Përmbyllen veprimtaritë letrare, “Shpalime pranë vere”
Shkrimtarin më së miri e nderon duke ia vlerësuar veprën e tij
Në ambientet e Bibliotekës së qytetit të Gjilanit, dje pasdite, nën organizimin e Ars Clubit “Beqir Musliu”, u përurua vepra më e re studimore e Shefqet Dibranit, “Artistikja në veprën “Orfeiana” të Beqir musliut”.
Ky libër studimor i Shefqet Dibranit, erdhi pikërisht në ditëlindjen e 81 tw Beqir Musliut si dhe në 30 vjetorin e mungesës së Tij fizike , që u shënua me një serë veprimtarisë letrare, nisur nga Tryeza letrare për krijimtarinë e këtij shkrimtari të shquar, që u mbajt në kuadër të “Flakës së Janarit”. Pastaj vazhdoi me paraqitjen e revistës “ill” të Tiranës, që iu përkushtua po këtij shkrimtari si dhe numrit më të ri të revistës letrare kulturore AGMIA, pagëzues i së cilës ishte vetë Beqir Musliu.
Po, pikë kulmore e këtij nderimi letrar, sipas Sabit Rrustemit, drejtues i Ars Clubit “Beqir Musliu” si dhe i shtëpisë botuese me të njëjtin emër e që e botoi këtë studim, këto veprimtari nderuese përmbyllen me këtë studim letrar, i cili pikëvështrim kryesor e ka njërën nga kryeveprat më të bukura të letërsisë shqipe, ORFEIANËN, e cila u botuara bashkë dhe me gjashtë vepra të tjera të lëna në dorëshkrim, para 22 vitesh. Kështu, sipas z.Rrustemit, shkrimtarin më së miri e nderon, duke ia lexuar dhe vlerësuar veprën e tij. Dhe ne, këtë u përpoqëm ta bëjmë përmes një vullneti të pashoq, me të gjithë ata e ato që na u bashkëngjitën dhe që ishin pjesë e këtyre veprimtarive.
Më pas , para një audience të përzgjedhur letrare, redaktorja e librit studimor të Shefqet Dibranit, Klejda Plangarica, poete dhe studiese letrare, paraqiti një vlerësim të detajuar rrth vlerave të këtij studimi gjithëpërfshirës, së cilës po me vlerësime tejet profesionale iu bashkangjitën edhe dy recensentët e librit, Nexhat rexha, poet e kritik letrar, si dhe Kaltrinë Berisha, poete dhe studiuese e letërsisë.
Takimi letrar përurues, që u drejtua kësaj radhe nga poetja dhe studiuesja e letërsisë, Blinerë Hajdari, e begatoi këtë nderim letrar edhe me krijime poetike nga krijimtaria letrare e Beqir Musliut, përmes anëtares së Ars Clubit “Beqir Musliut”, profesoreshës, Liridonë Mehmeti, e cila deklamoi poezitë, “Ora e Qytetit” si dhe “Dafrunga hyjnore”.
Njëkohësisht, nga organizatori i Manifestimit letrar “Muza e Agimit” , mbajtur me 2 maj 2026 në Zhegër, në nderim tw figures së heroit Agim Ramadani, u dhanë nga z. Qahil Halili dhe dy Mirënjohje; njëra për poeten Klejda Plangarica, si fituese e sivjeme e çmimit letrar, “Muza e Agimit” dhe tjetra për z. Gani Kryeziun, për kontributin vullnetar në përcjelljen, incizimin si dhe shpërndarjen e tyre për publikun, brenda e jashtë Kosovës.
Në përmbyllje, autori i librit studimor, ARTISTIKJA NË VEPRËN “ORFEIANA” TË BEQIR MUSLIUT, Shefqet Dibrani, u shpreh se ndihet i nderuar , madje dhe i privilegjuar që arriti ta rrumbullakoi këtë projekt shumë sfidues studimor për njërin nga figurat më të shquara të letërsisë bashkëkohëse shqipe, Beqir Musliut. Po edhe që po e përurojmë para një auditorium dhe një qyteti që e do, e mbanë gjallë dhe e shpërndanë në përmasa më të gjera këtë dashuri për librin e për shkrimtarin.
Vlen të përmendet se me këtë veprimtari letrare u përmbyll Manifestimi letrar, i treti me radhë, SHPALIME PRANË VERE, i cili mes periudhës kohore 18 prill – 20 qershor 2026, i realizoi katër veprimtari mjaftë përmbajtjesore letrare.
(Kurt Rexha)
/Ars Clubi “Beqir Musliu” Gjilan/
