/2L ONLINE/ – Qysh i ri nuk e kishte ndalur vrapin pas topit e kur arriti moshën e pjekurisë e nis karrierën si futbollist, duke qenë emër i njohur në futbollin gjilanas. Emri i Nexhmendin Bunjakut u bë i njohur ndër futbolldashës, kurse edhe pasi ndërpreu karrierën e futbollistit aktiv, ai nuk u nda nga futbolli. Ai zhveshi petkun e futbollistit dhe veshi atë të gjyqtarit të futbollit, duke qenë ndër më të mirët në Kosovë e veçmas dha kontribut në vitet nëntëdhjeta, kur lojtarët shqiptarë u përzunë nga stadiumet dhe garat i zhvillonin nëpër fusha jo adekuate, vetëm e vetëm që edhe në këtë mënyrë t’i bëjnë ballë okupatorit.
Nexhmedin Bunjaku pati fatin e mijëra shqiptarëve që u desh të lënë atdheun e tyre dhe u vendos në Hollandë, por as atje ai nuk e la zanatin e vjetër. Tashti, ai ka një pozicion krejt tjetër, atë të menaxherit të futbollit në Hollandë dhe është edhe skauter, që është vënë në kërkim të talenteve të rinj.
Nexhemdin Bunjaku, që këtyre ditëve po qëndron në Gjilan, me vete ka sjellë edhe trajnerin e mirënjohur të portierëve, Arben Kasolli, me të cilin kanë ardhur të provojnë portierin e ri gjilanas Blendi Rahimi, i cili shumë shpejt pritet të bëjë emër në futbollin evropian.
Nexhemdin Bunjaku, menaxher futbolli në Holandë, thotë se gjatë seancës stërvitore u pa se ky portier ka talent dhe se ai ka thënë se do të angazhohet që sa më shumë lojtarë nga Kosova të depërtojnë jashtë në klubet e mëdha dhe se në këtë punë do t’u ndihmojë edhe agjenti i FIFA-s, Fahredin Bejtullahu. Bunjaku, dikur futbollist i njohur gjilanas e më pas gjyqtar futbolli, thotë se janë të gatshëm që të japin kontributin e tyre për futbollin kosovar, derisa edhe Blendi Rahimi, portier, thotë të jetë ndarë shumë i kënaqur me punën e bërë dhe se ka pasur çka të mësojë, përvojë kjo që do t’i shërbejë shumë në të ardhmen.
Arben Kasolli do që përvojën evropiane t’a sjell në Kosovë
Emra të njohur botërorë, që ruajtën portat e klubeve më të mëdha kanë ushtruar nën urdhrat e tij. Shumë portierë të rinj morën zanatin që është më delikati në lojën e futbollit e pas tërë kësaj përvoje nëpër Evropë e Azi, Arben Kasolli, trajner i portierëve i pajisur me licencën Pro A, tashti kërkon talente në Kosovë.
Arben Kasolli, që kishte nisur karrierën si portier në Shqipëri në ekipin Naftëtari, kishte kaluar në 17 Nëntori (tash Tirana), për të vazhduar më pas në Greqi në Ionikis të Athinës e më pas u renditën ekipet holandeze Ajax, Haarlem, AZ Alkmar e për të përfunduar karrierën si futbollist aktiv në NEC Nijemigen. Tashti ai ka një bagazh të madh duke qenë trajner portierësh, duke qenë pjesë e shumë klubeve të mëdha në Holandë, në akademinë e Ajax-it, përfaqësuesen U-17 të Holandës, Fulham në Angli e tash së fundi edhe në Arabinë Saudite në ekipet më të njohura të atjeshme.
Këtyre ditëve, ai ka zbarkuar në Kosovë dhe atë e gjejmë në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, teksa provon portierin e ri gjilanas Blendi Rahimi.
“E dua Kosovën dhe tashti dua që këtu të zbulojë talentë, të punojë me portierë të këtushëm dhe të nge profesionalizmin këtu”, thotë Arben Kasolli, që po i jepte shpjegime portierit të ri me të cilin pos në aspektin fizik punon edhe në atë taktik dhe psikologjik, që për portierët është shumë me rëndësi. Ai thotë se në Shqipëri, por edhe në Kosovë shumë pak punohet në mënyrë të veçantë vetëm me portierë dhe tregon për përvojat që kishte pasur teksa kishte punuar me portierët e njohur holandez si Merzo e Van der Sar.
Ai thotë se në Kosovë ka talente e Blendi Rahimi është një portier i tillë, i cili edhe më herët ishte provuar në Angli dhe tashti ka ardhur që edhe nga afër, në Kosovë të punojë me të. Për Blendin, ai thotë se mund të shpërthejë jashtë , ka gjatësinë dhe teknikën e duhur dhe tashti nevojitet vetëm punë. Kasolli, thotë se është i gatshëm që të bëhet edhe pjesë e shtabit të Albert Bunjakit në përfaqësuesen e Kosovës.
Blendi Rahimi: Evropë më prit
Për Blendi Rahimin, i cili sivjet po mbaron maturën, nuk ka asgjë më të dashur se sa topi i futbollit. Ai është rritur me të dhe ka kaluar nëpër të gjitha periudhat, të cilat duhet t’i kalojë një portier kulminant. Tashti, ai i ka vënë vetit një detyrë tjetër, që të gjejë angazhuan në ndonjë nga klubet e mëdha evropiane. Ai pati në përvojë të mirë në Angli, ku kishte qëndruar dimrin që e lam pas dhe atje la përshtypje të mira. Tashti, kur ai po e mbaron maturën, ai ka nisur një mision të dytë për të dalë në Evropë dhe është ai shkaktari që Arben Kasolli gjendet në Gjilan. Blendi, thotë se puna me Kasollin për të është një përvojë e re dhe se brenda këtyre pak seancave ka mësuar shumë gjëra që nuk i kishte ditur deri më tashti.
“Unë mezi po e pres rastin për t’u dëshmuar dhe për këtë jam i gatshëm, i përgatitur mirë dhe tashti nuk kam kurrfarë pengese që t’a arrijë këtë qëllim që ia kam venë vetit”, thotë i riu Blendi Rahimi, i cili e ka edhe përkrahjen e familjes së tij dhe sidomos të babait Bekimit, i cili gjithnjë i qëndron pranë dhe është shtytje në karrierën e tij prej futbollisti. /2L ONLINE/