Përkujtimi i demonstratave të 1981-shit

Përkujtimi i demonstratave të 1981-shit

/Nga Kryesia e Degës së SHBPK në Gjilan/

Femi HALIMI

Kryesia e Degës tonë të Shoqatës së ish të burgosurve politikë, më 11 Mars 2017 nga ora gjashtëmbëdhjetë -16 h, bëmë një ndejë në Hotel KRISTAL në Gjilan, kushtuar Demostratave të 11 Marsit 1981, përkujtimit të asaj dite dhe atij Viti të Madh. Të shumtët të pranishëm të Kryesisë së Degës kanë qenë pjesëmarrës të atyre ngjarjeve të mëdha, me të cilat u nis rrugëtimi i mbramë vendimtar për në liri.

Me këtë rast ishte në mesin tonë edhe një djalë i mirë, Kemajli thanë, -që e njihnim për një mrekulli shërimi që ka pasur, pasi tani ky djalë ecë krejt shlirë, – nga një gjendje që kishte qenë, me lëvizje të kufizuar në karrocë, – e i cili paguajti harxhimet për pijet dhe për këtë iu falënderuam dhe i falënderohemi edhe me këtë shkrim!

Të pranishëm të Kryesisë në ndejë ishin: Sabit Rexhepi kryetari i Degës, Faik Junuzi, Sejdë Kadriu, Eshref Kadriu, Mehmetali Rexhepi, Ramadan Dërmaku, Fazli e Selajdin Abdullahu, Murtez Limani, Shemsedin Hoxha, Sali Mala, Femi Halimi, si dhe Kemajli –musafir.

Iniciativën për këtë ndejë e pati Sejdë Kadriu anëtar i Kryesisë, e që pas fjalëve të para, Sejda foli në hyrje, për iniciativën për të përkujtuar 1981 –shin dhe ngjarjet rreth asaj kohe si dhe për kohët me rend deri tani, me plotësime e krahasime të të të gjithëve tutje në bisedë.

Ndeja kaloi shumë mirë, me shumë kënaqësi e afërsi vëllazërore, në përkujtim të kohës për rastin për të cilin ishim në ndejë. Të gjithë folën me rend për atë kohë, për kohët që pasuan pas si dhe për këtë kohën tonë tani. Pati mendime e ide si dhe përpjekje për të sheshuar shumë ngarkesa e dilema të atëhershme dhe të tanishme, duke vënë në pah të mirën tonë, por edhe të metat dhe shkaqet pse shkojmë përpara me shumë ngarkesa, të shumtat pa nevojë.

2-
Secili me rend përkujtoi atë kohë, disa veçime dhe spikatje, radhitjen nacionale andej dhe këndej si dhe krahasoi dy anët atëherë dhe tani, në lëvizjet e tyre pas caqeve, raporteve dhe forcave që bëjnë pushtetin gjithnjë, nga një nisje e dhimbshme e që shkojnë tutje deri në fund pas një pushteti joshës të jetës së rregulluar e standarde tjera.

Kryetari i Degës, baca Sabit, përkujtoi për vete sëpari, kur kishte lënë rendin e mirë, -shef në Fabrikën e Tekstilit ato kohë dhe i kishte hyrë rrugës së atdhedashurisë –për Republikën, të cilën ia kishte përmendë atëkohë në Hetuesi shefit të sigurimit të shtetit atëherë Selim Broshës, ia kishte spjeguar mirë e mirë arsyen për Republikën dhe e kishte befasuar atë shefin atëherë, për çka e kishin shpërblyer ata të sigurimit atëherë me rrahje e burg.

Ne atëherë tha baca Sabit, linim jetën e mirë e komode, ngritnim kryet për padrejtësitë e pushtetit jugosllav ndaj kombit tonë dhe se për këtë ata na arrestonin e na shkatërronin, por që për këto kishim një mburrje shumë të madhe, se e bënim për atdheun; po tani, ceku baca Sabit, lufta e ashpër deri në poshtërim e përulje të tmerrshme po bëhet në vetë organet e shtetit nga pushtetarët, për pagesa pa kufi përfitimesh e honoraresh dhe për pasurim të vetin.

Krahasoi fjalët e veta me fjalët e shumë të tjerëve ish të burgosur politikë, deri tek baca Adem Demaqi, e pastaj foli për këta tani që prej pas lufte kanë ligjësuar një rend jonjerëzor të bërjes dhe marrjes së pushtetit, mbajtjes dhe privilegjit, me shumicë pa meritë.

Folën edhe të tjerët të gjithë, ndërhyrën në bisedë dhe treguan një interes shumë të madh për bisedë në përkujtimin e 1981 –shit dhe në ndërlidhje me kohën e tanishme, që i binte se, -çka u bë tani, që ndërruam krejt dhe që nuk ka më as standarde e as norma që rregullojnë dhe mbajnë sjelljet dhe vlerat?!

3-
Këso fjalë, konstatime, me pak ndryshim, e me ndonjë rrëfim rasti të ndonjërit për vete u bënë gjithë ndejën. Porse pati më shumë mahi , që nuk linte që ndeja të rëndohej, siç ndodhë rëndom nga mbetjet në lloq të politikës. Të gjithë me rend e dikur edhe pa rend, treguan mahi nga jeta, nga puna, por edhe nga burgu!

Ramadan Dërmaku kujtoi të gjithë që ishin në arrest e burg për liri të atdheut, përmendi sakrifica rë rënda të veçanta, por veçoi kontributin e madh të heshtur të prindëve, grave, motrave, në përpjkjet e tyre nëpër burgje në vizita e ndihma njerëzve të vet, brenda e jashtë Kosovës, me shumë mund e harxhime, por me një qëndresë me mburrje dhe kurajë gjithë kohën. Veçmas përmendi njerëzit familjarë, me fëmijë, me pronë e pasuri, të cilët e kanë pasur më rëndë dhe që kanë humbur shumë dhe që edhe ky fakt është i heshtur, -tha Dani…

Selajdin Abdullahu çmoi rolin e ish t burgosurve politikë, me shumë shembuj e fjalë nga përjetimi vetë si dhe nga thëniet e shkrimet, duke paraqitur ish të burgosurit ppolitikë të kohëve të pas Luftës së Dytë Botërore, po veçmas të kohës 1064 -1981 bazë të nxjerrjes së UÇK –së më pas. Sela përmendi pozitën e të burgosurit i cili ka qenë mbrenda dhe ka pasë tortura të rënda, pa mundësi mbrojtjeje a ligji, që ishte më e rëndë se dalja në front të luftës, ku armiku është përballë a anash.

Sali Mala përkujtoi kohën e ndjekjes politike, burgun e gjatë tetë vjet, me të tjerë të familjes, -vëllaun e motrat, po edhe të krejt familjes. Përkujtoi edhe marëdhëniet njerëzore në vendlindje të helmuara nga pushteti, kur njerëzit nuk i kishin folur prindit të tij, a kur nuk i kishin lënë vend në xhami të fshatit, për shkak të konfliktit ideor politik po edhe diferencimit e leçitjes që e bënte vetë pushteti, duke përdorë për këtë njerëzit e vet aktiv politik e poverenikë!

Unë fola paksa për punën e zyrës së degës dhe për raste kontestues të pozitës së fituar të një personi, i burgosur politik i asaj kohe, me që dalin disa që kanë të drejtën e të burgosurit politik por që nuk janë të tillë, porqë kjo nuk u kuptua sakt nga shumica dhe pas ndërhyrjeve me disa anekdota të tyre, e ndërpreva bisedën dhe ia krisa edhe unë me humor!

4-
Në përgjithësi, ana jonë rajoni ky, nuk ka marrë në konsiderim ish të burgosurit politikë. Pushteti u bë si u bë pas lufte, mjeshtrit kush ishin e kush paguajti kush e di, porse pushteti u bë disi me njerëz të ardhur e të shkuar, nga lart e nga poshtë, kështu e ashtu, me ligj e pa ligj, me të mirë e me të keq, me dhuratë e me pagesa!…

U bë por nuk u bë si duhet dhe se ata që kontribuuan që të bëhet pushteti u heshtën dhe u lanë anash e larg pushtetit, punësimit dhe emërimit. Nëse e bëjmë të madhe, nuk bën, sepse për këtë nu duhet të shkojë liria dhe atdheu, porse që ia kanë nxjerrë bishtin, po! Le më se nuk u punua me rend e ligj diçka, por për çudi, në pushtet erdhën shumica, avanturistë, arrogantë e mohues të atdheut vetë gjithë jetën dhe për këtë thuhet mandej se kështu të këtillë janë të gjithë!

Në pushtet si përmendi dikush në ndejë, erdhën edhe armiqt, që kanë punuar për zhdukjen e këtij kombi, dhe që punojnë ende edhe tani njësoj kështu, -dhe përmendi emrin e djalit të një shefi të sigurimit serb të kohës së Millosheviqit këtu në Gjilan, të cilin e paskan marrë në punë, zyrtar diçka?!…Serbët e të tjerët edhe kështu edhe ashtu janë të punësuar të regullt shumë anembanë vendit me falënderim e pa falënderim, kurse kemi ish të burgosur politikë që kurrë nuk janë punësuar as i përmendë kush kund kurrë!

Kishte këso biseda kështu mjaft, por pasi ishim në vend publik të hapur, në pikën qendrore të sallës së hotelit, këto biseda ndërpreheshin dhe vazhdohej me mahi të njëpasnjëshme!

Shënova disa pjesë të bisedave nëmes shokëve, -nuk pati nga shoqet asnjë, -sa për të plotësuar tekstin dhe për të forcuar kujtimin për 1981 –shin, e për të mos bërë intervistë me personazhe drame sikur në portale e gazeta dite.

Fjalët e secilit ishin të të gjithëve dhe mjaftonte të fliste veçse njëri nga shokët dhe të fliste për të gjithë, -sepse ngjarjet e asaj kohe, që ngërthejnë gjithë vuajtjet e mundin e të gjithëve, ishin për të gjithë të njëjta me peshë dhe rëndësi.

KOMENTE