DYLON

Përmbyllet me sukses Konferenca Ndërkombëtare Vjetore – UKZ AC 2025/ Shkencë, bashkëpunim dhe vizion për të ardhmen

Përmbyllet me sukses Konferenca Ndërkombëtare Vjetore – UKZ AC 2025/ Shkencë, bashkëpunim dhe vizion për të ardhmen
Avatar photo Redaksia

Nën organizimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u përmbyll me sukses Konferenca e Katërt Ndërkombëtare Vjetore – UKZ AC 2025, me temën qendrore“Teknologjia, Shkenca dhe Arsimi: Rrugët drejt një Shoqërie Inteligjente”.

Gjatë dy ditëve, konferenca mblodhi akademikë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve nga vendi dhe jashtë, duke ofruar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve, ndarjen e përvojave dhe diskutimin e sfidave bashkëkohore në fushat e arsimit, shkencës dhe teknologjisë.

EkoHigjiena

Në kuadër të konferencës, respektivisht në ditën e dytë të zhvillimeve të punimeve të saj,  u themeluan dy grupe të para hulumtuese. Grupi i Hulumtimit për Edukimin STEM i fokusuar në zhvillimin e metodave kërkimore në arsim, përgatitjen e liderëve të ardhshëm, nxitjen e të nxënit aktiv dhe zbatimin e vlerësimeve të besueshme në mjedise të bazuara në hulumtim, si dhe Grupi i Hulumtimit për Kompetencat në Matematikë me qëllim zhvillimin e të menduarit dhe arsyetimit matematikor, zgjidhjen e problemeve, modelimin, përdorimin e simboleve, formalizmave dhe teknologjisë.

Konferenca u organizua në sesione paralele, ku morën pjesë 210 studiues, të cilët paraqitën punimet e tyre shkencore në fusha të ndryshme. Disa nga sesionet kryesore përfshinin:

EduDay Conference me temën “Arsimi dhe Inteligjenca Artificiale”, Justice Conference kishte për temë “Roli i Shtetit të së Drejtës në Epokën Dixhitale dhe Ndikimi i Teknologjisë në Zhvillimin Ekonomik”, Economics Conference temë qëndrore ishte “Formësimi i Transformimit Ekonomik përmes Inovacionit dhe Teknologjive Digjitale”, DiGiDay Conference temëboshte kishte “Nga Sistemet Inteligjente drejt Shoqërive Inteligjente: Roli i Teknologjive të Reja”, MathDay Conference me temën “Matematika dhe STEM”, si dhe SocialScience Conference kishte si temë “Efektet e Transformimeve Politike, Ekonomike dhe Shoqërore në Dinamikën e Shoqërisë Ndërkombëtare”. Pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata për angazhimin dhe prezantimet e tyre.

Gjatë konferencës u theksuan disa rekomandime të rëndësishme, ku u sugjerua përfshirja më e madhe e mësimdhënësve dhe nxënësve në aktivitetet akademike, si themel i suksesit në arsimin e lartë, u theksua rëndësia e bashkëpunimeve të qëndrueshme me universitete me përvojë për të rritur cilësinë dhe autoritetin shkencor të UKZ-së, u rekomandua që thirrja për konferencën e vitit 2026 të hapet që tani, me qëllim që përgatitjet të jenë më të hershme dhe më të organizuara, themelimi i një reviste shkencore të indeksuar në fushën STEM si një hap për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe inkurajimin e botimeve shkencore cilësore, krijimi i një Shoqate të Matematikanëve Shqiptarë për të forcuar rrjetëzimin profesional dhe shkencor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

UKZ AC 2025 dëshmoi përkushtimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” ndaj cilësisë akademike, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të kapaciteteve kërkimore. Hapat konkretë të ndërmarrë në kuadër të konferencës përforcojnë rolin e universitetit si një qendër e rëndësishme shkencore në rajon dhe më gjerë. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.