Përse të agjërojmë!

Përse të agjërojmë!

Në rreshtat më poshtë do të bashkëbisedoni me përgjigjet e pyetjeve të rëndësihme në jetën tonë, si, Përse feja obligon agjërimin dhe çka të fakt është agjërimi? Çka përfitojmë nga agjërimi dhe përse njerëzit i gëzohen Ramazanit. Thjeshtë, përse agjëruesit përgjatë kohës sa agjërojnë kanë dëshirë të bëjnë mirë? Ku buron energjia që i shtyen njezëit të bëjnë mirë?

Mustafa BAJRAMI

****
Nëse shkenca u mor me atë si filloi jeta e njeriut në tokë, feja qëllimisht shpërfilli brengën e shkencës dhe u ndalë në histori, tek njeriu i parë. Shkenca edhe më tutje rropatet me atë se kur dhe si filloi jeta në tokë, ndersa feja për shkak të misionit që ka, që njeriun ta bëjë njeri, vazhdon edhe më tutje për njeriun. Edhe pse vende-vende feja flet edhe me gjuhën e shkencës, ajo detyrimisht i përmbahet misionit të saj; Njeriun ta ruaj si njeri. Feja insiston se historia fillon me njeriun dhe se për objekt të saj ka poashtu njeriun. Edhe shpallja e librave të shenjtë u bë për njeriun, edhe profetët u dërguan për njeriun, për njeriun u përkulën engjëjt, për te u krijua çdo gjë dhe në shërbim të tij është vënë gjithashtu çdo gjë. Sipas mësimeve të Islamit, epiqendra e gjithë ekzistencës është njeriu, rreth tij rrotullohet bota dhe për shkak të tij, një ditë do të shkatërrohet çdo gjë. Feja na mëson se edhe para Ademit kishte jetë, por jo histori. Sipas Islamit, pra, historia është jeta e njeriut dhe veprimtaria e tij.

Së këndejmi, Ademi është profeti i parë ndërsa Muhamedi a.s. i fundit. Detyrë parësore e të gjithë profetëve ishte besimi i drejtë në Një Zot. Njeriu që beson drejt në një Zot, që i përmbahet mësimeve të fesë është besimtari të cilin e lavdëron feja, ndërsa ai që nuk beson por është i vyeshëm për veten, për rrethin dhe për shoqërinë, edhe pse jo besimtar, feja kërkon që njerëzit ta respektojnë atë. Sipas fesë, e gjithë historia është një jetëpërshkrim i vetëm njeriut njeri, edhe nëse të tjerët janë, vetëm njeriu njeri ekziston. Feja thotë që Shkenca e Historisë është mësuese e mirë që na mëson mënyrën si të sendërtojmë të ardhmen me brumin e së kaluarën dhe mundin e së tashmes. Pa brum nga dje dhe pa mund prej sot e nesërmja është e rëndë sikur që pa njerëz si njerëz dhe pa elitë si elitë, historia nuk mund të sendërtohet.

Feja, sipas mësimeve që ja jep, për epiqendër duhet ta ketë njeriun. Atij i dedikohet dhe ashtu duhet të vazhdojë. Para njeriut nuk kishte fe sikur që pas njeriut nuk do të ketë nevojë për fe. Është gabim të thuhet se njeriu duhet të jetë në shërbim të fesë, sikur që është gabim të mos thuhet se feja është në shërbim të tij.

Sikur të gjitha shkollat tjera edukative edhe feja ka mjetet e saja për të edukuar njeriun. Agjërimi si mjet edukimi, pas besimit në Një Zot dhe pas namazit si lidhje mes atij që beson dhe Atij që i besohet është i treti për nga rëndësia në fenë islame. Feja islame mëson se agjërimi është fuqia e nënshtrimit, e baraspeshimit dhe e krijimit të harmonisë mes shpirtit dhe materiales në ne. Vënia në harmoni e shpirtërores me materialen është detyrë parësore e fesë islame, sepse shpërputhja e kësaj harmonie është derivat i veprimtarisë së djallit, si e tillë është vepër e dënueshme. Shpirti është timoni, trupi lokomotiva. Nënshtrimi shpirtit tonë si pjesë e Zotit në ne, në realitet është nënshtrim ndaj energjisë së brendshme e cila është më e lart se vet trupi material. Filtrimi i këtij të fundit më së miri arrihet nëpërmes agjërimit. Atje poshtë, diku në thellësitë tona të filtruara buron revolta e cila, nëpërmes agjërimit shndërrohet në qëndrueshmëri, në kthim kah vetvetja dhe në përgatitje për t’iu qasur jetës, të revoltuar. Kthimi ka vetvetja është marrja e fatit në duart tona, për tu përmbajtur dhe për të vazhduar më tutje të përmbajtshëm. Revolta të cilën e admiron agjërimi është lufta kundër imponimit material që vjen nga jashtë, që thyen harmoninë e brendshme. Profetët e Zotit janë modeli më i mirë që u revoltuan dhe u rebeluan kundër të ligës si pjellë e disharmonisë midis shpirtërores dhe materiales në ne. Revolta është thirrja në momentin e fundit për një jetë ku shpirti nuk pranon të shtypet ndërsa refuzon që materialen ta mbivlerësojmë apo nënvlerësojmë. Nga këtu, agjërimi si mjet i fesë është mësimi se si duhet të jemi dhe çka saktësisht nuk duhet të jemi. Ai thjeshtë është manifestimi i arsyes dhe i zërit të Zotit në ne.

Agjërimi në Islam ka rolin e sendërtimit të jetës mbi principin e harmonisë dhe të mesmes së virtytshme. Agjërimi e koncentron energjinë e vet në mesin e artë, ai nuk lejon tërheqje nga qoshet e skajshme te jetës. Ai është kundër çdo ekstremi, brenda dhe jashtë nesh. Ai dëshiron paqen dhe thërret ne paqe. Islami si fe e paqes thotë se paqja e vërtetë arrihet kur ajo fillimisht sendërtohet në brendësinë tonë, nga andej me familje dhe me mbarë shoqërinë. Ne të gjithë e dimë se kjo jetë është jetë brengash dhe sakrificash. Në çdo pore të saj haset në vështirësi pa të cilat jeta as që ka kuptim. Betejat mes të mirës dhe të ligës janë fakte të pashmangshme të ekzistencës tonë. Për shkak se jeta në kuptimin e saj fenomenal njeriut i prezanton edhe harmonitë edhe disharmonitë e saj, ne edhe më tutje do të kemi nevojë për diçka që na mëson si të ruajmë harmoninë e jetës. Harmoninë mes gjithçkaje që na rrethon. Kemi nevojë të ndjejmë thellë jetën melodike me natyrën. Ditë e më shumë po ndjehet nevoja për Zotin që kaq shumë kjo botë i është larguar. Përditshmëritë tona i fillojmë me frikë, netët e tëra i zbardhim duke qarë të kaluarën, duke u frikësuar prej të ardhmes. Agjërimi, në kuptimin e vet final pasqyron luftën morale për ti kapërcyer këto disharmoni, për t’iu afruar sa më shumë ideales. Kërkesa për jetë të qetë si kërkesë legjitime jona shpie kah nevoja për agjërimin i cili doemos duhet të kuptohet si nevojë e zotërimit të mjeteve të nevojshme për të triumfuar mbi të ligat që na rrethojnë.

Feja na mëson se njeriu është i lindur me predispozitën për të qenë i mirë. Mirëpo, shumë herë në mungesë të fuqisë së brendshme shpirtërore e herë-herë i ndikuar nga bota materiale e jashtme njeriu bie pre e instinkteve që dinë të bëhen egoiste e agresive. Agresivitetet janë shkelje apo tejkalime të kufijve të arsyes. Agresiviteti është rezultat subordinar i instinktit njerëzor. Agjërimi domosdo ndihmon që t’i nënshtrojmë instinktet arsyes. Njeri i virtytshëm është ai që udhëhiqet nga arsyeja që respekton ligjet e natyrës dhe të jetës në përgjithësi. S’duhet të harrojmë, agjërimi është adhurim, sikur edhe çdo sjellje e mirë që është akt adhurimi. Agjërimi i vërtetë nuk duhet kuptuar si ikje nga begatitë. Ai nuk guxon të kuptohet as si tërheqje mistike nga ku bota shihet si diçka që nuk mund të ndryshohet. Agjëruesi duhet të jetë në hap me kohën. Historia e Islamit është plot me ngjarje të suksesshme pikërisht në kohën e agjërimit. Agjërimi i cili nuk jep këto afinitete ai nuk është i vërtetë, nuk është kuptuar mirë dhe as që kemi njohur filozofinë e tij.

Nuk do të gabojmë nëse themi edhe një herë se agjërimi është fuqia e revoltit, e rebelimit kundër të ligës, kundër dhunës dhe padrejtësive. Ai është momenti kur shpirti qetësohet dhe merr energji të reja në të njëjtën kohë. Është vetëmohimi dhe sakrifica për të tjerët, që njeriun ta bëjë dhe ta mbajë brenda kornizave të njeriut njeri.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE