(2LONLINE) – Me vetiniciativë të nxënësve të Gjimnazit “Zenel Hajdini” dhe me financimin e prindërve, është bërë sot përurimi i pusit në oborr të shkollës në thellësi prej 32 metra, i cili do të shërbej mjaftueshëm për nevojat e kësaj shkolle.
Në fjalën e rastit, drejtori i Arsimit Nazmi Musa, ka përgëzuar nxënësit për punën e shkëlqyeshme që kanë bërë, duke i krijuar pavarësi Gjimnazit “Zenel Hajdini” sa i përket çështjes së ujit.
“Të nderuar nxënës, ju përgëzoj për këtë punë të mrekullueshme që e keni bërë, me iniciativën tuaj, e cila po shënohet në ditën botërore të ujit. Kjo është një ide që është përkrahur financiarisht nga prindërit tuaj dhe do të jetë shembull për gjithë Kosovën. Ju lus që gjithmonë të vazhdoni me ide të reja dhe unë do t’ju mbështes gjithmonë”, ka thënë Musa.
Drejtori i gjimnazit, Sami Hoxha, e ka vlerësuar lart kontributin e nxënësve, duke thënë se Gjilani sot ka festë. Ai tha se “pa ujë nuk ka jetë, ndërsa ju nxënës jeni vetë jeta sepse me këtë aksion ju i krijoni madhështi Gjimnazit”.
Për këtë iniciativë të nxënësve të gjimnazit “Zenel Hajdini” është përkujdesur profesoresha Tevide Ahmeti. /2lonline/