Përkrahet nisma për bashkëpunim ndërkomunal në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe të tjera
/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të mërkurën, në takimin e parë të punës për këtë vit, të cilin e ka kryesuar Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal, propozim-vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim, raportin e suksesit të nxënësve në gjysmëvjetorin e parë, planin operativ emergjent për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, iniciativën e kryetarit të Komunës për nxitjen e bashkëpunimit ndërkomunal në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, propozim-vendimin për formimin e Komisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Planit të Integritetit, raportet e punës së Komiteteve si dhe informatën e Zyrës së Prokurimit.
Bashkëpunimi ndërkomunal në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, do të bazohet në ofrimin dhe pranimin e shërbimeve, koordinimin e planeve të reagimit emergjent, operacioneve tjera për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë me komunat fqinjë. Bashkëpunimi do të zbatohet mbi baza të njëjta reciprociteti dhe përfitimi të shumanshëm në mbrojtje të interesit të përgjithshëm publik.
Arsyetimin për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim e ka paraqitur Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës, i cili ka thënë se KEDS-i ka kërkuar tri parcela në Velekincë, Livoç i Poshtëm dhe zonën “Qarku”, me sipërfaqe të përgjithshëm prej 48 metra katrorë, për ndërtimin e tri trafove, si nevojë për stabilizimin e tensionit të energjisë elektrike.
Ai ka thënë po ashtu se kërkesa i ka kaluar të gjitha procedurat, nuk bie ndesh me planet urbanistike dhe ka arsyeshmëri të mjaftueshme për t`u mbështetur në KPF dhe pastaj edhe në Kuvend Komunal.
Sa i përket suksesit të nxënësve në gjysmëvjetorin e parë, drejtori i Arsimit, Namzi Musa ka thënë se ai është më i mirë për 0.5 për qind në krahasim me gjysmëvjetorin e njëjtë të vitit të kaluar. Nota mesatare në nivel komunal, është 3.70, ka thënë Musa.
Ai ka dhënë përgjigje edhe në pyetjen e Bujar Nevzatit (PDK) rreth vonesave në shpalljen e rezultateve të konkursit për mësimdhënës, duke sqaruar se kryetari i Komunës i ka kërkuar dosjet e kandidatëve të përzgjedhur nga komisioni vlerësues, pas një ankese që ka bërë një qytetar në debatin publik.
Musa ka garantuar se gjithë procedura është kryer në suaza ligjore dhe është shprehur i bindur se verifikimi do të tregojë se nuk ka pasur asnjë shkelje.
Valentina Bunjaku, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se me siguri edhe kryetari i Komunës do të japë përgjigje për arsyet e verifikimit të listës, në seancën e ardhshme të asamblesë komunale, që do të mbahet më 28 janar.
Një informatë të shkurtër për çështjet e prokurimit e ka paraqitur Salih Kqiku nga Departamenti i Prokurimit, i cili ka premtuar se do të sjellë një raport më të gjerë në Kuvend Komunal, duke rikujtuar se ligji i prokurimit nuk lejon që të bëhen publike të gjitha. /2L ONLINE/
