FIFA njoftoi zyrtarisht se Sepp Blatter dhe Michel Platini janë dënuar me 8 vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet që lidhen me futbollin. Komisioni i Etikës në konfederatën botërore njoftoi se vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Presidenti i larguar Blatter dhe kreu i UEFA-s, Platini ishin të pezulluar, si masë paraprake deri në verdiktin final, pas akuzave për korrupsion.
Hetimet ndërkombëtare ndaj aktivitetit të Blatter, zbuluan edhe një pagesë me vlerë 2 milionë franga zvicerane, që ish-presidenti i FIFA-s kishte bërë në shkurt të vitit 2011 për Platini.
Sipas Komitetit të Etikës, pagesa ndaj francezit për bashkëpunimin me Blatter, sipas marrëveshjes së arritur mes palëve në vitin 1999 “nuk kishte baza ligjore”.
Në njoftimin zyrtar theksohej ndër të tjera se ish-drejtuesi më i lart i FIFA-s nuk ishte në gjendje të provonte asnjë bazë tjetër ligjore rreth pagesës së kryer.
“Pretendimet e Blatter për një marrëveshje verbale u cilësuan jo-bindëse dhe nuk u pranuan nga paneli i Etikës”, shkruhej në deklaratë.
Pas dënimit me 8 vjet nga të gjitha aktivitetet që lidhen me futbollin, Michel Platini del automatikisht nga gara për presidentin e FIFA-s, me zgjedhjet që do të zhvillohen në Kongresin e Jashtëzakonshëm më 26 shkurt në Zyrih.
Për postin e drejtuesit të futbollit botëror nga UEFA do të kandidojë Sekretari i Përgjithshëm, Gianni Infantino.