Përkujtim për Nijaziun e Lëvizjes!Femi HALIMI

Përkujtim për Nijaziun e Lëvizjes!

/Përkujtim për shokun e përkushtimit për atdhe, Nijazi Kadriu/

Shkruan: Femi HALIMI

Pjesa e Parë

Përkujtimi për shokun e përkushtimit për atdhe, Nijaziun, më është, tani kah pleqëria një kënaqësi! Në përvjetorin e ndërrimit jetë të Nijaziut, që ishte me datë në fillim të tetorit, desha të përkujtoj shoqërimin me të, që ishte jo si tani, por një shoqërim i veçantë, ilegal dhe me kujdes të madh. Thjeshtë atëherë këto shoqërime ishin në maturi dhe kujdes.

Ishin ato kohë kur me të njihesha në Lëvizje nëpërmjet një njoftësie. Në të vërtetë, Nijaziu ishte nga Ramabuqa, Malësia e Bujanocit, nga një familje bujare, e në të cilën familje ishte një kushërinë e jona e martuar. Ishte dada Rukë, e bija e bacës Ukë, vëllaut të babëgjyshit tonë, në Selishtë mbi Zhegër, nëpërmjet së cilës u njoha me Nijaziun, e jo nga lidhjet e Lëvizjes!

Nijaziu ishte me punë mësues fshati në Zarbicë derisa ra në burg për çështje atdhetare. E arrestoi pushteti atëherë dhe në fund e dënoi me shtatë vite burg të rëndë politik…

Nijaziu ishte mjaft temperament dhe që në fillim kërkonte të bënim njësinë për veprime të veçanta, një si speciale, siç ishte atëherë sigurimi shtetëror. Ai tutje kërkonte që të nisnim shpejt me veprime konkrete, me sulme fizike dhe ushtarake në teren, si dhe të bënim diverzione ekonomike, deri tek veprimet tjera strategjike që do të kishin efekt në rrjedhat shoqërore atëherë.

Nijaziu ishte për punë praktike dhe kalimin nga “materiali propagandistik” në veprime konkrete të dobishme, ku armiku do ta hetonte dëmin e dhimbjen, pasise mendonte se vetëm me këso masa armiku detyrohet të tërhiqet në mbrojtje e në negociata e do të ndalte dhunën masive të shfrenuar që ushtronte mbi popullatën shqiptare në tërë ish Jugosllavinë atëherë…

Ngasa ishim të njohur nga ata të sigurimit të shtetit, sigurimi përcillte veprimtarinë dhe nganjëherë bënte “arrestime në rrugë” të rastit, për kontroll dhe hetime, duke kaluar ata dyshimin atëherë në “veprime kriminale ekonomike” siç e quanin. Në të vërtetë ata vepronin ashtu që një përpjekje për punë, një tregëti, një trastë në shpinë te një i përndjekur politik dhe atdhetar për ta ishte shkas për kontroll, arrest dhe dërgim në Qendër për vërtetim. Nuk lejonin të punohej asgjë!

Ne në veprimtari bartnim qanta a trasta njëmend. Unë mbaj mend, kisha diçka për t’i përcjellë Nijaziut, e për ta përcjellë atë material me trastë -strajcë, nisa të shisja duhan, nga dy deri katër kilogram dhe me një lidhje të kombinuar të njërit, të cilit duhanin shkoja tek rruga e Kufcës, atëherë fshat serb i tëri, e ia shitja, në një vend të caktuar ku atëherë punoheshin qerpiqët.

Në rast të ndalimit atje nga sigurimi, që sillej kahmos, kisha spjegimin për ta, se duhanin po ia shisja një serbi, të cilin nuk e njihja përndryshe. Kjo edhe më ndodhi disa herë, derisa ata të sigurimit ma ndaluan rrebtësisht të shisja duhan dhe të dilja ashtu aty, o në vende tjera. Ata thjeshtë nuk linin as të punohej, as të bëhej ndonjë tregëti, as edhe një argat kund, pasise intervenonin menjëherë dhe prishnin punën. Ishin edhe shumë xhelozë në ne, në vend se të ishin xhelozë në gratë e veta që i kishin bërë sikur vetën!

Po si qëndronte puna e bartjes së materialit në të vërtetë? Trasta kishte sipri duhanin, kurse përfundi “materialin”Aty tek vendi ku bëheshin qerpiqët, pasi afrohesha me trastë krahut, nga trasta nxirrja “materialin”, e fshihja në vend të caktuar tek vendi i qerpiqve dhe dilja anash e prisja. Materiali kishte zakonisht dokumentacion propagandistik dhe dy a tri revole, municion për revole sa më shumë dhe ndonjë porosi të veçantë që e përcillte Lëvizja, të dikujtë te ndokush -për dikend.

Në punën në teren duhej gjithmonë pasur një revole gati në rast të përshkallëzimit të situatës, pasise ata ishin të sigurimit të shtetit, të një diktature absolute dhe të mjeteve të lira pa kufi në përdorim të dhunës. Më ka ndodhë poashtu që më kanë arrestuar dhe dikur më kanë liruar, pa më kontrolluar fare trupit dhe ashtu kam hyrë në sigurim të shtetit –në objekt, e dalë, me armë në brez. Atëherë nuk ka pasur zbulues si tani!…

Nijaziu vinte rrugës nga fshati serb dhe e merrte materialin e kalonte në Dhe të Bardhë, kurse unë kthehesha prapa deri në rrugë të Bujanocit për në qendër të qytetit. Ndodhte që kur vinte sëpari më dhuronte një revole, që ishte e veçantë dhe mandej kryenim punë çka kishim, mandej ndaheshim!…
Me Nijaziun më lidhi edhe një ngjarje, edhe më e madhe se kjo “shitja e duhanit” kah Kufca!…

Ishte një punëtor operativ i sigurimit nga Shqipëria, që vinte këndej dhe me të cilin takoheshim dhe që na sillte material shumë dhe për më tepër edhe diçka dinarë atëherë, për shërbime e pagesa në teren! Ai operativi, me nofkën “Doda” ashtu, vinte e takohej me Nijaziun dhe mandej Nijaziu dërgonte dikend tek unë për njoftim, se ku duhej të dilja e në sa ora, të takohesha me të dhe me musafirin e shtrenjtë nga Shqipëria. Ne atëherë nuk e pranonim se Shqipëria ishte shtet në vete e ne këndej Kosovë a Jugosllavi. Shqipëri për ne ishte edhe këndej e deri tek kufiri bullgar thuajase dhe kufijt jugosllav nuk i përmendnim fare.

Ashtu, ai “Doda” kur vinte, na sillte çkamos dhe na gëzonte! Shpesh buante tek unë, që isha në shtëpi me babën dhe një motër atëherë dhe “e bënim mëngjes”!…Kur ramë në burg, ata të sigurimit pas gjashtë muajve hetuesi, nisën vrullshëm një hetuesi të veçantë një mbrëmie e deri në mëngjes, mu rreth atij Dodës. Kishte qenë një informatë që kishte depërtuar deri tek sigurimi i shtetit nga një person i lidhjes në besim, i cili kishte rënë në burg dhe që kishte treguar rastin, sigurisht për ta nxjerër vetën. Hetimi zgjati një javë pa ndërprerë. Ata donin nofkën e operativit dhe dinin se kishte buajtë tek unë disa herë.

Shefi i sigurimit atëherë në Gjilan, Selim Brosha më kërkoi ta tregoja rastin, kush kishte qenë ai operativ i Shqipërisë dhe më ofroi edhe të mira, që të dilja e ta takoja atë Dodën e t’ua “jipja” atyre, me shpërblim të madh. Pas do kohe mandej erdhën prej Beogradi të sigurimit, të cilët më ofruan të më bënin drejtor në Kompleksin Hotelier “Brezovica” për shkëmbim të informatës dhe punës në teren. U thashë se nuk dija se çka po kërkonin, se ishte ajo një sajesë e kotë e sigurimit në Gjilan, nga një informatë e rrejshme të cilën e kishte bërë ndokush nga mundimet, e tjera.

Por me të mirë u thashë diçka edhe me humor! U thashë se nuk isha për drejtor, pasise komor nuk luaja, rakinë nuk e pija dhe pas grave të hallkut nuk shkoja!…Kjo pikë humori çuditërisht ndikoi tek ata nga Beogradi sa ata shpejt heshtën dhe ikën, por as sigurimcat e Gjilanit më nuk e bënë të madhe atë punë dhe vetë shefi i sigurimit më tha më në fund se më nuk do të bënte hetime për atë rast, anise ma bëri me dije se “ sigurisht se rasti është i vërtetë dhe se po e dinte edhe emrin e atij operativi”!

Sigurisht se i njëjti hetim ishte edhe tek Nijaziu dhe se edhe tek ai kishte përfunduar hetuesia njësoj dhe rasti ishte shuar e heqë nga hetuesia më tutje. Me këtë desha të tregoj punën e atëhershme në besim që bëhej me të vërtetë në besim, e që tani pak ka kush e beson dhe e pranon, për më tepër ndij nganjëherë nga njerëz “seriozë” se si “shokët e burgut atëherë kanë dhënë njëri –tjetrin” dhe se këta njerëz seriozë që flasin ulët e me poshtërsi atëherë ishin njerëz të pushtetit, siç janë edhe tani për fat të keq…

Liria erdhi por drejtësia mungon dhe një pushtet që ishte, po me ata njerëz, është edhe tani, me ata të pushtetit atëherë o me pasardhësit e tyre tani, e kështu. Me liri e me njerëz të prishtë nuk mund të mbahet pushteti as vendi, sepse ku nuk ka drejtësi, edhe liria kthehet në robëri edhe pa armik mbi krye.

Në hyrje të Bujanocit nga veriu ishte një kazermë ushtarake dhe për të Nijaziu pati thënë të shkonim e ta “vizitonim”. Në mbrëmje njëherë dualëm atje, një shtatë veta dhe kur u afruam, për sherr njëri nga grupi u fjalos diçka me një serb pran kazermës, në kalim, e ku pak më tutje ishin disa ushtarë në roje dhe të lirë.

Ky që nisi fjalosjen me serbin, i ra mandej atij një dy shuplaka. Në atë, vrapuan serbë nga rruga disa, po edhe ushtarët dhe nisi një rrahje, ku përfundoi me shtrirjen përtokë të të gjithë serbëve. Mandej në tërheqje erdhën nga qendra dy vetura të policisë ushtarake me nga dy policë, të cilët kërkuan të ndaleshim dhe të dorëzoheshim, në çka pasoi përleshja e dytë dhe nga e cila njësoj mbetën përtokë edhe ata katër policët ushtarakë.

Ashtu mandej u tërhoqëm anash qytetit, që ishte nga Tërnoci, që unë nuk e dija atë teren, vetëm se pasi grupi u shpërndamë, njëri nga grupi më tërhoqi anash dhe më tha ta përcillja atë. Ashtu disi kaluam në Tërnoc, ku u ndalëm në një shtëpi tek shtëpitë e para, e cila shtëpi kishte qenë e njërit nga grupi dhe me aq përfundoi e tëra ndodhia atë mbrëmie e nuk u përmend më.

Kështu, me Nijaziun u shoqëruam ato kohë, nëpërmjet njohjes miqësore pasise kushërina dada Ruki ishte tek ta, kurse asaj i tregoja një shkas gjithmonë për shkuarje tek ta e shoqërim me Nijaziun, që ishte një tregim “për tregti me duhan”!…

Familja Kadriu kishte shumë të burgosur politikë që tregon se kishin një traditë të fuqishme atdhetare të trashëguar, të malësorëve të fuqishëm me moral dhe nder burrash…

Nijaziu mandej u zgjodh Kryetar i Degës së Shoqatës të ish të burgosurve politkë të Kosovës për Gjilan dhe vazhdoi punën deri sa u sëmur rëndë. Gjithë ai mund i njerëzve të lëvizjes bëri që me kohë të vinte deri edhe te formimi i njësive të Ushtrisë Çlirimtare, të cilët ushtarë të parë ishin mu nga ish të burgosurit politikë, e që në anë tonë të Gjilanit nuk u çmua, as u nderua, as u ndihmua. Kurrë nuk pati në pushtet një ish të burgosur politik, as u afrua ndonjë kurrë, siç ishte kjo në komunat tjera në Drenicë e Dukagjin.

Gjithë pushteti më vonë në liri u bë nga të njëjtit njerëz, që ishin pjesa dërmuese “jugosllavë” dhe në luftë të tmerrshme për pushtet personal, pozita, pasurim, e me to për lakmi për grabitje, pa drejtësi e pa ligj. Për këtë kemi edhe tani këtë gjendje që kemi, sa vetëm amerikanët ende janë si janë e nuk lënë të kthehet armiku, se sa për njerëz tanë, kahmot kanë “shpenzuar gjithë çka patën” që i lidhte me lirinë!…

Pjesa e Dytë e tregimit

Tradita që vazhdon!

Kushtrim Kadriu

/I biri i Nijaziut Kushtrimi, tani punon në Bibliotekën e Qytetit në Gjilan/

E takova në rrugë para Postës së Qytetit dhe në bisedë e sipër u muarëm vesh të bëja një intevistë me të, për të e për babanë Nijaziun, edhe në përkujtim të përvjetorit të ndërrimit jetë, me datë në fillim të tetorit, në çka Kushtrimi më tregoi kohën kur po punonte në Bibliotekë dhe më afroi të shkoja të nesërmën nga 16: 00 -18: 00 ora, kur ishte edhe i lirë dhe i vetëm në vend pune pasi do të zëvendësonte një shoqe pune që ishte për një punë të vetën e liruar nga puna për atë mbrëmje.

Ashtu shkova të nesërmen në mbrëmie, më 08. 11 ga ora 17: 00 dhe me Kushtrimin e bëra këtë intervistë për të, me një ide që nga dy tema të nxirrja një temë. Tema e parë ishte ide për Nijaziun, kurse e dyta për Kushtrimin. Kjoi ide më erdhi mirë pasise edhe përputhej dhe ishte me vend, sepse edhe Kushtrimi kishte shkuar rrugës së babasë s tij Nijaziut, me aktivitet e përkushtim atdhetar.

Më erdhi interesant që në veprimtarinë atdhetare të kishte një vazhdimësi nga i ati tek i biri, pasi se kjo tek ne ndodhë shumë rrallë, por Kushtrimi është shembull konkret i vazhdimësisë së punës atdhetare nga i ati tek i biri! Për më tepër edhe i ati i Nijaziut –gjyshi i Kushtrimit kishte qenë atdhetar dhe burrë i traditës malësore të asaj ane!

Kushtrimi përveçse është veprimtar shembullor në bibliotekë të qytetit, është edhe aktivist politik. Është kryetar i lëvizjes qytetare VATRA, një asociacion qytetar i banorëve të anës së Hashanisë, malësisë së Bujanocit, që jetojnë tani në gjilan, e të shpërngulur me dhunë o me ngushtim social nga vatrat e tyre e të ardhur në Gjilan që pas luftës. Mu sikur babai edhe Kushtrimi vazhdoi aktivitetin atdhetar për kombin dhe ky është rast i rrallë ku i biri vazhdon veprën e babait!

Kushtrimi ka shtëpi të vet, është qytetar i respektuar dhe pagues i rregullt i tatimeve, pa fshehje të pronës e tatimeve, respektues i ligjit, si dhe punëtor i madh në shumë lëmi.është edhe këshilltar ligjor i përkohshëm i firmave private.

Për Lëvizjen Qytetare VATRA Kushtrimi thotë se ka një organizim dhe përpjekje në mundësitë që ka por që ka pak përkrahje institucionale. Pikëpamjet politike të kësaj lëvizje sipas Kushtrimit janë kthimi i teritoreve shqiptare shqiptarëve, të cilat u ishin marrë në kohën e hershme të pushtetit jugosllav e u ishin dhënë Serbisë.

Në vazhdim Kushtrimin e pyeta edhe për jetën personale dhe kohën e lirë dhe tregoi se kishte kohë të rregullt për fitnes, për sport, për muzikë, veçmas për kitarë, mandej se kishte hobi udhëtimet, vikendet, leximin, arkivat, dokumentet, mësimet nga të diturit e botës!

Me këtë edhe arrita disi të bëj nga dy tema një të tërë të rëndësishme dhe për të marrë shembull për të mirë se si vazhdohet tradita burrërore e përpjekjes e sakrificës për kombin e atdheun nga babai tek i biri dhe si bëhet atdhetarizmi traditë që vazhdon!

KOMENTE