(2LONLINE) – Drejtues nga Drejtoria e Administratës së Përgjithshme e Komunës së Gjilanit thonë se në këtë 100 ditshin e parë të “Qeverisjes Haziri”, ndodhen në fazën finale të kompletimit të një projekti për pajisjen e qytetarëve me dokumente të Gjendjes Civile me porosi online, i cili planifikohet të nis së zbatuar konkretisht nga muaji maj.
Nazim Gagica drejtor i Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme ka bërë me dije se ka mbetur vetëm edhe arritja e marrëveshjes me Post Telekomin e Kosovës , për të kaluar në fazën e sensibilizimin të qytetarit për këtë lloj shërbimi, për të kaluar pastaj edhe me zbatimin konkret të projektit në fjalë që ata e quajnë “Home- Komuna”
“Vendimi i parë i drejtorisë ishte eliminimi i pauzës nga ora 12:00 deri në orën 13:00 që është shtuar shërbimi për qytetarë për një orë, ndërsa tani kemi vendimin e dytë të ofrimit të shërbimeve në shtëpi të qytetarëve tanë, duke i pajisur ata me dokumente të Gjendjes Civile në shtëpitë e tyre”, ka thënë ai, duke shtuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për implementim të këtij projekti nga muaji i ardhshëm.
“Kjo do të bëhet me porosi online nga ana e qytetarëve ndërsa dokumentet do t’u dorëzohen qytetarëve përmes Postës dhe Telekomit “, ka thënë Gagica.
Sipas tij kostoja financiare për nxjerrjen e një certifikate do të jetë e njëjtë. E gjitha çfarë duhet të bëjë një qytetarë është që të bëjë porosinë online përmes internetit ose edhe përmes telefonit dhe certifikata të cilën ai e kërkon do t’i dërgohet në shtëpi nga postieri.
Ai ka njoftuar qytetarët se të gjitha çështjet teknike lidhur me këtë projekt do të përfundojnë brenda dy ditësh dhe se qëllimi i vetëm ka qenë shkarkimi i sporteleve dhe dhënia e sa më shumë shërbimeve për qytetarët tanë.
Me këtë projekt për një kohë të shkurtër jepen shërbime për numër shumë më të madh të qytetarëve.
Drejtori Gagica, ka thënë se në këtë projekt janë të përfshirë edhe ekspertët e Teknologjisë Informative të cilët janë në kuadër të drejtorisë së Administratës, ndërsa implementimi do të bëhet përmes websajtit apliko.org, që do të bëhet enkas për kryerjen e këtyre shërbimeve. /2lonline/