Përkujtim për Hoxhë Mulla Rifat Jashari
Nga: HESET ZYMBERI
Hoxha i nderuar Rifat Jashari, vdiq o ndërroi jetë, sidoqoftë, pasi jetoi gjatë sa e la Zoti vetë. Kush nuk ngihet me ymër dhe përfundimi i jetës në këtë botë është në mëshirë të Zotit, për çlirim të njeriut dhe të çdo gjallese jete. Mirë është që është kështu dhe që një zgjidhje ka për këtë. Nuk mund të jetë ndryshe dhe nuk ka kush të bëj një zgjidhje ndryshe për jetën, pos kësaj që është prej Zotit.
Hoxhë Rifati, i Seferëve të Zhegrës, ishte një njeri i formuar me të gjitha të mirat që njeriu mund ti ketë për mirë. Ishte njeri i jashtëzakonshëm për mirë, shoqërues i gjithsecilit në ndihmë e përkrahje, pleqërues e ndarës i drejtësisë siç e kërkoi Zoti vetë, nëmes njerëzve në nevojë. Ishte mësues besimi por edhe jete për të gjithë dhe kishte profesionin e hoxhës në shërbim zyrtar.
Hoxhë Rifati, ishte tutje, njeri i paqës, marrëveshjeve nëmes njerëzve e komuniteteve dhe sjelljes së mirë e të shëndoshë. Ishte gojëtar i jashtëzakonshëm në çdo rast e sipas nevojës dhe gjithë njerëzit dëgjonin fjalën e tij me kurreshtje e respekt; -jo veç se ishte hoxhë, -por se me fjalë ndërtonte e ngritëte kuptime jete, shprese dhe besimi nëmes njerëzve. Fjala e tij kishte besim tek njerëzit dhe të gjithë i besonin marrëveshjet e mosmarrëveshjet që ti drejtonte e gjykonte, duke qenë të bindur se gjithëçka bën hoxha “mulla Rifati”, -miku, kushëriri, fqinji, -pa dallim e njësoj për të gjithë, e rendon drejt dhe shëndosh.
Ishte gjithmonë vështirë siç është edhe tani, që të mbahej qëndrim njerëzor, në mjediset tona e në kohë të rënda gjithmonë të pushteteve pa krye. Ishte vështirë të mbahej njeriu për njeri në katrahurat e kohëve dhe pushteteve jopopullorë e okupues pandërprerë. Koha me kohën ndërroheshin në errësirë, humnera thërriste humnerën dhe njeriu humbej e nuk dukej kund, nga regjimet e pushtetet. Njeriu ishte e pamundur të qëndronte e të mos humbej, sepse zgjidhje nuk ishte tjetër…
Porse zgjidhja për të gjitha ishte në besimin dhe shpresën e sigurtë të besimtarit për Zotin e jetës që kishte dhënë premtimin se secilit që do të qëndronte në fjalën e tij do ti ndihmonte dhe do ta shpëtonte në fatkeqësi. Ishin shembujt në popull të qëndresës dhe shembujt në fjalën e Perëndisë tek Ibrahimi, Musai, Isai, e gjithë të tjerët, kur Perëndia bëri mrekulli duke i shpëtuar nga pengu i fatkeqësive dhe duke i çliruar nga ndjekësit e armiqt. Ishte besimi se e mira dhe e drejta e shpëtojnë njeriun dhe se për këtë nuk ka nevojë që njeriu të shtojë vetë diçka e të arsyetohet me veprat e liga, sepse kohët dhe regjimet e kërkonin përkohësisht shpëtimin e tillë.
Shpëtimi i njeriut vjen nga drejtësia e Zotit dhe nga shpërblimi për të gjithë ata që e mbajnë besimin dhe ruhen nga çdo e keqe. Këtë hoxha e fliste, përkujtonte dhe e komentonte gjithherë, për ti shtrënguar njerëzit të lodhur nga barrët dhe padrejtësitë dhe për ti siguruar se po të qëndronin, ruheshin e të shkonin rrugës së drejtë, do të çliroheshin sigurisht…
Mbajtja dhe ushtrimi i profesionit zyrtar të hoxhës në mjediset tona, regjim pas regjimi, ishte tejet i rëndë dhe me pasoja. Përgjegjësia e njeriut që mbante njerëzinë ishte e kushtueshme me jetë dhe sjellja bujare binte në sy të regjimeve. Të mbahej njerëzia, drejtësia dhe profesioni i hoxhës në ato kohë të rënda ishte heroizëm i vërtetë. Çdo pushtet i ri pushtues që vinte, kërkonte sëpari hoxhën!…Hoxha mulla Rifati kaloi nëpër të gjitha këto kohë, me njerëzit e mjedisit të vet e më gjërë dhe gjithmonë mbajti qëndrim të drejtë, si e lypë jeta dhe besimi.
Ishte shembull i veprave dhe sjelljeve njerëzore gjithmonë dhe mbajtës i fjalës e premtimit, nga veprat e veta dhe nga Fjala e Perëndisë në Shkrim të Shenjtë të Kur ‘anit. Njerëzit dëgjojnë por njëherit këqyrin se mësuesi e prijësi a i mba fjalët. Veprat e bëjnë njeriun dhe kërkimi për drejtësi e besim fillon prej vetë atij që e bën thirrjen këtë.
Nuk mund të jetë kështu, që të kërkohet e të thirret në besim masa, në drejtësi e në vepra të mira, por vetë thirrësi mos ti mbajë. Kjo është gjithnjerëzore dhe kusht për të shkuar pas prijësit. Hoxha në këtë ishte gjithmonë bërës i veprave të mira dhe thirrës për drejtësi e besim, siç ishte në njerëzit dhe siç kërkon Fjala e Perëndisë –Allahut xh. h.
Duke qenë i këtillë gjithmonë, i njëjtë për të gjithë dhe i drejtë, hoxhë mulla Rifati la shembull të njeriut të vërtetë të drejtë dhe të besimit nga veprat e mira. Kështu një mbajtës i mirë i përgjegjësisë në punë dhe veprim, i zbardhë fytyrën institucionit ku punon dhe krijon bindjen tek njerëzit se besimi ky i tij është i drejtë dhe i vërtetë, e se si të tillë njerëzit kanë besim e siguri ta marrin e përqafojnë.
Nga njerëzit e drejtë, prijësit dhe mësuesit mëvaret besimi dhe mësimi dhe tek të drejtët nisë besimi i ri i vërtetë, që është besimi i vjetër i njëjti, por që me një njeri të drejtë e të qëndrueshëm vjen e rrënjoset tek njerëzit. Hoxha mulla Rifati ishte i tillë dhe të tillë e njohin të gjithë ata që e njohën për të gjallë. Duke qenë kështu kjo, hoxha la edhe një pasuri të paçmushme vlerash njerëzore e virtyti, që është edhe shembull për të tjerët, që ligështohen e vështirë qëndrojnë në barrët e jetës dhe ngjarjeve të llojllojshme që ndodhin në jetë të njerëzve për të gjallë.
Ka shpresë për të qenë njeri gjithë jetën dhe ka besim nga shpresa se njerëzia e drejtësia qëndrojnë mbi gjithçka në jetë. Për më tepër kënaqësia më e madhe dhe më e këndshme e njeriut në këtë jetë është njerëzia e mirësia dhe lum ata që qëndrojnë në të dhe nuk ligështohen kurrë. Jeta ka vlerë veçse në dritë dhe në paqë dhe ky ishte mësimi mision i hoxhës së nderuar për së gjalli.
Zoti, -Allahu xh. h. E shpërbleftë me paqë e kënaqësi të përjetshme në prani të tij, në Kopsht të Xhenetit përgjithmonë.
E vërtetë është se të tillët do të shpërblehen nga Zoti, sepse iu përmbajtën qëndrimit dinjitoz njerëzor dhe përhapën besimin drejt e me vepra të mira e të pëlqyeshme, ashtu siç kërkon Perëndia ynë vetë në Fjalën e tij të Shenjtë. Njëherit shembulli i hoxhës mulla Rifatit do të mbetet mësim për të gjithë si të qëndrohet e jetohet me dinjitet e nderë.
