/2L ONLINE/ – Mbrëmë ishte nata finale e festivali të Dramës Shqipe “Talia e Flakës” dhe ajo që tërhoqi vëmendjen ishte edhe ngjarja që ndodhi një mbrëmje më parë, kur turma e publikut, e uritur për të hyrë në sallë për ta parë shfaqjen e radhës, theu edhe derën e Teatrit.
Me këtë rast, aktori Enver Petrovci, e ka komentuar këtë duke thënë thënë se Gjilani vërtetë është kryeqendra e kulturës, por publiku është ai që e mban dhe i jep madhështi dhe mbështetje të vërtetë teatrit.
“Nuk kam “qare” pa e thënë një gjë. Kur erdha sonte për të ndjekur shfaqjen e fundit, nga grumbulli shumë i madh i njerëzve para teatrit nuk kisha dot rast të hyjë brenda, prandaj përmes telefonatave nga bodrumi, a depo, apo tavani, mezi u futa në sallë. Gjatë hyrjes mora vesh se ‘kijamet’, mbrëmë nga turma e madhe është thyer dera e teatrit, por ai ishte gëzim shumë i madh për mua. Atë derë unë do ta paguaj. Ka kohë shumë të gjatë që nuk kam dëgjuar të jetë thyer dera në Kosovë apo Shqipëri për teatër. Kishim raste për tallava muzikë, mirëpo për Teatër jo. E këtë e bënë vetëm një qytetari sikur kjo në Gjilan. Kjo është lakmi për gjithë njerëzit që flasin shqip, që të kenë një publikë dhe kulturë sikur në Gjilan, të jeni të sigurt që as për së afërmi nuk ka kështu që nga Saranda e deri në Preshevë”, ka thënë Petrovci.
Sipas itj, kjo energji që ka ky publik, nuk krijohet pse ke para. “Kultura nuk krijohet pse ke para. Publiku nuk krijohet me para, ai krijohet dhe rritet vetëm me traditë. I nderuar kryetar i Gjilanit, kjo energji dhe traditë në Gjilan është krenari dhe lakmi, mbaje të gjallë e të fuqishme kështu, sikur që dini ta mbani ju përherë. O sa mirë me qenë në Gjilan!”, ishin fjalët e Petrovcit në adresimin para publikut gjilanas. /2L ONLINE/