/2L ONLINE/ – Në një konferencë për media të Avdyl Jerliut, kryetar i Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjen e Stacionit të Autobusëve, i shoqëruar nga kryeshefi ekzekutiv Avni Hajrullahu, kanë bërë prezantimin e angazhimeve për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Me këtë rast, Jerliu ka thënë se për këtë periudhë mund të flasim për përmirësimet që kanë ndodhur në menaxhment, por edhe aspektet tjera të menaxhimit që janë në kuadër të kësaj ndërmarrjeje.
“Ndërmarrja e Stacionit të Autobusëve, në këtë periudhë mund të karakterizohet me përmirësime të ndjeshme si në aspektin e menaxhmentit, poashtu edhe në aspektin e resurseve që ka në pronësi, por edhe efikasitetit dhe korrektësisë në punën profesionale në dhënie të shërbimeve si ndërmarrje. Është problem që po e përcjellë ndërmarrjen sepse gjatë menaxhimit nga AKP – ja, janë krijuar obligime të mëdha, që edhe tani si ndërmarrje e re i janë trashëguar të gjitha. Aksionar kryesor dhe i vetëm në këtë ndërmarrje është Komuna e Gjilanit”, ka thënë Jerliu.
Ai ka potencuar se bordi i drejtorëve ka pësuar ndryshime nga ai i vitit të kaluar, për shkak të dorëheqjeve dhe por shkak të moskomunikimit mes anëtarëve të bordit, tejkalimeve ligjore të disa anëtarëve etj.
“Në fillim të punës sonë më pak se një vjeçare në mbledhjen e parë ne kemi pranuar dorëheqjen e ofruar nga Roselita Hasani, e cila ka marrë detyrën e re si prokurore në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pastaj disa muajsh dorëheqjen e ka ofruar edhe anëtari tjetër Xhelal Selmani, me arsyetimin se deri tek dorëheqja ka ardhur për shkak të moskomunikimit dhe mos koordinimit me kryesuesen e bordit dhe trupat e tjerë”, ka thënë ai.
Jerliu ka bërë të ditur se Komisioni i Aksionarëve në mënyrë unanime, ka shkarkuar kryesuesen e bordit Hatixhe Dakun dhe anëtarin Ibrahim Murati. Tash është emëruar një bord i përkohshëm deri në hapjen e konkursit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj.
Ai ka thënë se Ndërmarrja ka ende probleme, “por si komision do të angazhohemi dhe punojmë bashkë me bordin, për të eliminuar të gjitha problemet dhe pengesat që nuk janë në interes të ndërmarrjes dhe të aksionarit”.
Kurse nga ana e tij kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes së Stacionit të Autobusëve, Avni Hajrullahu, ka informuar mediat se për këtë periudhë ka një përmbushje të planit për 88 % të planifikimit.
Ai ka thënë se dy rekomandime që kanë ardhur nga bordi po punohet që të përmirësohet gjendja, e cila ka të bëjë me ngritjen e performancës në ndërmarrjen e Stacionit të Autobusëve.
“Rekomandimi i parë ka të bëjë me angazhimin e inspektoratit për përmbushje të objektivave dhe kryerjen e obligimeve që janë krijuar ndaj ndërmarrjes dhe rekomandimi i dytë është hartimi i planit të veprimit vetëm për grumbullim sa më të madh të të hyrave duke e bërë edhe një riprojektim të Stacionit të Autobusëve që na është ofruar mbështetje nga Komuna e Gjilanit, përmes zyrës së projekteve. Është hera e parë që nga themelimi i kësaj ndërmarrjeje, që Komuna e Gjilanit i ofron mbështetje Stacionit të Autobusëve”, ka thënë ai ndër të tjerash. /2L ONLINE/