(2LONLINE) – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM), të mbledhjen e së premtes, të kryesuar nga Murat Hoxha, ka miratuar Planin e punës së Drejtorisë për vitin 2014, Raportin e periudhës janar-mars 2014 si dhe ka shqyrtuar qasjen në revidimin e dy planeve rregulluese të hollësishme “Qendra 2” dhe Qarku 3” si dhe në hartimin e planit rregullues “Fidanishte 3”, të cilat i ka prezantuar drejtori i Urbanizimit, Valon Shefkiu.
Objektiva të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit për vitin 2014, pos shqyrtimit të kërkesave të qytetarëve, janë planet rregulluese për zonat ende të pa mbuluara, hartimi i planeve për zona të gjelbra, sportive si dhe shtigjeve për qytetarë, hapja e rrugëve të reja lidhëse, trajtimi i shtretërve të lumenjve dhe të tjera, ka thënë Shefkiu.
Ndërkaq, duke folur për punën tre mujore, ai tha sektori i Planifikimit ka kryer 27 lëndë, ndërsa 8 të tjera janë në proces, kurse sektori i Lejeve ka pranuar 214 kërkesa nga qytetarët, të cilat janë proceduar brenda afatit ligjor. Janë lëshuar 32 leje ndërtimi, 22 kërkesa janë refuzuar, në 81 raste është kërkuar parcelim i truallit dhe të tjera.
Shefkiu tha se gjatë këtij tre mujori, e sidomos gjatë marsit, ka pasur një rritje të dukshme të të hyrave nga lejet e ndërtimit, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ai ka paraqitur edhe propozimet e DUMM-it për qasje në hartimin, përkatësisht revidimin e tri planeve rregulluese të hollësishme, “Fidanishte 2”, që kap një sipërfaqe prej 107 hektarësh, “Qarku 3”, që shtrihet në 139 hektarë si dhe “Qendra 2”, që shtrihet në 72 hektarë.
Me këto tri projekte, që pritet të realizohen gjatë këtij viti, zona e qytetit mbulohet me plane rregulluese në pjesën më të madhe, përkatësisht në 1700 hektarë, ndërkohë që për vitin tjetër mbeten edhe rreth 300 hektarë për t`u trajtuar, ka thënë Shefkiu.
Murat Hoxha, kryesues i kësaj trupe komunale, ka thënë se KPUMM i jep përkrahje propozimit për qasje në hartimin e planeve rregulluese të hollësishme dhe i rekomandon Drejtorisë që të fillojë procedurat për këtë qëllim.
Florina Zymberi kërkoi që të nxitet sa më shumë që është e mundur pjesëmarrja e qytetarëve në dëgjime publike, në mënyrë që më vonë të mos ketë reagime më vonë, siç ndodh zakonisht. Ajo tha se duhet të bëhen plane të zbatueshme në praktikë. /2lonline/