DYLON

Përkujtohen në 14 vjetorin e rënies Shaban dhe Sami Ukshini

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Me homazhe në varrezat e dëshmorëve të qytetit sot është shënuar 14 vjetori i rënies së Shaban dhe Sami Ukshinit, ndërsa në vendin e tyre të lindjes, në Zhegër është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar dëshmorëve, të cilët ishin pjesëmarrës në luftën për lirinë e Kosovës dhe atë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Me këtë kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka thënë se Shabani dhe Samiu, ranë dëshmorë, për të ndriçuar rrugën e lirisë, të zhvillimit dhe ndërtimit të vendit.

EkoHigjiena

“Sot është një ditë e dhimbshme, por të gjithë duhet të bëheni të fortë dhe të ndiheni krenarë që i patëm këta djem në mesin tonë, të cilët dhanë gjënë më të shtrenjtë për lirinë e shqiptarëve. I kujtojmë Shabanin e Samiun me përulje, të cilën ranë në altarin e lirisë që Kosova Lindore të bashkohet me Republikën e Kosovës, sepse ajo pjesë i përket shtetit tonë. Duhet të punojmë dhe të jemi unik që amanetin e tyre për bashkim të çojmë në vend”, tha kryesuesja Bunjaku – Rexhepi.

Ajo ka thënë se Komuna e Gjilanit në krye me kryetarin Lutfi Haziri ka një kujdes të veçantë në mënyrë permanente ndaj familjeve të dëshmorëve e martirëve të kësaj ane, sepse dhanë bijtë dhe bijat e tyre më të mirë, vetëm e vetëm që shqiptarët ta gëzojnë lirinë e sotme.

“Ne të gjallëve na mbetet punë me përkushtim të vazhdueshëm që amanetin e tyre për një jetë më të mirë në vendin e tyre, për një rini me kushte më të mira dhe zhvillim të përgjithshëm të punojmë bashkërisht të gjithë që atë ta bëjmë realitet”, përfundoi ajo.

Ndërsa Sabit Rrustemi, është paraqitur me një referat për dëshmorët, kurse në emër të Zonës Operative të Preshevës, ka folur ish Komandanti Mustafë Shaqiri, i cili jetën dhe veprën e dy dëshmorëve e ka përkujtuar me vendosmërinë e tyre për vetëflijim, në shërbim të lirisë dhe bashkimit kombëtar.


Ndërsa në emër të familjes, vajza e dëshmorit Shaban Ukshini, Haxhere Ukshini, i ka përshëndetur të pranishmit dhe i ka falënderuar për pjesëmarrje.

Më pas ka vazhduar programi kulturo – artistik me pikën muzikore nga Valmire Murseli, me poezinë e Mirsada Zejnullahut dhe Elmedina Isufit për ta përmbyllur me monologun “amaneti i dëshmorëve”, nga Adem Ajvazi./2L ONLINE/