Përurohet shkolla e mesme e Agrobiznesit dhe Teknologjisë

Gjilan – (2LONLINE) – Në Gjilan është përuruar të martën objekti i ri i shkollës së Agrobiznesit dhe Teknologjisë, një projekt ky me vlerë rreth një milion euro, që është realizuar në bashkëpunim me qeverinë daneze, përmes organizatës “DANIDA”.
Ministri Ramë Buja, i cili mori pjesë në përurimin e shkollës, tha se në arsimin e Kosovës po bëhen investime cilësore, siç është edhe ky objekt i ri, që duhet ta bëjë krenar Gjilanin, ku në tetor do të hapet edhe Universiteti Publik, për t`i dhënë epitetit edhe të qytetit universitar.

Për më tepër, ai tha se rëndësia e kësaj shkolle është shumë e madhe dhe i ka inkurajuar nxënësit që të orientohen në këtë drejtim.“Nuk ka shkollë më perspektive në Kosovë dhe rajon se shkolla e agrobiznesit”, ka thënë ministri Buja.

Sipas tij, arsimi ynë e ka tejkaluar rajonin dhe shumë shpejt do t`i arrijë nivelet e shkollave evropiane, që është pikësynim yni, i cili do të arrihet përmes rritjes së cilësisë, pasi që nevojat për infrastrukturë, që ka qenë pjesa më e vështirë e punës, tashmë po plotësohen, ka thënë ministri Ramë Buja.

Ndërkaq, kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, tha se sot po përurohet një objekt i rëndësisë së veçantë, që nuk është vetëm një investim një milionësh, por është më shumë se kaq, është investim disa milionësh, sepse është bërë në një sektor me mundësi të mëdha për zhvillim.

Mustafa ka thënë se shkolla e Teknologjisë dhe Agrobiznesit është specifike dhe i shërben gjithë rajonit. Ai u shpreh i vendosur për të vazhduar me investime tjera në këtë sektor me prioritet, derisa, siç ka thënë ai, arsimin ta ngrisim në nivel evropian.

Bujar Nevzati, drejtor i Arsimit tha se shkolla i ka të gjitha kushtet për zhvillimin e pjesës teorike dhe praktike, meqë asaj i janë dhënë në shfrytëzim 15 hektarë tokë, në mënyrë që nxënësit e saj të dalin plotësisht të gatshëm për punë. “Agrobiznesi është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit tonë”, ka thënë Nevzati.

Përfaqësuesi i organizatës “Danida”, Lars Ranfest tha se janë përcaktuar për këtë program, pasi që kishin vërejtur se në shkollat e Kosovës mungonte pjesa praktike e mësimit. Ai u shpreh i lumtur si donator, që kësaj shkolle, pos objektit të ri, i janë premtuar nga komuna 35 hektarë tokë bujqësore, ku tashmë janë ngritur sera, pemishte, mini-ferma dhe do të ngrihen edhe të tjera në të ardhmen.

Nëse këtu realizohet edhe projekti i konviktit, atëherë shkolla e Teknologjisë dhe Agrobiznesit në Gjilan, do të mund të garojë me shkollën amerikane të bujqësisë në Greqi, ka thënë Ranfest.

Në emër të shkollës, për këtë investim shumë të rëndësishëm për arsimimin e gjeneratave të reja, është falënderuar drejtori Nehat Salihu, i cili tha se kushtet për mësim, tani janë të mrekullueshme. /2lonline/

KOMENTE