DYLON

Përkujtim për Librin

Avatar photo Redaksia

Nga: Femi HALIMI

Libri në kohën tonë treti. Thjeshtë nuk ka më libër. Ka botime dhe këto botime quhen libra, por libra nuk janë. Libri është një tregim dhe ky tregim është për të gjitha tregimet që humbën. Se si ndodhi kjo kështu me librin është tregim në vete .

EkoHigjiena

Çdo ngjarje ka tregimin dhe nuk mund të ngjajë a të ndodhë diçka e të mos ketë një tregim. Edhe një fjali e vetme që ruan një ndodhje ka një tregim. Për më tepër edhe poezia e sajuar me dy –tri vargje e që krijojnë një kuptim të pavarur, kanë një tregim.

Tregimi që ishte gjithmonë, me kohë u përmblodh, u shkrua në rrotulla dhe u ruajt dhe kjo kështu u quajt libër. Librimi doli shprehje që spjegon kuptimin e veprimit për të libruar a shënuar ndodhjet a ngjarjet me rëndësi. Ishte ky veprim me shumë rëndësi dhe me kërkesë të mbretërve sëpari. Shkruesit –skribët duheshin të ishin të saktë dhe të drejtë në shkrim për nevojë të mbretit…

Tani kështu ky libri i ndjeri, rahmetlia, ndjesë pastë, ishte sa ishte e si ishte, por tani nuk është më. Le më se nuk është më, por edhe kur është, ai i vjetri, më mirë mos të ishte. Tani ky libri që është, e që ishte doherë, ka mbetë në duarë të matrapazëve rrugëve, në trotoare, për të keq. Më mirë shkon një thes me miell të kallamojtë a me fasule, -sëpaku shitje do të bëhet, -se të ekspozohet libri skaj rruge, gjithë ditën kot.

Kështu ky libri ma përkujton mallin e kontrabanduar për ndihma humanitare që përfundon në rrugë në shitje për mëshirë “të shitësit që mba familje”. Njerëzia, enden trotoarit të sheshit poshtë e lart, sepse e kanë shetitje të domosdoshme për shëndet o për kot, dhe sakaq ndonjëri afrohet tek librat dhe kalon një kohë me to në “meditim”në heshtje. Unë shpërndaj dhe shes libra vetë dhe më ndodhë që shumkujtë i kam thënë se nëmos ka ardhë në të “pame”?!…

Por, tema është për librin!…-Libri ishte por nuk është më. Nuk është më sepse nuk shkruan më kush libra, as boton, e as lexues nuk ka më. Kështu vdiqën të gjithë me kohë, -libri, shkruesit, botuesit, lexuesit!?…Më kujtojnë njerëzia shpesh se leximi ka rënë shumë dhe unë në këtë i pyes se kur ka pasë lexues tek ne që të bjen tani leximi?!…Ndërkaq kur afrohen njerëzia e “meditojnë” kohë të gjatë mbi librat, më bëhet se unë jam ai që duhet të pranojë ngushëllimet për librin dhe kjo më duket fisnike!

More vdekjen e ka lënë Zoti dhe po të ishte libri se vdiq dhe shkoi, thjeshtë kjo kuptohet prej njerëzve dhe biseda ka një derë. –Shkoi, shkoi!…-Kemë pasë prindë, e na kanë shkuar, e do të shkojmë edhe vetë, me rend!…Por kjo vdekja e librit është paksa e rëndë. Le më se libri vdiq, por la keq pas vetës. Keq pas vetës ishte gjithmonë vdekja me bela prapa. Libri la prapa bela…

Libri kështu nuk është më, por biznesi me librin vazhdoi! Në emër të librit kështu edhe mëtutje në vazhdim, sikur mos të kishte ndodhë ndalje e jetës së librit, -botohet libri, dhe pretendentët e rinjë thonë se libri tani është më i fortë dhe i rikthyer ku e ka vendin!? Këta biznesmenët e librit pohojnë se libri në të vërtetë mëparë nuk ishte kurrë, sepse nuk mund të ishte, për shkak të rrethanave politike, e se tani në liri, libri po shkruhet e botohet, si duhet e si i ka hije.

Krejtë në rregull sikur të ishte kështu si po thonë dhe si duhet të jetë me të vërtetë, mirëpo e vërteta nuk shkon pa arsyen dhe e vërteta e lodhur lindë arsyen të vdekur.

Biznesi me librat filloi që para lufte, me tenderët e qeverisë, kush ishte afër e prapa presidentit e të mëdhenjëve dhe kush kishte fatin të mbrohej nga partia. Me marrëveshjen me të fortët biznesmeni fatlum hynte e botonte dhe ribotonte libra me shumicë, me kontigjente dhe këtë të gjithën e mbulonte me reklamën e biznespatriotizmit për të mirën e kombit dhe vendit.

Nuk bëhej gjë pa përmendë interesin e kombit sepse fshehja prapa kombit siguronte kontigjentin e botimeve pa masë dhe një fitim të lehtë e të shpejtë marramendës. Këta ishin të mençurit që u strukën pas të mëdhenjëve dhe në dashurinë për liderët e shenjtë.

Më ndodhi njëherë para lufte, që njërit të këtillë i thashë se edhe unë e dua shumë presidentin dhe ai në këtë u mërdhez, u nxi dhe dikur shpërtheu me fjalë të ulëta, e më tha disi:..

.”Nuk është e vërtetë dhe nuk mund të jetë e vërtetë…Ti nuk e don atë dhe nuk mund ta duash, sepse…ti ke qenë politikisht në burg”…

Ishte në të vërtetë kundërshtia që edhe unë ta doja presidentin, sepse ta doje atë ishte konkurencë në biznes. -Këta kështu e donin, sepse përndryshe të tillët nuk i donin prindërit e vet, e do donin presidentin!?…

Pas lufte, e njëjta gjë vazhdoi, por tani me përmasa edhe më të mëdha. Vazhdoi botimi i librave shkollorë me konkurencë e me grante nga qeveria, për tri varian te, -nga tri partitë në pushtet! Fëmijtë kishin si iu kujtohet nga tri libra leximi, tri libra të matematikës, tri libra të Abetares!?…

Ndodhi kjo kështu sepse në pyetje ishin fitimet milionëshe fikse! Veç dashurisë për presidentin pas lufte u shtuan edhe dashuritë për Thaqin dhe Ramushin dhe kështu konkurenca që pasoi me marrëveshje në krye, se nuk pati mundësi që vetëm një të ishte, përfundoi me tri dashuri për liderët e stërdashur dhe me kulaqin të ndarë në tri pjesë.

Të gjithë e bënin sërish për dashurinë e madhe për liderët, që unë kurrë nuk u besova, porqë biznesi u bë kështu në tri pjesë, sepse biznesi nuk ka dashuri por ka fitim të parave të shumta, pa djersë. Të mençurit si gjithmonë, duke u radhitur e ngjeshur me bërryla e shtyerje për jetë o vdekje pranë e prapa liderëve karizmatikë, përfituan më së shumti dhe tani kemi këta milionerët si gjithë milionerët tjerë të sferave tjera, njësoj të bërë e të lyer!

-Të duash, të dish kend ta duash, dhe të jeshë një biznesmen milioner, -disi kurrë nuk ma kapte mendja!? Biznesmenët nuk duan asnkend, as familjen e vet, as prindërit, e po si po kanë zemër të duan liderët e tyre, -pyesja vetën. Më kujtohej nga koha e socializmit të hershëm kur për sharje të nënës parti ishin vrarë njerëzit nëmes të qytetit disa herë…Biznesi ka një rend të çuditshëm masonësh që lidhen me një dashuri të panjohur për ne.

Me përfundimin e librit në duarë të biznesmenëve masonë, libri vdiq, siç ngordhë një peshk i nxjerrur në zallë jashtë ujit. Në brendësi të masonëve nuk ka atmosferë dhe dashuria e tyre është krejtë me karbon e hidrogjen, por në ta ka diçka mbitokësore që gjallon dhe kjo kalon caqet e kuptimit të mendjes. Vështirë është të dihen e kuptohen rrugët e tyre dhe sukseset!?

-II-
Pasi nuk kishte më motiv për librin, libri edhe treti. Mbet veçse libri lektyrë për filloristët e shkollarët e mesëm dhe për ndonjë dashamir të librit tektuk këtu –atje. Libri ishte gjithmonë libër, me përmbajtjen e vet, me kriteret e veta, me të vërtetën, me mësimin dhe me bukurinë artistike. Tani por, pasi mjeshtrit nuk e përcollën zanatin e vet tek të rinjtë, librin më nuk din kush ta shkruaj e botoj.

Por pasise biznesi ishte i madh me “librin”, edhe me shkrimin e botimin e librit u morën një masë e madhe autorësh. Libri përveç se ishte lektyrë e domosdoshme, duhej të ishte libër edhe siç ishte libri gjithmonë dhe që të thuhej e vërtetohej se edhe në kohën tonë, si gjithmonë, ka shkrues dhe botues të librit dhe se në këtë gjithçka është në rregull.

Kështu edhe në sferën e botimit të librit artistik dhe autorial vazhdoi botimi. Pasi nuk kishte motiv më për çka të botohej libri, ky libri në vazhdim, u bë libër “pasqyrë” dhe “kronikë”. Në këtë librin që vazhdoi, nuk mbet tjetër çka të thuhej përpos të rishkruhej e kaluara dhe e shkuara. Rishkrimi dhe përmirësimi i së kaluarës kështu u bë motiv i vetëm i shkrimit dhe botimit të librit artistik në vazhdim. Kronikat familjare, me hallat, tezet, kusherinjtë, dajët e nipat, me fotot dhe me tekstet madhështore përfundi nisën të bëjnë librin e ri të vërtetë të kohës.

Duke përmendur një luftëtar lirie a një hero të kombit cilindo, përmbajtja nisi të bëhej ndryshe, deri në atë masë sa të banalizohej e tërë çështja. Edhe ata për të cilët kurrë nuk u përmend gjë as nuk di kush gjë se bënë diçka ndonjëherë për atdheun, tani në librat e rinjë kemi risi figurash të tilla me të bëma shumë të mëdha për atdheun dhe figurat markante të kombit u shumuan e shumohen në përmasa të çuditshme!

Njeriu mendon se nëse paska qenë kështu, i gjithë populli paskan qenë luftëtarë të tmerrshëm gjithë kohët dhe ndaj çdo pushtuesi. Nuk mund të shkojnë tok vetëmse të vërtetat e robërive të përhershme që pati populli ynë me shekuj, -si dhe dëshmive se të gjithë paskan qenë luftëtarë, njësoj dhe në çdo kohë e në çdo mënyrë!? Etj.

Rrethant e reja mundësojnë një lojë të vërtetë me faktet dhe të vërtetën nga e kaluara, pa asnjë kriter dhe pa asfarë përgjegjësie. Sëpaku mëparë kishte belanë kush gënjente, ngjiste fjalë për dikend, a fyente, -por kishte edhe një ligj të rrebtë ndëshkimesh si dhe ishte një pushtet shumë represiv.

-Frika e mba njerëzinë dhe imani i njerëzve është druri, -kanë thënë të moçmit! Tani, në këtë kohë demokracie, pa kurrfarë rreziku përgjegjësie për të keqën që bëhet, edhe përgjegësia publike për sa kërkojnë ligjet e normat ra përtokë. Në këtë edhe botuesit e rinjë shfrytëzuan librin për të u kthyer sërish në skenë si dikur. Duke përdorë botimet dhe fuqinë botuese mediatike të tillët tani rishkruajtën pjesën më të madhe të së kaluarës së afërtë dhe të mesme. Kështu gjithë historia jonë nacionale e afërtë dhe e mesme u rishkruajt dhe u ndryshua plotësisht, saqë nuk përgjason më fare në vetën, që ishte, siç ishte në të vërtetë.

Se ky fenomen është me kaq peshë dhe rëndësi, u pa edhe në interesimin e kundërshtarëve tanë nacionalë që kërkuan menjëherë “rishkrimin” e së kaluarës tonë dhe ndërrimin e koncepteve në shkrim e botim. Me këtë për kohë të shkurtër, armiqt na u bënë miq, -e miqt –armiq! Kjo u bë me ndihmën e “librit” të ri në vazhdim, me vërejtjën “me arsye” se kështu duhet të shkruhet libri!

-III-
Duke parë fuqinë mediatike të librit në vazhdim, të gjithë vrapuan, kush pati e kush nuk pati paratë, -të botojnë nga një libër, “për vete” Njëri më kërkoi t’ia redaktoja një tekst shkarravinash me titull”Hjekat e mia”! Sigurisht se edhe ai pa shansën për botim, por pa pasur ndonjë qëllim si të tjerët, ky librin e donte veç një kopje dhe veçse për vete!…Ndërkaq botuesit e rinjë inteligjentë, tek libri i ri artistik në vazhdim panë shansën për rishkrimin dhe ndryshimin e plotë magjik të së kaluarës.

-Përse motivi ky, për fshirjen dhe rishkrimin e së kaluarës? Përse me kaq forcë e entuziazëm, e me paratë pa kufi nganë njerëzia për të botuar libër secili për vete? –Çka i shtynë? Interesi edhe mëtutje? Frika? Dëshmia ppr të arsyetuar ikjen në Perëndim?…

Sigurisht se të gjitha ngapak ishin mbledhur! Të gjithë të moçmit thuaje kishin qenë pjesëtarë të pushtetit të kaluar, që i la si peshqët në zallë dhe të gjithë këta, kishin një zënie të frymëmarrjes për vdekje. Duke fshirë gjithë të kaluarën, gjithë këtyre u kthehej frymëmarrja e rregullt dhe qetësia e shprtit për të bëmat e këqija gjithë jetën, me arsyetim se duhej të bënin ato sepse pushteti ishte i tillë!…Mjafton njeriu të pendohet bre, dhe e gjithë barra hiqet dhe se edhe kështu kurrë kush nuk kërkoi prej askujtë përgjegjësi për të kaluarën, sepse ne as nuk kemi pushtet që kërkon përgjegjësi të tillë. Mirë është që nuk kemi se edhe po të kishim, për faqe të zezë do të bëheshim përrallë.

Shkak tjetër mbase ishte motivi atavist që Frojdi thoshte se u vjen njerëzve nga kohërat më të moçmet, për të marrë pushtet. Frojdi thoshte se njerëzit e kohërave të moçme vritnin etërit dhe prindërit për tu marrë pushtetin, me një ritual dhe ceremoni “shenjtërimi” për të gjithë. Duke sulmuar dhe vrarë etërit dhe dëshmitarët me kohë gjithë pushteti u mbetet të gjallëve e që janë pranë këtu, e që është shumë serioze dhe për brengosje.

-IV-
Libri për këtë është magji dhe bën çudi pa kufi! Ka mundësi të bëj mirë për mbarë, por ka mundësi të bëj edhe keq! Ky botimi i kohës së re tek ne shkoi kësaj rrugës së dytë. Botimet e reja në vazhdim kishin motivin e fshirjes së kohës së kaluar, përshkrimin sipas dëshirës dhe paraqitjen spektakulare të “derës së madhe të familjes”, në luftë gjithmonë me armiqt!

Kjo, -“në luftë gjithmonë me armiqt” ishte menjëherë pas luftës, -për të marrë fuqi për shtyrje ngulfatëse në rendin e pritjeve për pushtet. Kush ishte më i fuqishëm në pritje, shtyhej më fort, arrinte një vend pune dhe pozite në pushtet dhe shpëtohej, -kurse të tjerët mbeteshin në rend, as për të ndenjë më, as për të dalë, që është tanimë!

Kjo bëhej sëpari mbrenda përmbrenda partive, e më pastaj, sikur një finale e madhe, nëmes partive. Masa e renditur përmbrenda një partie, duhej të ishte njësoj e ngjeshur dhe e vendosur në luftë, deri në fund, për të zgjedhur liderët e saj, për të marrë pushtetin konkurent. Në këtë luftë të ashpër edhe libri në vazhdim kishte përparësitë e veta për të siguruar një vend sëpaku në punë të pushtetit të ri.

Ky libri i ri në vazhdim kishte edhe magji tjera dhe shanset për të bërë mrekulli andej e këndej që ofronte tani “libri” i hetuan të gjithë konkurentët në vazhdim, -dhe kjo është historia më e dhëmbshme e librit të ri.

Si në një dramë orveliane, shkruesit e rinjë, u rrekën pas të pavërtetave dhe shpifjeve, ndryshimit të kontesteve të ngjarjeve dhe shpikjes së tregimeve nga më të tmerrshmet për kundërshtarët. Kështu libri i ri kishte pjesën e ndritshme për vetën dhe të errtën për kundërshtarët. Kundërshtarët tanimë nuk ishin dhe nuk janë armiqt, por bashkëkombasit e bashkatdhetarët.

Mjafton tani që dikush të ketë pretendime për mëtutje në pushtet dhe menjëherë kjo fillon e mbaron me botime librash për kundërshtarët e urrejtur për vdekje, duke shkruar tregime horror për ta dhe duke dëshmuar për këto “me fakte dokumente të vërteta”!

Realiteti i ri kosovar është kësisoji që gjithkush mund të flas, shkruaj, botoj gjithçka dhe për këtë mos të përgjigjet para një Këshilli Artistik, as para njerëzve të dëmtuar, as para ligjit, siç ishte dikur dhe siç duhet të jetë edhe tani. Puna ka shkuar kaq larg në këtë, saqë tanimë gjithë jeta publike është ngrysur nga shumësia alarmante e gënjeshtrave e monstruoziteteve të këtyre autorëve për secilin dhe për të gjithë.

Për krahasim të them se rolet tanimë janë kthye mbrapshtë dhe gjithë drama nacionale ka një përfundim tragjik, -dhe kjo krejtë sepse i duhet dikujtë për karierë thjeshtë. I duhet personalisht dhe për të zhdukur të gjithë, -që të mbetet vetë dhe të shpallet fitues!

Gjithë kjo bëhet, veçse për faktin se nuk ka thirrje në përgjegjësi dhe se gjithë kjo bëhet pa asnjë pasojë as pagesë. E për këtë të moçmit thonin se llosi është imani i njerëzve! Gjithë kjo bëhet dhe po bëhet thjeshtë sepse nuk ka frikë dhe as përgjegjësi prej askujtë për asgjë.

Njëmend është demokraci dhe mirë është që është demokraci, por ligjet duhet të funksionojnë dhe veprat penale duhet të parandalohen me marrje në përgjegjësi të bërësve ty tyre. E keqja duhet të ndalohet dhe ndaj saj duhet të veprojë dikush, sëpaku detyrimisht nga dikush që së paku ka përgjegjësinë dhe që paguhet për këtë!?! /2L ONLINE/