/2L ONLINE/ – Zyrtarë komunal që janë përgjegjës të sektorit të pylltarisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan thanë se janë të kënaqur me faktin se pyjet janë duke u ruajtur më mirë, në të gjitha aspektet, por se ata thanë se janë duke punuar që ky trend të vazhdojë akoma dhe se kanë apeluar tek qytetarët të kenë kujdes për të mos shkaktuar as zjarre, pasi kemi edhe pak javë dhe do të hyjmë në sezonin kur fillon fushata e korrje-shirjes, që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore.
Ramadan Ajvazi Shef i Sektorit të Pylltarisë ka thënë për 2L ONLINE, se në tërë territorin përgjegjësi e komunës po ruhen pyjet mirë dhe kjo falë të gjithëve, qytetarëve, zyrtarëve të drejtorisë, rojeve të pyjeve, punës së policisë dhe gjykatave. Ndonëse tani për tani situata është e mirë edhe kur janë në pyetje dëmet që mund të shkaktohen nga zjarri, megjithatë Ajvazi apelon për kujdes dhe se tha se edhe përgatitjet me kohë dhe marrja e masave preventive, ka të bëjë me evitimin e zjarreve të mundshme dhe ruajtjen e resurseve pyjore.
Ajvazi tha se lajm i mirë është që s’ka zjarre në pyje, por edhe ky apel paraprak për kujdes, bëhet me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes së jetës së qytetarëve e të gjësë së gjallë, pronës dhe ambientit, edhe përgjatë periudhës kohore, kur rreziqet për shkaktimin e zjarreve janë më të mëdha.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të jenë të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent në shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, si dhe të bëjnë lajmërimin dhe alarmimin me kohë, po që se hasin në to. /2L ONLINE/