Shkruan: Femi HALIMI
Hëh!?! –Sërish u përzdrodh!
Më 1998 kështu qe përzdredhë keq. Ndodhi viti pasues epokal dhe përzdredhja kaloi disi. Po ne jemi këta –ata që përzdredhjen e kemi kulturë nacionale. Përzdredhja është ndër artefaktet tanë më të vlefshëm të trashëgimisë kulturore. Ndodhë si ndodhë dhe ne përzdredhemi dhe bëhemi për ngjeshje. Përpara gjithmonë kur jemi përzdredhë ndokush na ka ngjeshë. Përzdredhja dosido duhet të ngjeshet për kohë të gjatë që të hiqet, përndryshe nëse nuk ngjeshet, përzdredhja hedh mish të ri në vendin e përdredhur të mishit dhe pasoja mbetet e rëndë. Veç kush e ka provuar e din çka është përzdredhja!
Për këtë, kësaj pune dosido duhert ti bëhet disi. Po mendoj tani, sepse përzdredhjet kanë ndodhë dhe kush nuk na ngjeshi, -as atëherë, më 1998, -as tani. Të mos përmendi përzdredhjet e mëhershme tutje në të kaluarën, e deri tek ilirët e pellazgët…Po që edhe më keq, ne nuk e ngjeshim vetë ose me mjekun popullor vendin ku përzdridhemi, por kërkojmë ta ngjeshim njëri –tjetrin. Kështu kjo përzdredhja mbetet e përhershme dhe ka hyrë në kulturën tonë nacionale, anise nuk ka një datë e përvjetor të përkujtimit e respektit. E duhet ti bëhet një datë a një përvjetor Përzdredhjes dhe Ngjeshjes së njëri –tjetrit dhe e të tjerëve që na e bënë, sepse e kemi pjesë të trashëgimisë nacionale, që pak kush e ka.
Përzdredhja kështu ndodhi tani mu në Kuvend të vendit atje kah pranvera. Më kujtohet vrasja e Cezarit në Kuvend nga Kasi e Bruti, egërsia e masës së qytetarëve romakë para Kuvendit -Forumit, por edhe fjalimi i Mark Antonit -që qetësoi masën dhe largoi konfliktin. Mençuria e Mark Antonit quhet në diplomaci “markantonizëm” dhe përfshin lavdin e mirënjohjen për një diplomat të aftë që ndalë konfliktin e gjakderdhjen dhe bën paqën.
Kudo ka forca grupimesh të kundërtë për interese të ndarjes së pushtetit. Në emër të popullit, të kombit, të këtij a të atij, të kësaj a të asaj, dosido, pushteti ndahet e përpjestohet sipas madhësisë e forcës së grupeve. Një traditë demokratike ka hyrë tek të tjerët kahmot që këtë luftë për ndarje të pushtetit ta mbaj në kontroll dhe që të kultivojë rregullin e ndarjes hëpërhë. Ky kujdes në ndarjen e pushtetit nëmes rivalëve politikë edhe u quajt qeverisje demokratike. Jo se kjo bashkësi arriti të organizohet me ligj, por ja, me një recetë ndërkombëtare pushteti prej pas luftës këtu kështu u mbajt në kontroll politik. Por kjo u bë me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve në qeverisje dhe monitorim. Me kalimin me kujdes njërës pas tjetrës të kompetencave nga ndërkombëtarët në pushtetin vendor, pasoi edhe kriza e mënyrës së ndarjes së pushtetit. Kjo ndodhi dhe ndodhë sepse nuk ka kuadro as vullnet për një marrëveshje politike dhe kombëtare në sajimin e pushtetit të ri në përtëritje.
Aristoteli, pushtetet i ndau në të mirë e të drejtë dhe në të këqij e të padrejtë. Sipas tij rregullime shtetërore të pushteteve të mirë janë aristokracia, monarkia dhe republika, -kurse rregullime të padrejtë janë oligarkia, anarkia dhe demokracia. Nuk mund të bëj as një pikëçuditëse këtu, sepse kemi absurdin e kimikatit politik këtu tek ne, të demokracisë dhe republikës. Ne po pretendendojmë se jemi një bashkësi politike demokratike dhe me një shtet republikan, që vjen në kundërshti me gjykimin e Aristotelit. Ose mbase Aristoteli nuk diti!?!…-
A jemi republikë demokratike apo demokraci republikane, apo çka jemi, -temë është e pandërprerë në debatet si po quhen në tv mbrëmieve para e pas darke. –A jemi si po themi apo mbase nuk jemi fare asgjë nga gjithë kjo që u tha prej tani e deri tek lufta prapa?! Një atavizëm me retardim të rëndë social grupor sundon skutave ku merren vendime me rëndësi për fatin e kombit tani e në të ardhmën. Po mos të ishin ndërkombëtarët këtu që pas lufte, që atëherë do ta kishim ngjeshë njëri –tjetrin. Le të na lënë të lirë të drejtohemi nëmes vete dhe për tri ditë nuk do të mbetet kund në këtë vend kush pa u ngjeshë.
Të tillë jemi ne. Na mësuan pushtetet e huaj që të veprojmë nga frika dhe ndëshkimet e tmerrshme. Të gjithë jemi për lirinë për vete kundër të tjerëve. Të tjerët nuk duhet të kenë lirinë, sepse “unë jam” këtu -dhe përderisa jam unë, ata duhet të vuajnë, a të largohen. Bota është e madhe dhe ka vend për të gjithë. Për gjysmën fundifundit nuk ka bukë këtu dhe kjo ka qenë gjithmonë kështu. Ligji i mbiforcës e sundimit të grupit përzdredh Ligjin e Kushtetutën dhe i nxjerr jashtë veprimit. Thirrjet ndërkaq në ligj dhe kushtetutë janë veçse sa për të hutuar masën e humbur, që nuk e informon kush se çka po ngjan!? Pasise masa nuk ka informacion për ngjarjen, janë falltorët e magët e rrugëve që komentojnë gjithçka –me besimin se janë të gjithdijshëm. Me këtë përfundon udhëtimi i mbramë i heronjëve të demokracisë dhe shpresa për tu bërë mirë më në fund dosido tretë e në vend të saj zë vend dëshprimi dhe bari i verdhë i harrimit.
“-Do të bëhet mirë more!? Do të arrijmë edhe ne dikur e ndonjëherë. Për neve edhe kjo kështu e kaq që u arrit është shumë e madhe. Gjeneratat që do të vijnë do ta bëjnë demokracinë në republikën këtë, apo republikën në demokracinë atë.”
Por tani çka të bëhet?! Ne dijmë të komentojmë të kaluarën e të ardhmën dhe me lavd themi se jemi të gjithë të mençur si askush tjetër, -porse këtë, -ja këtë tani, përsëgjalli neve, këtyre gjeneratave, që po na ndodhë, -dhe që po na kërkon zgjidhje, -si ta bëjmë?!
…Kush fryn për përzdredhje? Ka pasë gjithmonë mjekë popullorë që kanë mjekuar dhe që kanë ngjeshë për përzdredhje e ikje unazash kurrizore. Ka pasë pushtete të huaj që na kanë ngjeshë edhe më mirë dhe na kanë kënaqë. Ne por tani, pasi nuk po na ngjeshë kush, po duam të ngjeshemi vetë me njëri –tjetrin dhe të shtyhemi që veçse njëra palë të fitojë, e pala tjetër të humbë dhe fituesi ti merr të gjitha kurse humbësi të humbë me të gjitha sa që as për shërbëtor nuk dëshirohet. Ky është ligji që e preferojmë ne tani dhe që duam ta zbatojmë. E po, që nuk po lënë këta ndërkombëtarët, edhe ky është një problem në heshtje, por ndaj të cilit po bëhet punë që të hiqet sa më frik. Kur të hiqet kjo prani e tyre, merret me mend se do të mbetemi vetë ne, përballë njëri –tjetrit dhe në duel historik.
“-Hajde bacë, qetash, ta shohim, kush e ka delmen e zezë, ma të zezë!?!”…
Kishte ndodhë, në kohën e socializmit, që dy malsorë ishin rrahë e gjuejtë nëmes vete shumëherë!…Shkaku kishte qenë shtyerja nëmes tyre -se delja e cilit prej tyre e kishte pasë leshin më të zi!?…Në këtë shkojnë “milicia popullore” e i arrestojnë që të dytë; i bijnë në bazë në qytet, i rrahin sa i bëjnë për krypë e kepë. Në fund komandiri i milicisë u thotë të dyve:
-“Dinje pra, se leshin ma të zi prej krejt leshave,e ka Partia!”…
Mandej vijnë familjarët dhe i pështjellin dy malsorët në lëkura të deshve dhe i marrin!…Pas gjashtë muajve, të dytë malsorët, pasi këndellen mirë, zbresin në qytet, hyjnë në milici dhe i thonë komandirit:
“-Shok komandir! Na dy jemi marrë vesh, mos mu zanë ma me asgja, po edhe jemi ba kumbarë, veç mos me na ngucë ma!…! Shok komandir, bonu edhe ti kumbarë i joni, -mos na i prish!””…
Thonë se komandiri pranon atëherë të bëhej kumbarë i të dyve!…-Kush do të na bëhet kumbarë neve tani, në këtë zënkë, -në këtë përzderedhje -dhe kush do të na ngjesh, që të bëjmë më mirë dhe të kapërcejmë dergjën?!…
-Ka 15 vjet e tëhu pas lufte që nuk po na ngjesh kush, -a gjithmonë na ka ngjeshë dikush. Këta ndërkombëtarët “me ngjeshë” nuk po dinin -a nuk po donin?! A duhet të na ngjeshë dikush, -sikur ata dy malsorët, -që pasi i ngjeshi pushteti popullor mirë, u bëri ngjeshja hajër, aq sa edhe mendtë ua shëndoshi; dhe se ra ngjeshja,…e u bënë kumbarë; dhe ajo kumbari edhe sot e kësaj dite mbahet tek ta me shumë nderë e respekt nëmes vete.
Po them, sepse këto dy familje i njoh dhe ua di punët dhe se rasti i tyre më bëri të përfundoj se -njëmend nuk po ka kush të na ngjeshë që të merremi vesh si vëllazër që jemi e të bëjmë mirë!… /2L ONLINE/