/2L ONLINE/ – Punëtorët e Kompanisë Ecohigjiena, nën organizimin e Këshillit të Punëtorëve, po protestojnë para sallës së Kuvendit Komunal të Gjilanit. Ata duan hapa të shpejtë dhe konkret për t’u zgjidhur problemet që janë në këtë kompani.
“Këshilli i Punëtorëve të kompanisë Ecohigjiena SH.P.K-Gjilan,Viti,Kamenicë, Novobërdë me mbështetjen e punëtorëve, kërkon nga Komuna e Gjilanit,respektivisht Kuvendi Komunal të merr hapa konkret për zgjidhjen e kësaj situate konformë përgjegjësive ligjore që i ka në ruajtjen e
pronës publike dhe të bëjë prishjen e kësaj marrëveshje të Partneritetit Publiko-Privat, të dëmshëm për kompaninë,punëtoret dhe regjionin tonë”, thuhet në kërkesën e tyre.
Isa Agushi, anëtar i Kuvendit nga radhët e LDK-së i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se mbështet plotësisht kërkesat e punëtorëve dhe se edhe ai është që të prishet partneriteti aktual publiko privat. Agushi ka thënë se punëtorët kanë të drejtë sepse ky partneritet që në fillim është nisur mbrapsht dhe duhet të prishet. Ai tha se partneri privat nuk i ka përmbushur obligimet që i ka pas dhe kjo ka sjellë një situatë të tillë që qon në prishje të partneritetit me të.
Ibish Ibishi, anëtar i Kuvendit nga radhët e AAK-së thotë prë 2L ONLINE, se qysh në fillim ky partneritet ka qenë i gabueshëm sepse është bërë për interesa të individëve e jo për interesa të qytetarëve. Ai tha e problemet në këtë kompani nuk janë të tanishme por ato janë që sa vite dhe janë akumuluar. Partneri privat nuk i ka përmbushur obligimet dhe punëtorët kanë të drejtë plotësisht që po protestojnë, ka thënë Ibishi. Ai tha se AAK është për një zgjidhje që eshtë në interes të qytetarëve.
Fehmi Sylejmani anëtar i Kuvendit nga Vetëvendosje ka thënë për 2L ONLINE, se do të kërkojnë një komision hetimor i përbërë nga anëtarët e Kuvendit por që udhëhiqet nga opozita për të verifikuar të gjitha marrëveshjet, të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me këtë kompani, sepse Vetëvendosje mendon se kjo marrëveshje duhet të rishikohet në hollësi.
Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit nga radhët e PDK-së ka thënë për 2LONLINE, se për këtë çështje pret të diskutohet në Kuvend, për ato probleme që janë reale në këtë kompani. Si anëtar të Kuvendit do të mbështesin çdo propozim që vije nga qeverisja komunale për të tejkaluar këtë gjendje që nuk është e mirë as për Kompaninë, as për Komunën, as për punëtorët e as për qytetarët që mbesin pa shërbime të mira. Rashiti tha se mendon që nuk ka asnjë problem serioz në Kompani që nuk do të zgjidhet shpejtë e lehtë.
Përndryshe, seanca e Kuvendit sapo ka filluar. /2L ONLINE/