Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuait M.A, për shkak se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile.
I akuzuari M.A është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) viteve, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 31.03.2021 e tutje. Të akuzuarit M.A i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më tepër se dënimi i shqiptuar.
Gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 — 11 qershor 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i akuzuari M.A me dashje dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kishte shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre, në shkelje të nenit 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet shtesë, në atë mënyrë që me datë 28 mars 1999 në fshatin Izbicë, në orët e hershme të mëngjesit, i akuzuari së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe zbritën nga mali në drejtim të fshatit, shkuan tek vendi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, fillimisht i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12 vjeçare nga turma dhe nën kërcënimin e armëve i detyruan që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa burrat e mbetur i ndanë dhe i ekzekutuan me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan.
Po ashtu, i akuzuari së bashku me pjesëtaret të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor, cenimin e integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosja, grabitja dhe shkatërrimi i pasurisë civile, ashtu që me të hyrë në fshatin Izbicë, fillimisht i detyruan me dhunë civilet shqiptar që të largoheshin nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e armëve dhe i grumbulluan në një livadh në mes të fshatit, pastaj filluan djegien dhe shkatërrimin e të gjitha shtëpive të fshatit, me ç’rast i akuzuari së bashku me 4 persona të pa identifikuar, shkuan tek shtëpia e të dëmtuarit A.O, e thirren bashkëshorten e tij që të dal nga turma e njerëzve ku ishin grumbulluar dhe të shkonte tek shtëpia e saj, me të arritur e dëmtuara në shtëpinë e saj, i akuzuari nën kërcënimin e armës ja mori 500 marka të dëmtuarit A.O, kurse të dëmtuarën nën kërcënimin e armës e detyron që së bashku ta kontrollojnë shtëpinë, mirëpo kur e dëmtuara Xh.O refuzoj që të shkoj në katin e dytë të shtëpisë, i pandehuri e goditi me shuplak në fytyrë tek dera e shtëpisë dhe e urdhëruan që të shkoj tek turma e civilëve të grumbulluar në livadh, në largim e sipër e dëmtuara e sheh që të gjitha shtëpitë e fshatit po digjeshin nga zjarri, pastaj një grup i forcave policore ushtarake serbe ku bënë pjesë edhe i pandehuri shkon tek popullsia civile dhe nën kërcënimin e armëve ju plaçkiten të gjitha sendet personale me vlerë dhe parat, disa burra u sulmuan brutalisht dhe pësuan plagë të rënda nga sulmi i dhunshëm, kurse grat dhe fëmijët nën kërcënimin e armëve u detyruan që të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të nisen drejt Klinës duke i urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri, me këtë në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile.
Ndërsa për pikën 2 të dispozitivit të aktakuzës, gjykata merr aktgjykim refuzues ndaj të pandehurit M.A, pasi prokurori është tërhequr nga kjo pikë e aktakuzës.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.