DYLON

Përmbylljet edicioni i 16-të i Festivalit të këngës për fëmijë “LYRA”

Përmbylljet edicioni i 16-të i Festivalit të këngës për fëmijë “LYRA”
Avatar photo Redaksia

Më 1 Qershor 2025, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, qyteti i Gjilanit realizoi edicionin e 16-të të Festivalit të këngës për fëmijë “LYRA”. Ky festival, tashmë i konsoliduar si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për fëmijë në Kosovë, solli në skenë 17 këngë të reja premierë, interpretuar nga zëra të vegjël por plot shpirt artistik, thote drejtori i Festivalit LYRA, Kushtrim Jakupi, transmeton Portali 2LONLINE.COM.

Nën një atmosferë festive, festivali u hap me elegancën e grupit të vallëzimit “Dancing House”, ndërsa vogëlushja Niha Thaçi çeli natën garuese me këngën “Këndoj në festival”, një mbrëmje të mbushur me emocione dhe surpriza të bukura.

EkoHigjiena

Në mesin e interpretimeve, publiku pati mundësi të njohë artistë të rinj e të talentuar si Aria Kelmendi nga Peja, vetëm 7 vjeç, e cila emocionoi të pranishmit me këngën “Abetare”, një metaforë e bukur për hapat e parë drejt botës së muzikës.

Një nga momentet më të ndjera të mbrëmjes ishte homazhi për kompozitorin dhe themeluesin e festivalit, Isa Jakupi. Kënga “Manushaqja” solli një kujtim të gjallë për figurën e tij, ndërsa për herë të parë u nda edhe çmimi “Kompozitori Isa Jakupi”, një mirënjohje që ruan gjallë trashëgiminë e tij artistike. Ky çmim iu nda kompozitorit dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Sami Piraj, i cili ndër vite ka kontribuar me shumë krijime të bukura për fëmijë, transmeton 2LONLINE.com.

Gjatë mbrëmjes, moderator, artisti Fatmir Spahiu, me humorin e tij karakteristik solli freski dhe të qeshura në sallë, duke krijuar një lidhje të ngrohtë mes publikut dhe skenës. Ai falënderoi Komunën e Gjilanit, bankën TEB, RTK-në si dhe drejtorin e festivalit, Kushtrim Jakupi, për organizimin e shkëlqyer dhe idetë inovative, përfshirë animacionet digjitale të realizuara me ndihmën e Triola Jakupit, që sollën një dimension të ri vizual në skenë.

Për të respektuar kriteret profesionale, gara u nda në dy kategori: 5–9 vjeç dhe 10–14 vjeç, duke u dhënë mundësi të barabarta të gjithë pjesëmarrësve. Juria profesionale, e përbërë nga emra të njohur të muzikës si Sami Piraj, redaktoren e emisioneve për fëmijë znj. Shqipe Spahiu, si dhe mbështetësin shumëvjeqar të vfestivalit, z.Fatmir Parashtica, ndau çmimet e shumta për të gjithë pjesmarrësit, duke përmbyllur festivalin me duartrokitje dhe emocione.

Fituesit e Kategorisë së parë në Festivalin “LYRA” 2025 (mosha 5–9 vjeç)

Çmimi i Parë i kësaj kategorie i shkoi një zëri të ëmbël, plot ndjenjë dhe shpirt, që i këndoi dashurisë më të madhe në botë – nënës. Ajana Zhaku, me këngën “Nënës”, mahniti publikun dhe jurinë me interpretimin e saj të sinqertë e të thellë, duke marrë me meritë vendin e parë.

Çmimi i Publikut – Zëri që fitoi zemrat nga rreshti i parë e deri te shikuesit përtej ekranit! Vogëlushja Aria Kelmendi, me këngën e saj të ndritur “Abetare”, rrëmbeu përkrahjen më të madhe të publikut, duke dëshmuar se kur një fëmijë këndon me zemër, gjithë salla këndon me të.

Çmimi i Dytë u nda për dy interpretime të jashtëzakonshme që sollën në skenë dashurinë dhe pasionin për muzikën:

• Raesa Berbatovci, me këngën “Për ty nënë”, solli një performancë të ndjerë e delikate që prek çdo nënë në sallë.

• Dielli Durmishi, me këngën “E dua skenën”, dëshmoi një energji dhe dashuri të madhe për artin – një premtim për të ardhmen e muzikës.

Çmimi i Tretë – Dy këngë që sollën një freski e gëzim

• Niha Thaçi, që me “Këndoj në festival”, e hapi garën

• Buna Shillova, me këngën “Muzikë je frymëzim”, kujtoi të gjithëve se muzika nuk është vetëm art, por edhe forcë shpirtërore.

Çmimi Special – LYRA 2025 – Një shpërblim i veçantë për një performancë që solli bukurinë në skenë jo vetëm në tinguj, por edhe në prezencë dhe qëndrim skenik. Ky çmim u nda për Valëza Mecinaj, me këngën “Bukuria ime”, një interpretim i hijshëm dhe i ëmbël që qëndron në kujtesë.

Çmimi për Solisten më të mirë – Një vlerësim për zërin më të bukur dhe simpatik, interpretativ dhe shprehës. Uvejsa Sopjani, vetëm 5 vjeç, me këngën e saj “Jam si flutur”, u shpall solistja më e mirë

Fituesit e Kategorisë së dytë në Festivalin “LYRA” 2025 (mosha 10–14 vjeç)

Kategoria e Dytë e këtij edicioni solli interpretime plot elegancë, vokale të sigurta dhe mesazhe të thella dhe domethenese.

Çmimi i Parë – Ky çmim iu nda një zëri që u ngjit në skenë me qetësi, por u shndërrua në një pëllumb të bardhë – Sara Limoni, me këngën “Pëllumb i bardhë”

Çmimi i Publikut – Duartrokitjet e publikut por edhe votat e jurise shpërblyen një performancë që lidhi gjeneratat përmes një kënge që kujton prejardhjen dhe identitetin. Kenza Pllana, me këngën “Rrënjët tona”, duke sjellë në skenë një ndjenjë të thellë për origjinën dhe atdheun.

Çmimi i Dytë – Këto dy talente sollën ndriçim dhe ëndërr në çdo notë që kënduan:

• Dea Poniku, me këngën “Ti je yll”, përçoi emocion dhe delikatesë,

• Liana Bllaca, me këngën “Dua të fluturoj” me një interpretim të ngrohtë dhe shpirtëror.

Çmimi i Tretë – Dy interpretime që sollën dritë, ngjyrë dhe lëvizje në skenë:

• Aya Sylejmani, me këngën “Simfoni vere”, solli një atmosferë të freskët dhe të gjallë,

• Buna Hasanmetaj, me këngën “Balerina”, interpretoi me hir dhe stil te veqant,

Çmimi special – LYRA 2025 –iu dha një performance të veçantë që solli elegancë muzikore dhe një ndjenjë unike artistike. Dineta Abazi, me këngën “Minimatura po vjen”, solli një interpretim të veçantë që u dallua për stil dhe përmbajtje.

Çmimi për solistin më të mirë – Një zë i qartë, i pasur dhe teknikisht i realizuar në mënyrë të shkëlqyer. Ky çmim shkoi për Aron Musliu, që me këngën “Piano” i dha skenës një dimension të pastër muzikor.

Çmimi për Interpretimin më të mirë – Një performancë që la gjurmë me emocionin dhe përkushtimin që solli në skenë. Valëza Gashi, me këngën “Për ty atdhe”

Një moment i veçantë ishte ndarja e Çmimit të Parë nga përfaqësuesi i bankës TEB – z. Driton Latifi i cili edhe një here konfirmoi mbështetjen të cilën po vazhdon të jep ndër vite ky institucion. Në përfundim të këtij edicioni, festivali “LYRA” edhe një herë dëshmoi se është më shumë se një ngjarje muzikore – është një platformë edukative, artistike dhe njerëzore që rrit breza të rinj me dashurinë për artin, transmeton 2LONLINE.com.

Ne fund, Drejtori i festivalit LYRA, z. Kushtrim Jakupi potencoi se edhe përkundër vështirësive të cilat po paraqiten vazhdimisht, Festivali LYRA – Gjilan po vazhdon të ngritet nga viti në vit sikur në performancat artistike muzikore poashtu edhe aspektet tjera teknike, sidomos përdorimi i avansuar i teknologjisë e cila këtë vit filloi të aplikohet në pjesën vizuele/ skenike të festivalit. /2LONLINE/