.
Kosova nuk është aq e varfër sa po paraqitet.
Problemi ynë më i madh shpesh nuk është mungesa e parasë, por mungesa e organizimit, drejtësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Duhet më shumë punë për shtet, ekonomi e prodhim, e më pak narrativë që e ulin vlerën e vendit tonë dhe paraqesin Kosovën si shtet që s’po mundet ta mbaj veten. /2LONLINE/
