Në vigjilje të shënimit të Ditës së Zojës së Madhe në Letnicë, kanë filluar përgatitjet për organizimin e këtyre aktiviteteve, me që rast sot në një takim të përbashkët të kryesuar nga kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti me përfaqësues të policisë, KFOR-it amerikan, Njësisë së Zjarrfikësve dhe drejtorive komunale, u prezantua edhe Plani i veprimit për mbarëvajtjen e këtij Manifestimi.
Kryetari Haliti u shpreh se organizimi i përbashkët tani më është bërë traditë, ku detyrat dhe obligimet vazhdimisht po i kryejnë të gjithë mekanizmat e përfshirë në këtë organizim. Ai kërkoi nga të gjithë që të angazhohen në zbatimin e këtij Plani të Veprimit në organizim sa më të mirë, ndërkohë që nga drejtori i Drejtorisë Shërbimeve Publike Nexhmedin Jakupi u njoftuan se tani më kanë filluar edhe aksionet për pastrimin e ambientit në atë pjesë ku do të zhvillohen aktivitetet.
Edhe nga Policia e Kosovës u bë e ditur se gjithçka është gati sa i përket zbatimit të planit të operativ për shënimin e kësaj feste, kurse u kërkua nga famullitari i Kishës së Letnicës Dom Marjani dhe kryetari i Këshillit të Fshatit Shin Gjoni, që shëtitorja në qendër të fshatit të ketë hapësirë më të madhe, ngase viteve të tjera, shitësit ambulantivë kanë ngushtuar në masë të madhe këtë hapësirë.