Gjilan – (2LONLINE) – Të mërkurën në Gjilan, është përuruar gjimnazi i ri që është investim i MASHT-it dhe Komunës, në vlerë mbi 2.2 milionë euro. Ramë Buja, ministër i Arsimit, tha se qeveritë e mençura investojnë në arsim, kurse kryetari Komunës Qemajl Mustafa premtoi se do të vazhdojmë edhe me vepra të tjera, derisa t`i arrijmë shoqëritë e përparuara.
Buja ka thënë se dhuratë më të mirë për një komunë, se sa përurimi i një shkolle të mrekullueshme si kjo, nuk ka, ndërkohë ka premtuar se do të investohet edhe në disa objekte të reja arsimore.
“E mira më e madhe është se Gjilani më një tetor bëhet qytet universitar”, ka thënë Buja.
Kreu i komunës, Qemajl Mustafa, tha se ky objekt është i rëndësisë së veçantë, me arkitekturë e dizajn të bukur, i organizuar mirë e funksional përbrenda. “Ky është akt madhor për shkollën shqipe, të cilën qeveria e komuna po i bënë nxënësve të kësaj ane”, ka thënë Mustafa, që ka shtuar se gjatë tërë kohës është angazhuar për ta quar në vend kërkesën e qytetarëve.
Me këtë objekt, mësimi në gjimnaz kthehet në dy turne dhe me orë të plota. “Do të vazhdojmë edhe me vepra të tjera”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se komuna e Gjilanit po ecën drejt shoqërive të përparuara.
Në këto vite, shkollën e kemi trajtuar me prioritet dhe si diçka që është e shenjtë, pa i shikuar orientimet politike të askujt. Ambicie jona mbeten edhe tri objekte të reja për shkollën e Mjekësisë, të Arteve si dhe një shkollë fillore te tregu i gjelbër, ka thënë Mustafa.
Kurse, Bujar Nevzati, drejtor i Arsimit, tha se për këto gashtë vite të qeverisjes sonë, janë ndërtuar shumë shkolla në qytet e në fshatra dhe se është shtuar hapësira shkollore për mijëra metra katrorë.
Nevzati ka përmendur katër shkolla fillore, në Zhegër, Selishtë dhe lagjet tetë e dy në qytet, si dhe shkollën e mesme të Agrikulturës dhe “Don Bosko” që tashmë janë lëshuar në përdorim, sikurse dhe disa ankese, palestra e fusha sportive si dhe investime të tjera.
“Nuk do të ketë një kohë tjetër në historinë e arsimit që për kaq kohë të jenë ndërtuar kaq shumë shkolla”, ka thënë Nevzati.
Sami Hoxha, drejtor i gjimnazit, ka thënë se shkolla e re do të jetë motiv shtesë për të thelluar betejën për dije. Gjimnazi, tani me dy objekte shkollore, do të punojë në kushte normale dhe orar të plotë mësimor dhe jo në tri ndërrime siç ka qenë deri tani, ka thënë Hoxha. /2lonline/