DYLON

Po rikthehet një nga manifestimet më domethënëse për jetën muzikore të vendit “Takimet e talentëve të Kosovës”

Po rikthehet një nga manifestimet më domethënëse për jetën muzikore të vendit “Takimet e talentëve të Kosovës”
Avatar photo Redaksia

Po rikthehet një nga manifestimet më domethënëse për jetën muzikore të vendit – “Takimet e talentëve të Kosovës”, tashmë në edicioni e III, duke vazhduar me përkushtim misionin e tij fisnik: zbulimin, promovimin dhe afirmimin e talenteve të reja muzikore.

Ashtu si në vitet e kaluara, edhe këtë vit ky manifestim ka mbledhur talente të përzgjedhura interpretues në instrumente të ndryshme, nga të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës: Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Prizreni, Peja, Gjakova dhe Mitrovica. Secila shkollë muzike ka përzgjedhur nga dy përfaqësues, duke krijuar një mozaik të pasur artistik dhe një panoramë të qartë të potencialit muzikor që posedon vendi ynë.

EkoHigjiena

Në kuadër të këtij edicioni janë organizuar koncerte në disa qendra të Kosovës, ndërsa rrugëtimi artistik u përmbyll sot me një koncert final në Gjilan, duke e shndërruar këtë qytet në pikë takimi të shpresës, talentit dhe frymës krijuese të të rinjve.

Drejtori i manifestimit, z. Kushtrim Jakupi, në fjalën e tij përkujtoi me emocione kohën kur, gjatë viteve ’80 dhe ’90, ishte edhe vetë pjesëmarrës në këtë “rrugëtim” të talenteve. Pikërisht kjo përvojë personale ka qenë shtysë që ky manifestim të rikthehet dhe të vazhdojë, me qëllim që brezat e rinj të kenë hapësirë për t’u dëgjuar, vlerësuar dhe mbështetur në hapat e tyre të parë artistikë.

Në përmbyllje të aktivitetit, organizatori ndau mirënjohje dhe pllaketa pjesëmarrjeje për të gjithë fëmijët pjesëmarrës, duke vlerësuar punën, përkushtimin dhe talentin e tyre. Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe MASHT-it dhe MKRS-së, për mbështetjen e ofruar në realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë për zhvillimin kulturor dhe edukimin muzikor në Kosovë.

“Takimet e talentëve të Kosovës” mbeten dëshmi se investimi në art dhe në të rinj është investim në të ardhmen kulturore të vendit, thotë Jakupi.  /2LONLINE/