DYLON

Përurohet objekti i ri i degës në Novobërdë të Gjykatës Themelore në Gjilan

Përurohet objekti i ri i degës në Novobërdë të Gjykatës Themelore në Gjilan
Avatar photo Redaksia

Dega e Gjykatës Themelore në Gjilan ka inauguruar sot objektin e ri në Novobërdë, duke shënuar një hap të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët e kësaj ane.

Në një ceremoni festive, ku morën pjesë, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i KGjK-së Albert Zogaj, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, nënkryetari i Komunës së Novobërdës, BajrushYmeri, kryetarë të gjykatave, gjyqtar mbikëqyrës, anëtarë të KGJK-së, përfaqësues të institucioneve të sistemit gjyqësor, të institucioneve ndërkombëtare, autoriteteve lokale, u theksua rëndësia e këtij objekti për avancimin e mëtejshëm të administratës gjyqësore dhe lehtësimin e qasjes të qytetarëve në shërbimet ligjore.

EkoHigjiena

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, gjatë fjalës së tij, theksoi: “Përurimi i këtij objekti është një hap i madh përpara në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe përmirësimin e kushteve për punonjësit e gjyqësorit dhe qytetarët që kërkojnë shërbime ligjore. Ky objekt është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe një investim i rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës gjyqësore. Ofrimi i shërbimeve më të afërta dhe të shpejta për qytetarët është një prioritet për ne”, tha ai.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, uroi që kjo degë e re të shërbejë për të gjithë qytetarët e kësaj komune, duke ofruar shërbime më të shpejta dhe më të drejta. Ai theksoi se është e rëndësishme të punohet për ngritjen e imazhit të sistemit gjyqësor dhe bëri thirrje që të gjitha palët të angazhohen në përmirësimin e tij. ’’Kushtet e krijuara do të ndikojnë si në rritjen e numrit të çështjeve që mund të shqyrtohen, ashtu edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve gjyqësore, duke siguruar një proces më të drejtë dhe efikas për qytetarët’’, tha mes tjerash.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, theksoi se, ky objekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të administratës dhe rritjes së transparencës në sistemin e drejtësisë. “Përmes këtij angazhimi, synojmë të krijojmë mundësi më të mira për qytetarët e Novobërdës dhe rrethinave, duke përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve ligjore”,tha ai.

Nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, shprehu mirënjohjen për këtë investim i cili do t’ju mundësojë qytetarëve kryerjen e shërbimeve të tyre në një degë, si dhe shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin me sistemin gjyqësor.

Objekti i ri është i pajisur me infrastrukturë moderne, duke përfshirë hapësira të përshtatshme për zhvillimin e procedurave gjyqësore dhe ambiente të rehatshme për pritjen e qytetarëve.

Ndërtimi dhe investimi në këtë objekt janë realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, ndërsa inventarizimi është kryer nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

KGJK falënderon Ministrinë e Punëve të Brendshme për mbështetje dhe investimet e rëndësishme që kanë kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore dhe krijimin e kushteve më të mira për shërbime më të shpejta dhe efikase për qytetarët. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.