Globalizimi përfshin po ashtu edhe fushën e arsimit, madje si fushat me rëndësi të veçantë për përhapjen dhe thellimin e këtij procesi, sepse ka të bëjë edhe me breznitë e sotme e të nesërme të të gjitha vendeve.
Nga: PhD. Can. Besjana Rexhepi
Ky problem nuk është thjeshtë çështje pedagogjike, por shumë më gjerë, e lidhur dhe e harmonizuar jo vetëm me jetën politike arsimore, por edhe me aspekte të tjera të politikave ekonomike, kulturore, shëndetësore etj.
Globalizimi në fushën e arsimit synon t’i afrojë nga njohuritë si qytetarin europian edhe atë të huaj qoftë anglez, gjerman apo amerikan, të cilat karakterizohen nga shumëllojshmëria, por të gjithë këta qytetarë do të jetojnë në një botë të lirë. (Murati. Xh, 2014, Tendencat Evropiane në Arsim, fq. 27, Tetovë).
Koncepti i globalizimit në arsim synon që arsimi i fëmijëve të jetë i përgjithshëm, si faktorë për zhvillim dhe emancipim të ketë fleksibilitet në përcaktimin e përmbajtjeve, qëllimeve etj. Vetë përmbajtja e globalizimit nënkupton diçka për të gjithë, por kjo nuk është unifikim për të gjithë, pasi të gjithë duhet të kenë shkolla me standarde të afërta, sisteme të përbashkëta arsimore, por që kanë edhe specifikat e vendeve ku funksionojnë, siç kanë edhe grupe shoqërore të caktuara, apo nxënësit me veçoritë e tyre individuale. (Kraja. M, 2006, Pedagogjia, fq. 368, Tiranë).
Profesor Xheladin Murati në tekstin e tij, (Tendencat Evropiane në Arsim, 2014, Tetovë), shkruan se globalizimi synon krijimin e sistemeve arsimore me kundër universal dhe dimension evropian. Kjo nënkupton sisteme bashkëkohore të njohurive mbi bazë të teknologjisë moderne, afrimin kulturor, pikëpamjeve që janë në funksion të zhvillimit global të demokratik të individit.
Ndryshimet në arsim dhe reformimin e tij Evropa e shikon si faktor që reflektohet në dimensione të rëndësishme si; të drejtat e njeriut ( respektimi i të drejtave të njeriut, realizimi i lirisë, barazisë), funksionimin e shtetit juridik, demokracinë dhe qytetarinë (përgatitjen e të rinjve për jetën në shoqërinë demokratike) dhe arsimim gjatë tërë jetës.
Arsimi për zhvillim global, mbështetet në pesë koncepte globale; koncepti për ndërvarësi, koncepti si e përceptojmë dhe e shohim botën përmes fotografive, koncepti për drejtësi sociale, koncepti për konfliktet dhe koncepti për ndryshime dhe qëndrime ndaj ardhmërisë, për të cilat mësimdhënësi ka një përgjegjësi të madhe në integrimin e tyre në procesin mësimor. Në anën tjetër përkushtimi i mësimdhënësit në arsimin ndërkulturor e kuptojmë si kusht i rëndësishëm për përparimin e marrëdhënieve shoqërore, ekonomike, politike dhe etnike.
Arsimin ndërkulturor mund ta trajtojmë edhe si koncept të teorisë dhe shkencës së pedagogjisë, e cila kërkon krijimin e vlerave kulturore dhe arsimore të cilat prodhojnë paqe, e jo konflikte, duke i vënë ato në funksion të përparimit, të prosperitetit dhe stabilitetit.
Determinanta themelore e arsimit ndërkulturor është të ndërtoj shoqëri qytetare demokratike dhe qëllimi kryesor i saj konsiston në faktin që shkollat të organizohen dhe funksionojnë në atë mënyrë që te nxënësit të zhvillojnë dituri, qëndrime, shkathtësitë e nevojshme për një botë të bashkuar ndërkulturore. ( Shabani. A, 2010, Nxënia dhe Arsimi Multikulturor në Shërbim të Demokracisë, nr. 5, Gostivar).
Studimi për multukulturalizmin dhe marrëdhëniet ndëretnike në arsim analizon situatën aktuale dhe kapacitetet e sistemit arsimor për të promovuar multikulturalizëm dhe përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike në vendin.
Në kohë të fundit, në media dhe në jetën publike vend të rëndësishëm zënë raportet për tendencën gjithnjë e më të shprehur për ndarjen e shkollave në baza etnike. Ka shumë studime dhe supozime të numërta për shkaqet themelore për këtë tendencë të cilat vënë në pah një numër të madh të dobësive në nivelin nacional dhe atë të shkollës.
Me Ligjin për arsimin fillor ndalohet diskriminimi në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, përkatësisë nacionale, sociale, politike, fetare, shoqërore dhe të pasurisë në realizimin e të drejtave të edukimit dhe arsimimit fillor.
Nga i gjithë shkrimi i sipërm kuptojmë se për t’i përballuar zhvillimet me karakter global në botë është shumë e domosdoshme që secili vend të krijoj mundësi për ngritjen e kualifikimit të punëtorëve të të gjitha shtresave të shoqërisë, përfshirë edhe mësimdhënësit po ashtu.
Kështu, është shumë e domosdoshme që të krijohen mekanizma të ndryshëm të cilët ofrojnë programe rikualifikimi apo programe të avancimit të njohurive të qytetarëve për rrjedhat e fundit në zhvillimet botërore në fushat përkatëse që ndërlidhen me profesionin e tyre.
Pra, është shumë e domosdoshme që të mësuarit gjatë gjithë jetës të jetë mundësi për të gjithë qytetarët dhe kjo është e vetmja mundësi që ata të jenë të gatshëm t’i përballojnë vështirësive të tregut të punës dhe aftësimit të tyre për ri sistemimin e tyre nëpër vendet e punës.
Prandaj mësimdhënësit shprehin gatishmërinë e tyre që të jenë në rrjedha të të mësuarit të përhershëm, për arsye se teknologjia është në përparim të vazhdueshëm dhe se ashtu siç përparon teknologjia përsoset edhe mësimdhënësi, paralel me të. (Morina. E, 2010, Globalizimi dhe të Mësuarit).