Përmbyllet me sukses projekti për bashkëpunim ndërkuftar Gjilan-Çair
/2L ONLINE/ – Është përmbyllur sot në Gjilan projekti 18 mujor për bashkëpunim ndërkufitar “Valorizimi i zejeve tradicoonale Çair-Gjilan”, i financuar nga Komisioni Europian, i cili është implementuar në bashkëpunim me organizatën “Agro-Eko”.
Në ceremoninë e përmbylljes ka marrë pjesë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Zahir Bekteshi, përfaqësuesi nga zyra e BE-së në Kosovë, Dardan Sadriu, zëvendësministri i MAPL-së, Bajram Gecaj dhe zejtarët gjilanas, përfitues të granteve.
Në fjalën e tij, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi falënderoi Komisionin Europian për mbështetjen, theksoi se bashkëpunimi me Çairin ka sjellë përvoja të reja, identifikim të zejeve, si dhe grante për t’i ndihmuar në zhvillimin e veprimtarisë së tyre.
“E falenderoj shumë Komisionin Europian për mbështetjen në këtë projekt dhe dy projektet tjera, si donatori më i madh i Gjilanit gjatë këtyre dy viteve. Po paralajmëroj se ky nuk është bashkëpunimi i fundit me një komunë nga shteti fqinjë. Ne kemi bërë identifikimin e projekteve të përbashkëta me 17 komuna të regjionit lindje dhe pritet të hyjmë në projekte ambicioze”, tha Haziri.
Haziri ka falënderuar edhe qeverinë e Kosovës për mbështetjen në projekte, ndërkaq theksoi se Komuna edhe në të ardhmen do të vazhdoj t’i mbështesë zejtarët e Gjilanit.
Ai paralajmëroi se në muajin e ardhshëm, në Gjilan pritet të hyjë donatori më i madh, Qeveria e Austrisë, në investimet për përmirësimin e infrastrukturës, më saktësisht investimet në rregullimin e rrjetit të kanalizimit, shtratit të lumit “Stanishorka” dhe përfundimin e shtratit të lumit “Mirusha”.
Ndërkaq, Zahir Bekteshi, kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit, tha se me Gjilanin i bashkoi zejtaria, duke potencuar se këta të fundit me ndarjen e granteve janë avancuar, duke siguruar mirëqenien për familjet e tyre.
Dardan Sadriu, përfaqësues nga Zyra ndërlidhëse e BE-së në Kosovë, pasi ka falënderuar kryetari Haziri dhe ekipin për implementimin e projektit, pohoi se me anë të këtij projekti të bashkëpunimit ndërkufitar, kanë arritur që të japin kontribut në zhvillimin e ekonomik social, e sidomos për zejtarët me anë të ndarjes së granteve.
Zëvendësministri i MAPL-së, Bajram Gecaj, në emër të qeverisë së Kosovës ka përgëzuar Komunën e Gjilanit për përmbylljen me sukses të këtij projekti, duke shtuar se MAPL do të vazhdoj të jap kontributin në mënyrë që të thithen edhe donacione tjera për Komunën e Gjilanit.
Fjalë rasti kanë pasur edhe disa nga zejtarët përfitues të granteve nga Komuna e Gjilanit, të cilët kanë shprehur falënderimm për kryetarin Haziri dhe KE-së për mbështetjen e rëndësishme në zhvillimin e veprimtarisë së tyre.
Përndryshe, përmes projektit për bashkëpunim ndërkufitar, janë mbajtur trajnime për zejtarët, sikurse edhe janë ndihmuar me anë të skemës së granteve.
Pas përfundimit të ceremonisë, është bërë përuruar edhe renovimi i objektit të ish-ekzekutivit./2L ONLINE/
